ByteDance ndërton robotin që palos rrobat dhe pastron tavolinën - Business Magazine Albania

ByteDance ndërton robotin që palos rrobat dhe pastron tavolinën

Kompania mëmë e TikTok, ByteDance, ka avancuar më tej zhvillimet e saj në fushën e inteligjencës artificiale (AI), duke krijuar një sistem robotik që mund të kryejë detyra të përditshme shtëpiake si palosja e rrobave dhe pastrimi i tavolinës. Sistemi përdor inteligjencë artificiale që i mundëson robotëve të ndjekin komanda të shprehura në gjuhë natyrore dhe të realizojnë detyra të përgjithshme. Kina, vendi ku është e bazuar ByteDance, po zhvillon këtë teknologji me ritme marramendëse, përmes platformave si DeepSeek dhe Manus.Sipas gjigantit të dizajnimit të çipeve, Nvidia, robotika është faza e ardhshme e zhvillimit të AI-së. Arsyeja? Për vite me radhë kompanitë teknologjike janë përpjekur të ndërtojnë robotë me qëllim të përgjithshëm, por programimi i tyre është një sfidë më vete. Me ndërhyrjen e AI-së, kjo sfidë po bëhet shumë më e lehtë për t’u kapërcyer.

Çfarë ka bërë konkretisht ByteDance?
Kompania ka ndërtuar një model të madh “shikim-gjuhë-veprim” (Vision-Language-Action, ose VLA) të quajtur GR-3, i cili i mundëson robotëve të kuptojnë dhe ndjekin komanda në gjuhë të natyrshme dhe të realizojnë detyra të përgjithshme. GR-3 mund të përfytyrohet si “truri” i robotit.

Në eksperimentin e saj, ByteDance përdori një robot të quajtur ByteMini. Pasi modeli GR-3 u instalua në të, roboti arriti të vendoste një këmishë në një varëse dhe më pas ta varte në raft. Në një video të shpërndarë nga kompania, shihet gjithashtu roboti duke marrë objekte të ndryshme shtëpiake dhe duke i vendosur në vendet e caktuara. Ai ishte në gjendje të dallonte përmasa të ndryshme, duke ndjekur me sukses urdhrin për të marrë “pjatën më të madhe”.

Lexo edhe: ChatGPT nuk është terapisti yt i sigurt, Sam Altman ngre alarmin

Roboti përfundoi gjithashtu edhe detyra si pastrimi i tavolinës së ngrënies. Departamenti Seed i ByteDance, i cili udhëheq kërkimin në fushën e inteligjencës artificiale dhe zhvillimin e modeleve të mëdha gjuhësore (LLM), deklaroi se modeli GR-3 është trajnuar me të dhëna nga imazhe dhe tekste, dhe më pas është përsosur me të dhëna që burojnë nga ndërveprimet e njerëzve në realitet virtual. Për më tepër, roboti është mësuar edhe duke kopjuar lëvizjet e robotëve realë. Krijimi i këtij sistemi të ri vjen në një moment kur ByteDance po përqendron gjithnjë e më shumë vëmendjen në zhvillimin e inteligjencës artificiale, që prej themelimit të departamentit Seed në vitin 2023.

Tensionet politike vazhdojnë
Ndërkohë, kjo arritje teknologjike ndodh në një kohë kur TikTok po përballet me një tjetër kërcënim për ndalim në Shtetet e Bashkuara, përveç nëse kompania pranon të shesë asetet e saj amerikane.

Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, përsëriti këtë qëndrim të enjten, duke deklaruar: “Kina mund të mbajë një pjesë të vogël, ose ByteDance, pronari aktual, mund të mbajë një pjesë të vogël. Por në thelb, amerikanët do të kenë kontrollin. Amerikanët do të zotërojnë teknologjinë, dhe amerikanët do të kontrollojnë algoritmin.”

Ai shtoi për CNBC se nëse kjo nuk ndodh, “TikTok do të fiket dhe këto vendime po afrojnë shumë shpejt.”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0