- Na tregoni pak për indicien. Çfarë e ndezi shkëndijën?
Unë jam ekonomist në profesion, nuk jam gastronom, por ama shoh shumë potencial në këtë sektor që mund të ndikojë pozitivisht në të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë. Shkëndija lindi kur përgjatë eksperiencave të mia profesionale, në vitin 2012, më qëlloi të jetoj 6 muaj në Berlin, dhe aty u njoha me një komunitet të madh shqiptarësh pronarë dhe menaxher baresh, restorantesh hotelesh. Ka mbi 20.000 bare dhe restorante me pronësi të Shqiptarëve kudo në botë, dhe nga këto 6000 janë në Gjermani dhe më konkretisht mbi 500 vetëm në Berlin. Pastaj gjithmonë duke udhëtuar nëpër Londër, Vjenë, Zurih, Romë etj, kudo vizitoja restorante të shqiptarëve, jo vetëm se janë pronar shqiptar, por sepse janë restorante shumë të mirë, edhe më mire se vendasit. Nëse ka një sektor të ekonomisë që shqiptarët e mirë dhe të ndershëm shkëlqejnë me punën e tyre dhe kontribuojnë më së shumti, ai është gastronomia. Prandaj, e kam parë gjithmonë me shumë interes të kapitalizojmë mbi këtë potencial të Diasporës sonë, për të bërë biznes,për të sjell investime të reja, për të brandur kulturën dhe gastronomisë tonë.
- Cila është misioni dhe vizioni kryesor i Festivalit GAG, dhe si e shihni atë duke u zhvilluar në vitet e ardhshme?
GAG Festival ka moton “Aty ku tradita bashkohet me tregtinë”. Pra, qëllimi ynë është i dy-anshëm: të promovojmë trashëgiminë dhe kulturën shqiptare duke festuar tradiat tona të pasura në një skenë globale, por në të njëjtën kohë të nxisim zhvillimin ekonomik shqiptar, duke ekspozuar produktet dhe shërbimet cilësore shqiptare në tregjet evropiane. Duke frymëzuar bashkëpunim dhe inovacion, vizioni ynë afatgjatë është të shohim një botë ku kultura dhe potenciali ekonomik i shqiptarëve njihen dhe vleresohen në skenën ndërkombëtare. Ne synojmë që GAG Festival të jetë një event i përvitshëm, kudo ku ka shqiptar që merren me gastronomi dhe ata të kthehen në blerës kryesor të produkteve dhe shërbimeve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Lexo edhe:Global Albanian Gastronomy Festival po vjen: Rezervo stendën tënde në panairin më të madh tregtar jashtë vendit!
- Pse zgjodhët Berlinin? Çfarë e bën atë qytetin ideal për këtë ngjarje?
Berlini është thjesht në zemër të Evropës. Berlini është shtëpi për më shumë se 500 bare dhe restorante me pronësi të Shqiptarëve. Berlini është lehtësisht i arritshëm për të gjithë gastronomët shqiptar nga Italia, Greqia, Zvicra, Austria, Anglia, Amerika dhe nga cdo qytet tjetër i Gjermanisë. Gjermani këtë vit i dha një shanc kombëtares Shqiptare dhe tani është rradha t’i japi një shanc kompanive shqiptare të bëjnë gola në tregun e saj. Këtë muaj në Berlin është dhe 10 vjetori i Procesi të Berlinit, fiks që kompanitë nga Ballkani Perëndimor të shkojnë të tregojnë gadishmërinë e tyre për t’u integruar në tregun evropian me cilësi dhe profesionalism.
Berlini është aty ku lindja dhe perendimi u bashkuan pas viteve ’90 dhe ne si shqiptar të rilindur pas ‘90tave do të bashkohemi të gjithë bashkë në Berlin më 2-3 Tetor.
- Cilat janë pikat kryesore të festivalit të këtij viti që ekspozuesit dhe vizitorët duhet të presin me padurim?
Ky quhet një festival pikërisht se do të ketë një tërësi të aktiviteteve përgjithë pjesëmarrësit dhe presim mbi 3000 të tillë, Përvec panairit tregtar që do të ekspozojnë mbi 120 kompani nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, eventi do të inagurohet nga krerët më të lartë të shteteve tona shqiptare, do të kemi 12 panele diskutimi mbi rolin e diasporës shqiptare, gastro-turizmit, gastro-diplomanice, mundësitë që kompanitë shqiptare të zgjerohen me “franchise” në tregun gjerman etj., do të kemi një program kulinar ku Shefa kuzhine të mirënjohur shqiptar nga e gjithë bota do të gatuajnë sipas specialiteteve dhe teknikave të tyra. Eventi do të kulmojë mbrëmjen e 3 Tetorit me një Darkë Gala ku do të ketë edhe një ceremoni të shpërndarjes së cmimeve: çmimi “Athanas” dhe çmimi “Duart e Nenës”, si mirenjohje për kontributin e atyre gastronomëve shqiptar në botë që me sukseset dhe dashamirësine e tyre kanë qënë Ambasadorët më të mirë të vendit, edhe në atë periudhë kur vërtet nuk kemi pasur ambasada.
Biletat janë në shitje tashmë në websitë të: www.gagfestival.com, prandaj jeni të gjithë të mirëse ardhur në Berlin në 2-3 tetor.
- Çfarë e dallon këtë panair nga eventet e ngjashme në Evropë?
GAG Festival do të jetë padyshim panairi më i madh tregtar shqiptar i organizuar ndonjëherë jashtë vendit. Sigurisht që kompanitë tona marrin pjesë në panaire ndërkombëtare apo ka organizime me kompanitë shqiptare brenda vendit, por është hera e parë që një skuadër tërësisht shqiptare nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut të organizojnë një panair të përmasave të tilla jashtë vendit dhe që ky të jetë një panair dedikuar plotësisht kompanive shqiptare – pra vëmendja të jetë e gjitha tek kompanitë shqiptare.
Kjo në fakt ka filluar të ngjallë shumë kuriozitet edhe tek gjermanët në Berlin. Sigurisht, që për një event të tillë ne jemi frymëzuar nga nga panaire të gastronomisë që organizojnë italinët, francezët, anglezët, por ne jemi një popull që mëson dhe që përshtatet shpej prandaj mendojmë që nuk do të jetë e largët koha që GAGF të kthehet vërtet ndër panairët më interesant në Evropë.
- Çfarë mundësish pritet të ofrojë për kompanitë pjesëmarrëse ky panair?
Ky panair do të jetë një mundësi shumë e mirë për gjithë kompanitë pjesëmarrëse për t’u vënë në kontakt me një komunitet të madh të gastronomëve shqiptar kudo në botë, pronar apo menaxher të bareve, restoranve, hotelve, club-eve, kompanive të distribucionit, marketeve etj, Në të njëjtën kohë edhe me gastronomë gjerman të këtij sektori. Këto kontakte do t’i hapin rrugën mundësive për të bërë biznes – qoftë nëpërmjet eksportit të produkteve dhe shërbimeve, qoftë nëpërmjet investimeve të përbashkëta në biznes apo “franchise” të brandeve shqiptare të gastronomisë në tregjet evropiane. Do të ketë mbi 120 kompani pjesëmarrëse që ofrojnë produkte dhe shërbime nga dizenjimi i restoranteve/bareve, tek mobilimi i tyre, pajisja me kuzhina, furnizimi me pije dhe ushqime – nga uji, verërat, lengjet, vajrat, bime medicinale etj, tek paketimet dhe uniformat, dhe deri tek digjitalizimi i shërbimeve me aplikacione, website dhe marketingu në mediat sociale. Pra do të jetë prezent i gjithë zinxhiri i vlerës në gastronomi.
- Diaspora shqiptare ndrit anë e mbanë botës. Dhe ky festival po e bën bashkë. Çfarë prisni të ndodhë në muajt në vazhdim për gastronominë dhe jehonën e Shqipërisë në spektrin ekonomik?
Impakti i një eventi të tillë është sa i menjëhershëm – numri i kontratave apo bashkëpunimeve biznesore që lidhen, aq është edhe afatgjatë.
Qëllimi ynë është të forcojmë brand-in, reputacionin e gastronomisë shqiptare dhe produkteve shqiptare “Made in Albania” apo “Made in Kosova”, që njerëzit, vetë shqiptarët si fillim dhe patjetër dhe evropianët dhe amerikanët, t’i perceptojnë ato si produkte me cilësi. Nga ana tjetër, sa më shumë njohin dhe pëlqejnë gastronominë shqiptare, aq më shumë impakt do të ketë gastro-turizmi në tërheqjene turistëve të huaj.
Së fundmi, ne synojmë të shohim sa më shumë restorante të reja që të hapen me kuzhinë shqiptare kudo në botë dhe ta brandojmë kombin tonë edhe në këtë drejtim.
- Presim surpriza? Na jepni një detaj ekskluziv për Business Magazine.
Një risi që do të prezatojmë gjatë panairit është App – Albanian Gastronomy Network – një aplikacion i dedikuar gjithë profesionistëve dhe bizneseve të gastronomisë shqiptare kudo në botë, për t’u lidhur mes tyre dhe për të bërë biznes. Kjo do të jetë një markë e patentuar që shumë shpejt urojmë do ta shihni në të gjithë restorantet shqiptare anë e mbanë globit dhe që do t’i shërbejë qëllimit madhor të brandimit të gastronomisë shqiptare.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.