ChatGPT kryeson listën e aplikacioneve më të shkarkuara, mes shqetësimeve për dezinformim dhe shëndetin mendor - Business Magazine Albania

ChatGPT kryeson listën e aplikacioneve më të shkarkuara, mes shqetësimeve për dezinformim dhe shëndetin mendor

Apple ka publikuar së fundmi listën e aplikacioneve më të shkarkuara të vitit, ku ChatGPT rezulton aplikacioni falas më i instaluar në SHBA për vitin 2025 (duke përjashtuar lojërat). Pas chatbot-it të OpenAI renditen aplikacione si Threads, Google, TikTok, WhatsApp, Instagram, YouTube, Google Maps, Gmail dhe Gemini nga Google.

Ky është një kthesë e fortë për ChatGPT. Vetëm një vit më parë ai renditej në vendin e katërt, ndërsa në vitin 2023, vitin e lançimit, nuk arriti as të futej në dhjetëshen e parë. Ndërkohë, aplikacioni kinez Temu kryesonte listën vitin e kaluar, sipas raportimit të TechCrunch. Në kategorinë e lojërave falas për iPhone, kryesuan Block Blast, Fortnite dhe Roblox, ndërsa mes lojërave me pagesë u renditën Minecraft, Balatro dhe Heads Up. Përsa i përket aplikacioneve falas për iPad, YouTube u rendit i pari, i ndjekur nga ChatGPT, Netflix, Disney+ dhe Amazon Prime Video. Ndër aplikacionet me pagesë për iPad, Procreate, Procreate Dreams, forScore, ToonSquid dhe Nomad Sculpt dominuan listën.

Lexo edhe: OpenAI lançon GPT-5.2

Top 10 aplikacionet falas për iPhone:

  1. ChatGPT

  2. Threads

  3. Google

  4. TikTok – Videos, Shop & LIVE

  5. WhatsApp Messenger

  6. Instagram

  7. YouTube

  8. Google Maps

  9. Gmail – Email by Google

  10. Google Gemini

Rritja e shpejtë e ChatGPT nuk është e papritur, duke pasur parasysh praninë e tij pothuajse në çdo sektor, nga arsimi dhe akademia, te ligji, biznesi dhe krijimtaria. Megjithatë, kjo përhapje masive shoqërohet edhe me shqetësime serioze, veçanërisht lidhur me dezinformimin dhe ndikimin në shëndetin mendor. Në muajt e fundit, ChatGPT është përmendur në disa raste ligjore në SHBA, ku familjarë kanë akuzuar teknologjinë për ndikim të dëmshëm në gjendjen psikologjike të përdoruesve të mitur.

OpenAI, kompania pas ChatGPT dhe e drejtuar nga Sam Altman, ka deklaruar se platforma përfshin mekanizma sigurie, si orientimi drejt linjave të ndihmës në situata krize. Megjithatë, kompania ka pranuar se këto masa funksionojnë më mirë në ndërveprime të shkurtra, ndërsa në biseda të gjata mund të humbasin efektivitetin. “ChatGPT përfshin masa mbrojtëse, por kemi mësuar se në ndërveprime të gjata, disa elementë të trajnimit për sigurinë mund të bëhen më pak të besueshëm,” thuhej në një deklaratë të OpenAI.

Ky fakt është veçanërisht shqetësues duke pasur parasysh përdorimin e gjerë të AI nga të rinjtë. Sipas një sondazhi të Common Sense Media, 72% e adoleshentëve amerikanë përdorin AI si ‘shoqërues’, ndërsa 1 në 8 prej tyre i drejtohet teknologjisë për mbështetje të shëndetit mendor. Ndërkohë, një studim i publikuar në vjeshtë tregoi se chatbot-et e AI shpesh kanë vështirësi të dallojnë besimin nga faktet, duke shtuar frikën se këto mjete mund të kontribuojnë në përhapjen e dezinformimit. Suksesi i ChatGPT si aplikacion reflekton fuqinë transformuese të inteligjencës artificiale, por njëkohësisht ngre pyetje të forta mbi etikën, sigurinë dhe përgjegjësinë në përdorimin e saj, veçanërisht kur bëhet fjalë për të rinjtë dhe grupet e ndjeshme.

nyp

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0