ChatGPT nuk është terapisti yt i sigurt, Sam Altman ngre alarmin - Business Magazine Albania

ChatGPT nuk është terapisti yt i sigurt, Sam Altman ngre alarmin

Përdoruesit e ChatGPT mund të duhet të mendojnë dy herë para se t’i drejtohen aplikacionit të inteligjencës artificiale për terapi apo për mbështetje emocionale. Sipas CEO-së së OpenAI, Sam Altman, industria e AI-së nuk ka gjetur ende mënyra për të mbrojtur privatësinë e përdoruesve në bisedat më të ndjeshme, për shkak se, kur “mjeku” është një AI, nuk ekziston asnjë lloj konfidencialiteti ligjor. Altman i bëri këto komente gjatë një episodi të fundit të podcast-it This Past Weekend with Theo Von.

I pyetur se si bashkëvepron sot inteligjenca artificiale me sistemin ligjor, Altman tha se një nga problemet më të mëdha është mungesa e një kuadri ligjor apo politikash që rregullojnë AI-në, çka bën që bisedat e përdoruesve me chatbot-in të mos gëzojnë asnjë mbrojtje ligjore.

“Një numër i madh njerëzish i tregojnë ChatGPT gjërat më personale të jetës së tyre,” u shpreh Altman. “E përdorin, veçanërisht të rinjtë, si terapist, si këshillues për jetën; flasin për problemet në marrëdhënie dhe pyesin: ‘çfarë duhet të bëj?’ Dhe tani për tani, nëse flet me një terapist, një avokat apo një mjek për këto probleme, ekziston mbrojtja ligjore. Ekziston konfidencialiteti pacient-mjek, apo ai ligjor, e kështu me radhë. Por për bisedat me ChatGPT, kjo nuk është përcaktuar ende.”

Kjo mund të krijojë shqetësime të mëdha mbi privatësinë në rastet kur përdoruesit përfshihen në procese gjyqësore, shtoi Altman, pasi OpenAI do të ishte ligjërisht e detyruar të dorëzonte përmbajtjen e atyre bisedave.

Lexo edhe: DOGE ndërton një mjet të AI-së për të zhdukur gjysmën e rregulloreve federale

“Mendoj se kjo është shumë problematike. Duhet të ekzistojë e njëjta ide e privatësisë për bisedat me një AI, sikurse ekziston kur flet me një terapist, apo një mjek, apo një avokat dhe askush nuk kishte nevojë të mendonte për këtë gjë vetëm një vit më parë,” theksoi ai.

Altman pranoi se mungesa e një privatësie të qartë ligjore mund të pengojë adoptimin masiv të teknologjisë. Përveç faktit që modelet e AI-së kërkojnë sasi të mëdha të dhënash gjatë procesit të trajnimit, tani po kërkohet që ato të prodhojnë gjithashtu të dhëna nga vetë bisedat e përdoruesve në kontekste ligjore.

Aktualisht, OpenAI po përballet me një urdhër gjykate në kuadër të një padie nga The New York Times, i cili kërkon ruajtjen e të gjitha bisedave të miliona përdoruesve të ChatGPT në mbarë botën, përjashtuar klientët e platformës ChatGPT Enterprise.

Në një deklaratë zyrtare në faqen e saj, OpenAI tha se e ka apeluar këtë urdhër, të cilin e cilëson si “tejkalim të kompetencave.” Nëse gjykatat mund të anashkalojnë vendimet e OpenAI për mbrojtjen e privatësisë, kompania mund të përballet me kërkesa edhe më të mëdha për zbulime ligjore apo bashkëpunim me forcat e rendit.

Në kohët e fundit, kompanitë teknologjike përballen rregullisht me urdhra gjyqësorë për të dorëzuar të dhëna të përdoruesve për hetime penale. Por shqetësimet për të dhënat dixhitale janë shtuar sidomos pasi ligje të reja kanë kufizuar të drejta më parë të garantuara – siç ishte rasti i të drejtës së grave për të ndërprerë shtatzëninë.

Pas vendimit të Gjykatës së Lartë për të përmbysur Roe v. Wade, shumë përdoruese kaluan në aplikacione më private për ndjekjen e ciklit menstrual, ose zgjodhën të përdorin Apple Health, i cili enkripton të dhënat e tyre.

Në fund të intervistës, Altman e pyeti Theo Von për përdorimin e tij të ChatGPT, pasi ky i fundit tha se nuk e përdorte shumë chatbot-in për shkak të shqetësimeve për privatësinë.

“Mendoj se ka shumë kuptim… të kërkosh më parë qartësi për privatësinë, përpara se ta përdorësh [ChatGPT] në mënyrë të shpeshtë. Duhet së pari një qartësi ligjore,” përfundoi Altman.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0