Çfarë po ndodh në Meta? Pse u largua shkencëtari kryesor i AI? - Business Magazine Albania

Çfarë po ndodh në Meta? Pse u largua shkencëtari kryesor i AI?

Një lëvizje e madhe duket se po ndodh brenda Meta-s. Sipas raportimit të ri nga Financial Times, shkencëtari kryesor i inteligjencës artificiale i kompanisë, Yann LeCun, po planifikon të largohet nga Meta për të nisur startup-in e tij në fushën e AI-së.

Vendim që ka befasuar shumë. LeCun, i cili iu bashkua Meta-s në vitin 2013, është një figurë gjigante në industrinë e AI-së. Fitues i Çmimit Turing dhe një prej tre “baballarëve” të inteligjencës artificiale moderne, ai është pionier i rrjeteve nervore, teknologjia që qëndron në bazë të modeleve gjuhësore të mëdha (LLM) që përdoren sot gjerësisht. Prania e tij i ka dhënë Meta-s, e cila shpesh është parë si e dobët në garën e AI-së, një nivel të lartë besueshmërie. Largimi i tij vjen në një moment kur CEO Mark Zuckerberg ka ndërmarrë ndryshime të thella në qasjen e Meta-s ndaj AI-së. Nga një fokus i fortë te kërkimi dhe modelet open source, kompania po zhvendoset drejt zhvillimit të produkteve të fuqishme komerciale, pasi chatbot-ët e saj kanë mbetur prapa krahasuar me rivalë si Google dhe OpenAI.

LeCun është i njohur si skeptik ndaj LLM-ve. Ai beson se ky arkitekturë nuk mund të arrijë kurrë nivelin e mendimit njerëzor dhe, si pasojë, inteligjencën e përgjithshme artificiale (AGI). Madje ka këshilluar programuesit e rinj të mos merren fare me LLM-të, por të punojnë “me sistemet e gjeneratës së ardhshme që kapërcejnë kufizimet e tyre”. Me këto pikëpamje, ai ka qenë gjithmonë një figurë disi e pazakontë brenda një gjigandi si Meta.

Lexo edhe:Profesionet më të rrezikuara për t’u zëvendësuar nga AI vitin e ardhshëm

Ndoshta këto kontradikta u bënë të papërputhshme. Këtë verë, Meta investoi mbi 14 miliardë dollarë në Scale AI, një kompani të specializuar në annotimin e të dhënave, dhe rekrutoi CEO-n e saj, Alexandr Wang, për të drejtuar një njësi të re të quajtur Superintelligence Labs. Kjo njësi, e ndarë nga departamenti kërkimor i LeCun (FAIR), ka si synim krijimin e një AI-je “superinteligjente” të bazuar te teknologjia LLM. Ndërkohë, LeCun vazhdon të mbrojë idenë e zhvillimit të modeleve “botërore”, që kuptojnë botën fizike të trefishtë, përmes të dhënave vizuale dhe sensoriale, dhe jo vetëm gjuhës. Ai thotë se kjo qasje kërkon dekada, ndërsa Zuckerberg kërkon rezultate të menjëhershme. Është tashmë e qartë cili drejtim është prioriteti i Meta-s. Zuckerberg ka tentuar të tërheqë talent të nivelit të lartë duke ofruar kontrata marramendëse që shkojnë në qindra miliona dollarë. Sipas FT, LeCun madje filloi të raportonte te Wang, i cili është vetëm 28 vjeç. Zhvendosja drejt “superinteligjencës” erdhi pasi modeli më i ri i Meta-s, Llama 4, u vlerësua gjerësisht si zhgënjim, me performancë nën nivelin e konkurrentëve. Tregu, megjithatë, nuk është plotësisht i bindur në drejtimin e ri të Zuckerberg. Muajin e kaluar, aksioni i Meta-s ra me mbi 11% pas publikimit të rezultateve të tremujorit të tretë, ku kompania paralajmëroi se do të shpenzonte miliarda dollarë më shumë për AI-në sesa ishte parashikuar. Pas raportimit të largimit të LeCun, aksioni ra edhe rreth 3% të tjera.

FUTURISM

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Karakteri nuk zhvillohet me thjeshtësi, por nëpërmjet përvojës së vuajtjeve.”
— Helen Keller
Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0