Një çantë e zezë prej lëkure, me shenja të dukshme përdorimi, e gërvishtur, e njollosur dhe e konsumuar, u shit për plot 8.6 milionë euro (10 milionë dollarë amerikanë) me të gjitha tarifat e përfshira, duke u bërë çanta më e shtrenjtë që është shitur ndonjëherë në ankand. Çekiçi ra në 7 milionë euro (rreth 8.2 milionë dollarë), duke kurorëzuar një betejë të ethshme mes koleksionistësh.
Kjo nuk ishte një çantë dosido. Bëhet fjalë për çantën e parë të markës Hermès të krijuar ndonjëherë, dizenjuar enkas për aktoren dhe këngëtaren britanike Jane Birkin. Ikona frankofone e stilit e përdori çantën çdo ditë nga viti 1985 deri në 1994, shumë përpara se të bëhej simboli përfundimtar i luksit. Të enjten, çanta e rrallë u shit nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s në një ankand online të modës luksoze, ku u përfshinë gjithashtu krijime të dizajnerëve si Alexander McQueen dhe Christian Dior. Sotheby’s nuk dha një vlerësim paraprak për këtë çantë ikonike për CNN, por ofertat paraprake e kishin kapërcyer tashmë shifrën rekord prej 1 milion eurosh. Gjatë transmetimit live të ankandit, u dëgjuan psherëtima teksa ofertat vijonin të ngjiteshin. Gara 10-minutëshe përfundoi me fitoren e një koleksionisti privat nga Japonia, sipas një njoftimi zyrtar të Sotheby’s.
Morgane Halimi, drejtore globale për çantat dhe aksesorët në Sotheby’s, e quajti këtë shitje “një moment historik për modën dhe luksin.” Ajo theksoi se çanta përfaqëson “fuqinë e një legjende dhe aftësinë e saj për të ndezur pasionin dhe dëshirën e koleksionistëve për objekte të jashtëzakonshme me prejardhje unike.” Sipas saj, kjo shitje është një homazh për frymën dhe ndikimin e qëndrueshëm të muzës së saj, Jane Birkin. Çanta ikonike theu rekorde duke lënë pas edhe versionet më ekstravagante të Birkinit. Në vitin 2022, Sotheby’s shiti një “Diamond Himalaya Birkin” të zbukuruar me diamante të bardhë për mbi 450,000 dollarë, ndërsa në vitin 2021, Christie’s shiti një version nga lëkura krokodili për rreth 390,000 dollarë. Rekordi i mëparshëm mbahej nga një çantë Kelly prej lëkure krokodili e zbukuruar me diamant, e shitur për 513,040 dollarë. Çanta “Birkin Origjinale” ka ndërruar pronarë disa herë që nga viti 1994, kur Birkin e shiti për të mbështetur kërkimet për AIDS. Që atëherë, ajo është ekspozuar në institucione prestigjioze si Muzeu i Artit Modern në Nju Jork dhe Victoria & Albert Museum në Londër. Hera e fundit që u shfaq në ankand ishte 25 vite më parë nga shitësja, e identifikuar nga Sotheby’s si Catherine B, e cila tha: “Kjo shitje më bëri të rikujtoj betejën time për ta fituar çantën… dhe atë ndjesi të papërshkrueshme triumfi kur e fitova.”
Jane Birkin u nda nga jeta në vitin 2023, në moshën 76-vjeçare. Në një intervistë për Christiane Amanpour të CNN, ajo pati deklaruar me shaka se njerëzit ndoshta do ta kujtojnë më së shumti për çantën që mbante emrin e saj: “Kur të jem e vdekur… ndoshta do flasin vetëm për çantën,” pati thënë ajo.
Çanta që e nisi legjendën
Sipas Sotheby’s, çanta origjinale dallon nga versionet e mëvonshme për disa detaje unike: përmasat e saj, unazat metalike, pjesët e harduerit dhe rripi i shpatullës që nuk janë përsëritur më kurrë në modelet pasuese. Në pjesën e përparme qëndrojnë të gdhendura inicialet “J.B.” ndërsa nga rripi varet një kapëse e vogël metalike për thonjtë – një aksesore praktike që Birkin e mbante gjithmonë pranë, duke qenë se i pëlqente t’i kishte thonjtë gjithmonë të shkurtër dhe të rregullt. Gjithashtu, çanta mban akoma njolla nga dy stikera të organizatave humanitare Médecins du Monde dhe UNICEF. Ndryshe nga shumë blerës të Birkinit që e trajtojnë si një investim të pastër, një studim i vitit 2016 tregoi se çanta Birkin kishte një rritje më të madhe vlere sesa indeksi S&P500 apo ari — origjina e saj ishte krejtësisht praktike. Në vitin 1984, ish-kryetari i Hermès, Jean-Louis Dumas, ndodhej ulur pranë Jane Birkin gjatë një fluturimi nga Parisi në Londër. Nënë e tre fëmijëve, Birkin i kishte rrëfyer se nuk gjente dot një çantë të mjaftueshme për nevojat e saj, dhe mbante gjithmonë një shportë kallami — e cila aksidentalisht i ra mbi Dumas gjatë fluturimit, sipas Sotheby’s.
Ashtu lindi ideja e një prej çantave më të famshme dhe më të shtrenjta në botë , një simbol i përjetshëm i stilit, luksit dhe historisë së modës.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto