Çifti i koncertit të Coldplay nuk është më i denjë për të udhëhequr! - Business Magazine Albania

Çifti i koncertit të Coldplay nuk është më i denjë për të udhëhequr!

Një koncert i Coldplay mund të duket si një vend i këndshëm për një takim romantik, përveç rasteve kur personi që keni në krah është partneri juaj në një lidhje jashtëmartesore. Dhe veçanërisht kur jeni CEO i një kompanie softuerësh me vlerë miliarda dollarë, ndërsa ajo është drejtoresha e burimeve njerëzore të kompanisë.

Në një video që është bërë virale, CEO i kompanisë Astronomer, Andy Byron, dhe drejtoresha e burimeve njerëzore, Kristin Cabot, shfaqen si një çift i lumtur në koncertin e Coldplay në stadiumin Gillette, pranë Bostonit, derisa e kuptojnë se përqafimi i tyre është duke u transmetuar në ekranin gjigant dhe ndoshta në të gjithë rrjetin. Reagimi i menjëhershëm i parehatshëm tregon se nuk donin që dikush ta shihte këtë skenë.

Në sfond dëgjohet edhe Chris Martin, vokalisti i grupit, që komenton mbi çiftin në mënyrë spontane: “Oh, shikoni këta të dy. Në rregull, jeni mirë. Oh, çfarë? Ose janë në një lidhje të fshehtë, ose janë shumë të turpshëm.” As Byron dhe as Cabot nuk kanë komentuar publikisht mbi videon. Videoja u përhap me shpejtësi në rrjet. Shpresoj që të dy të jenë ndjerë të turpëruar dhe, më e rëndësishmja, shpresoj që bordi drejtues i Astronomer të mblidhet sa më parë dhe të marrë një vendim për largimin e tyre. Ja pse:

1. Çdo vendim i tyre është tashmë i dyshimtë
Vite më parë një artikull u bë viral, me titullin “Më fal HR, por ti nuk ke të drejtë për miq në punë.” Shumë profesionistë të burimeve njerëzore u shprehën kundër me indinjatë. Por faktet qëndrojnë: nëse je shumë afër me CEO-n, qofsh mik apo partner romantik, nuk mund të kryesh siç duhet funksionin tënd. CEO ka fjalën e fundit, por drejtori i burimeve njerëzore duhet të japë rekomandime të pavarura, të bazuara në praktikat më të mira të menaxhimit dhe etikës. Emocionet personale ndërhyjnë në gjykim. A mund të besojmë se Cabot i ka dhënë CEO-së këshillat më profesionale për menaxhimin e stafit, apo ka vepruar për ta kënaqur atë? As ne, as bordi nuk e dimë. Prandaj bordi duhet të hetojë nëse promovimet, bonuset, rekrutimet apo shkarkimet janë bërë në mënyrë të drejtë dhe të pavarur. Madje, sipas internetit, një prej të sapo-promovuarave në ekipin e burimeve njerëzore ishte e pranishme në koncert. A ishte vërtet më e kualifikuara, apo një mikeshë që mund të ruante fshehtësinë e lidhjes?

Lexo edhe:8 foshnjat e para të lindura me ADN nga tre persona, pa asnjë sëmundje!

2. Ata nuk janë më të besueshëm
Besohet se ai që tradhton bashkëshortin, është në gjendje të tradhtojë edhe kompaninë. Shumë mund të mos bien dakord, por qëndroj i palëkundur në këtë parim. Personat që gënjejnë më të afërmit e tyre, nuk do të kenë problem të gënjejnë edhe investitorët apo klientët. Ndoshta Byron dhe Cabot kanë qenë punonjës të shkëlqyer, por a mund të besohet kjo tani? Absolutisht jo. A ia vlen rreziku që ata të mbeten në pozita udhëheqëse? Jo. Të dy duhet të largohen.

3. Ata kanë dëmtuar reputacionin e kompanisë
Shumë nuk kishin  dëgjuar më parë për kompaninë Astronomer. Ndoshta as ju. Por tani, kur e dëgjoni këtë emër, mendja ju shkon te videoja virale. Dhe ky nuk është imazhi që do të dëshironte një kompani për veten e saj. Kompanitë kanë politika të rrepta për sjelljen e punonjësve në rrjete sociale për të shmangur turpërimet publike. Por drejtuesit, veçanërisht në nivelet më të larta, janë gjithmonë përfaqësues të markës, edhe jashtë zyrës—madje edhe në një koncert.

4. Po sikur të jenë vetëm miq?
Në fund të ditës, ishte thjesht një koncert dhe ata po kërcenin. Po sikur të jenë vetëm miq të ngushtë që po argëtohen? Edhe nëse kjo është e vërtetë, dëmi është bërë. Imazhi i tyre personal dhe i kompanisë është prekur. Marrëdhëniet ndërmjet drejtuesve duhet të jenë gjithmonë profesionale dhe të ruajnë etikën.

5. Kompanitë duhet të kenë rregulla të qarta për marrëdhëniet
Çdo kompani duhet të ketë një politikë të qartë që ndalon marrëdhëniet romantike midis një punonjësi dhe dikujt në linjë të drejtpërdrejtë autoriteti. Dhe në rastin më klasik: CEO nuk duhet të ketë një lidhje me asnjë punonjës. Pikë. Po ashtu, profesionistët e burimeve njerëzore duhet të jenë shembuj të integritetit dhe të një standardi më të lartë etik. Një video në një koncert mund të duket si një moment i parëndësishëm, por kur jeni në krye të një kompanie të madhe, çdo gjest i juaji përcillet si mesazh. Nëse Astronomer do të vazhdojë të pretendojë për besueshmëri, etikë dhe profesionalizëm, atëherë duhet të fillojë me një vendim të prerë: Byron dhe Cabot nuk mund të qëndrojnë më në drejtim.

inc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0