Çmimi i arit arrin nivelin rekord prej 3,500 dollarësh për onz - Business Magazine Albania

Çmimi i arit arrin nivelin rekord prej 3,500 dollarësh për onz

Çmimi i arit ka kapur një nivel rekord prej 3,500 dollarësh për onz gjatë javës së fundit të prillit 2025, duke reflektuar një rritje të ndjeshme të pasigurisë ekonomike dhe politike në Shtetet e Bashkuara dhe në nivel global. Lëvizjet e fundit në tregje janë lidhur drejtpërdrejt me ndërhyrjet e përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump në politikën monetare, si dhe me një klimë të brishtë gjeopolitike.

Sipas një raportimi të fundit nga Reuters, rritja e çmimit të arit është nxitur kryesisht nga sulmet verbale të presidentit Trump ndaj kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell, të cilin ai e ka akuzuar për “mosveprim të rrezikshëm” në një moment kur, sipas tij, ekonomia ka nevojë për një ulje drastike të normave të interesit. Në disa postime në rrjetin social X (ish-Twitter), Trump ka kërkuar që Fed të zbresë normat nën 2% brenda tremujorit të dytë, duke sfiduar pavarësinë institucionale të bankës qendrore amerikane.

“Trump ka kaluar çdo kufi në ndërhyrjet ndaj bankës qendrore,” deklaron një analist i JP Morgan i cituar nga Reuters, “dhe investitorët po reagojnë duke kërkuar strehë në asetet e sigurta si ari dhe obligacionet e qeverive europiane”.

Sipas Financial Times, dobësimi i indeksit të dollarit amerikan është një tjetër faktor që ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e kërkesës për ar. Indeksi i dollarit është ulur me 9% që nga janari, dhe vetëm në muajin prill ka pësuar një rënie prej 6%.

Tregtarët e arit kanë vlerësuar se kjo dobësi e dollarit është pasojë e pasigurive që vijnë nga politika e brendshme e SHBA-së, përfshirë përplasjet midis Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë për buxhetin dhe borxhin federal.

Në një tjetër analizë të Financial Times, theksohet se mbi 19 miliardë dollarë janë derdhur në fondet e tregtuara në bursë (ETF) që mbështeten në ar gjatë tremujorit të parë të vitit 2025 – shifra më e lartë që nga kriza financiare globale e vitit 2008. Kjo prirje tregon qartë se investitorët ndërkombëtarë kanë rikthyer fokusin te ari si një aset tradicional i sigurt, në një klimë të rritur tensioni.

Lexo edhe: Arsimi, “luks” për familjet shqiptare, rritja më e madhe e shpenzimeve që nga 1995-a!

Retorika e presidentit Trump ka gjeneruar jo vetëm shqetësim të brendshëm në SHBA, por edhe një reagim të rezervuar nga aleatët europianë. Sipas një raportimi të Reuters, tregjet europiane janë goditur nga efektet zinxhir të retorikës së Trump mbi tregtinë dhe inflacionin global.

Gjermania dhe Franca kanë reaguar përmes kanaleve diplomatike për të kërkuar “qetësi politike” në prag të një samiti të G7 që pritet të diskutojë edhe ndikimin e politikave të Trump në stabilitetin monetar ndërkombëtar.

Për më tepër, banka ANZ ka përditësuar parashikimin e saj për çmimin e arit për pjesën e mbetur të vitit, duke e çuar në 3,600 dollarë për onz – një sinjal se nuk pritet një qetësim i shpejtë i tregjeve. Sipas analistëve të Reuters, nëse tensionet midis Shtëpisë së Bardhë dhe Fed vazhdojnë, si dhe nëse Trump ndërhyn më tej në politika monetare ose fiskale, investitorët do të vijojnë të tërhiqen nga asetet e riskuara dhe të rrisin ekspozimin në ar dhe franga zvicerane.

Në këtë situatë, ari po kthehet jo vetëm në një tregues të frikës së investitorëve, por edhe në një referendum simbolik mbi qëndrueshmërinë institucionale të SHBA-së nën drejtimin e një presidenti që nuk heziton të sfidojë balancat klasike të pushtetit ekonomik.

Burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0