Presidenti amerikan Donald Trump po has vështirësi në tërheqjen e aleatëve perëndimorë drejt “Bordit të Paqes”, por deri tani ka siguruar mbështetjen e monarkëve të Lindjes së Mesme, të njeriut të njohur si diktatori i fundit i Europës dhe të paktën një lideri të kërkuar për krime të supozuara lufte.
Trump ka ftuar dhjetëra vende t’i bashkohen bordit, i cili synon zgjidhjen e konflikteve globale, por mandati i tij ka alarmuar disa aleatë të SHBA-së, ashtu si edhe komenti i liderit amerikan se ai “mund” të zëvendësojë Kombet e Bashkuara.
Bordi, i kryesuar pa afat nga Trump, fillimisht ishte konceptuar si një organ i kufizuar, i ngarkuar me mbikëqyrjen e rindërtimit të Gazës, e cila u shkatërrua nga lufta dyvjeçare e Izraelit. Por qëllimi i tij është zgjeruar më pas për të trajtuar konflikte në mbarë botën, dhe drafti i statutit, i cili u dërgua së bashku me ftesat për anëtarësim, as që e përmend Gazën.
Kundërshtarët e SHBA-së, Rusia dhe Kina, si edhe shteti prej kohësh represiv Bjellorusia, janë mes vendeve të ftuara për t’iu bashkuar bordit, me oferta për vende të përhershme kundrejt një pagese prej 1 miliard dollarësh. Aleatë evropianë, shtete të pasura me naftë të Gjirit, ish-republika sovjetike dhe madje edhe Papa kanë marrë gjithashtu oferta për anëtarësim.
Lexo edhe: Davos sot: Gjeopolitika globale dhe inteligjenca artificiale dominojnë axhendën
Rreth 35 nga 50 vendet e ftuara pritet të marrin pjesë në një ceremoni nënshkrimi të enjten, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në resortin zviceran të Davosit, sipas një zyrtari të lartë të administratës.
Ja çfarë duhet të dini për bordin dhe për ata që po i bashkohen dhe ata që jo.
Çfarë është Bordi i Paqes?
Trump fillimisht e kishte hedhur idenë e Bordit të Paqes si pjesë e fazës së dytë të planit 20-pikësh të armëpushimit në Gaza, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, në shtator.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e mbështeti planin në nëntor, duke i dhënë atij legjitimitet ndërkombëtar, me një mandat që bordi të mbikëqyrë çmilitarizimin dhe rindërtimin e Gazës.
Por Trump kishte plane afatgjata. Drafti i statutit, të cilin e ka siguruar CNN, e përshkruan Bordin e Paqes si një “organizatë ndërkombëtare” që promovon stabilitetin, paqen dhe qeverisjen “në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”.
Sipas statutit, Trump do të shërbejë si kryetar i bordit pa afat, duke mbajtur potencialisht postin edhe përtej mandatit të tij të dytë si president.
“Bordi i Paqes” do të qëndrojë mbi një “Bord Ekzekutiv themelues”, i cili përfshin dhëndrin e Trump, Jared Kushner, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special Steve Witkoff dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
Kush e ka pranuar?
Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti, Katari, Bahrejni, Pakistani, Turqia, Hungaria, Maroku, Kosova, Argjentina dhe Paraguai e kanë pranuar ftesën e Trump. Po ashtu edhe shtetet e Azisë Qendrore Kazakistani dhe Uzbekistani, si dhe vendet e Azisë Juglindore Indonezia dhe Vietnami.
Edhe Benjamin Netanyahu i Izraelit është pjesë e bordit, megjithëse ka shprehur zemërim për përfshirjen e zyrtarëve turq dhe katarianë në bordin ekzekutiv për Gazën dhe përballet me një urdhër arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Armenia dhe Azerbajxhani, të cilat nënshkruan vitin e kaluar një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, në një pakt që do t’i jepte SHBA-së akses ekskluziv për zhvillim në një korridor kritik tranziti në rajon, kanë rënë gjithashtu dakord.
Edhe lideri bjellorus Alexander Lukashenko, shpesh i përshkruar si diktatori i fundit i Europës dhe aleat kyç i liderit rus Vladimir Putin, është regjistruar.
“Kam disa njerëz kontroversë në të,” i tha Trump CNN-it, duke iu referuar pretendimit të tij se Putin ka rënë dakord të bashkohet. Lideri rus ende nuk e ka konfirmuar vendimin, megjithëse ka hedhur idenë e përdorimit të aseteve ruse të ngrira në SHBA për të paguar tarifën prej 1 miliard dollarësh për një vend të përhershëm. Përfshirja e mundshme e Putinit ka ngritur alarmin se si një vend që po zhvillon aktivisht një luftë mund të jetë pjesë e një përpjekjeje për të siguruar paqen.
Mark Carney i Kanadasë, i cili ka kritikuar vazhdimisht Trumpin për shkatërrimin e “rendit global të bazuar në rregulla” dhe vendosjen e tarifave ndëshkuese, synon të bashkohet me kushte, duke thënë se detajet, përfshirë ato financiare, ende nuk janë përcaktuar.
Kush e ka refuzuar?
Disa vende nuk janë angazhuar ende, ndërsa të tjera i kanë refuzuar ftesat.
Franca dhe Norvegjia kanë refuzuar pjesërisht, duke përmendur pikëpyetje mbi mënyrën se si Bordi i Paqes do të funksiononte në bashkëpunim me OKB-në.
Kina konfirmoi se ishte ftuar, por nuk ka thënë nëse do të bashkohet. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha të mërkurën se Kina “do të mbetet e përkushtuar fort në mbrojtjen e sistemit ndërkombëtar me OKB-në në qendër”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ishte e vështirë të shihej “së bashku me Rusinë në ndonjë këshill” dhe se “problemi është se Rusia është armiku ynë dhe Bjellorusia është aleati i saj”.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se mund të ketë çështje kushtetuese me anëtarësimin dhe se ajo nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit. Ndërsa ministrja e Jashtme e Irlandës, Helen McEntee, tha se do ta shqyrtonte ftesën “me kujdes”.
Cilat janë shqetësimet?
Bordi i Paqes i Trump është përfshirë nga polemika.
Diplomatë, zyrtarë dhe liderë botërorë kanë shprehur shqetësime të mëdha mbi mandatin e zgjeruar të bordit, drejtimin pa afat të Trumpit dhe dëmin e mundshëm që mund t’i shkaktohet punës së OKB-së.
Shtetet anëtare do të shërbejnë për mandate trevjeçare, pas të cilave duhet të paguajnë 1 miliard dollarë për një vend të përhershëm. Fondet e mbledhura do të shkojnë për rindërtimin e Gazës, sipas një zyrtari amerikan, por kjo lëvizje është kritikuar si e ndjeshme ndaj korrupsionit.
Komentet e Trumpit se bordi “mund” të zëvendësojë OKB-në kanë shtuar shqetësimet se ai mund të shndërrohet në një mjet për të tejkaluar organizatën e krijuar 80 vite më parë për të ruajtur paqen globale. Statuti i bordit përmend “institucione që shumë shpesh kanë dështuar”, pa e përmendur me emër OKB-në, një organizatë që Trump e ka kritikuar vazhdimisht.
Zyrtari më i lartë humanitar i OKB-së dhe Koordinatori i Ndihmës Emergjente, Tom Fletcher, i tha CNN-it se Bordi i Paqes i Trumpit nuk do ta zëvendësojë organizatën e tij.
“Jam i qartë dhe edhe kolegët e mi janë të qartë se Kombet e Bashkuara nuk po shkojnë askund,” tha ai.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.