Në botën e sotme ku të gjithë postojnë, komentojnë dhe bëjnë reels, shpesh ngatërrohet ideja e brandit personal me të qenit figurë publike. “E njohin të gjithë” nuk do të thotë që dikush ka një brand personal të mirëfilltë. Po ashtu, fakti që dikush ka një brand personal nuk e bën domosdoshmërisht një figurë publike. Një figurë publike është thjesht dikush që ka shumë sy (dhe ndonjëherë edhe gojë) të drejtuara nga ai. Ndërsa brandi personal është diçka më e strukturuar – një identitet profesional i ndërtuar me vetëdije, një mesazh i qartë dhe një mënyrë e qëndrueshme komunikimi që të bën të njohur për diçka specifike.
Për ta thënë më thjesht: një figurë publike mund të jetë si një shtëpi me dritat ndezur – duket nga larg, por ndoshta brenda ka rrëmujë. Ndërsa një brand personal është një shtëpi me një arkitekturë të menduar, ku çdo gjë është vendosur me qëllim dhe dritat ndriçojnë pikërisht atë që duhet.
Çfarë e bën brandin personal të ndryshëm?
Një brand personal i fortë është rezultat i një strategjie të menduar mirë dhe veprimeve të qëndrueshme. Ai nuk është thjesht një perceptim spontan që krijohet nga të tjerët, por një identitet që ndërtohet me qëllim përmes mesazheve të qarta dhe komunikimit efektiv. Një brand personal i mirëfilltë duhet të përmbushë disa kritere thelbësore:
- Narrativë e qartë: Individët me brand të fortë personal kanë një histori të strukturuar për atë që përfaqësojnë, çfarë vlerash mbrojnë dhe çfarë i bën të dallohen.
- Prani e qëndrueshme publike: Nuk mjafton të jesh i njohur në një rreth të ngushtë; brandi personal kërkon angazhim aktiv përmes rrjeteve sociale, artikujve, konferencave apo trajnimeve.
- Ndikim i matshëm: Një brand personal i suksesshëm sjell përfitime konkrete – qofshin këto rritje të të ardhurave, mundësi të reja profesionale apo rritje të besimit të audiencës.
Një ekspert financash mund të ketë një reputacion të mirë në rrethin e tij profesional, por nëse ai nuk ka krijuar një narrativë të qartë dhe nuk është i pranishëm në mënyrë aktive në hapësirën publike, ai nuk ka një brand personal – ai thjesht ka një emër të respektuar. Nga ana tjetër, një sipërmarrës që investon në ndërtimin e një mesazhi unik dhe një imazhi të fuqishëm, duke e ndarë me audiencën në mënyrë të qëndrueshme, e kthen veten në një markë të veçantë.
Figura Publike vs. Brand Personal
Të qenit figurë publike mund të ndodhë për shumë arsye – një politikan, një artist apo një influencer mund të fitojë famë për shkak të ekspozimit të madh. Megjithatë, kjo nuk do të thotë automatikisht që ata kanë një brand personal të qëndrueshëm. Një figurë publike mund të jetë e famshme për një periudhë të caktuar, por nëse nuk ka një identitet të mirëpërcaktuar dhe një strategji komunikimi, famën e saj mund ta rrezikojë kalimi i kohës apo ndryshimet në treg. Nga ana tjetër, brandi personal është një investim afatgjatë. Nuk mjafton të jesh thjesht i njohur – duhet të krijosh një imazh që mbijeton edhe përtej valëve të mediave dhe trendeve të momentit. Shumë nga figurat më të suksesshme në botën e biznesit dhe komunikimit nuk janë thjesht të njohura – ato kanë ndërtuar një brand personal të fuqishëm që i mban të rëndësishëm pavarësisht ndryshimeve të tregut.
Pse është kaq i rëndësishëm brandi personal?
Në një treg gjithnjë e më konkurrues, brandi personal është një aset jetik. Ai ndihmon individët të diferencohen, të ndërtojnë besueshmëri dhe të krijojnë një impakt të qëndrueshëm. Nëse ndërtimi i brandit personal bëhet në mënyrë të duhur, ai mund të ndikojë jo vetëm në suksesin profesional, por edhe në mënyrën se si një individ vlerësohet dhe perceptohet në shoqëri. Për ta përmbyllur, jo çdokush ka një brand personal, sepse ai nuk është diçka që ndodh spontanisht. Kërkon kohë, përkushtim dhe një strategji të menduar mirë. Të qenit figurë publike mund të ndodhë si rezultat i ekspozimit të madh, por të kesh një brand personal është një zgjedhje dhe një investim afatgjatë që sjell përfitime të qëndrueshme.
Ku hyn Jori Vila këtu?
Për ata që nuk e njohin (akoma) Jori Vila është eksperte e komunikimit dhe brandimit personal, përveçse Drejtuese dhe Themeluese e Oz Marketing. Ajo ndihmon profesionistët që janë të shkëlqyer në punën e tyre, por nuk dinë si ta tregojnë këtë në mënyrë të strukturuar – ose thënë ndryshe, ata kanë gjithë përmbajtjen, por jo paketimin e duhur. Në vend që dikush të mbetet “ai/ajo që di shumë gjëra” vetëm për ata që e njohin nga afër, Jori i ndihmon të bëhen emra që njerëzit i lidhin menjëherë me ekspertizën e tyre. Dhe jo, nuk është thjesht çështje postimesh në Instagram, por një proces i ndërtimit të një identiteti profesional që sjell mundësi, ndikim dhe, po, edhe më shumë të ardhura.
Pra, nëse dikush po e lexon këtë dhe po mendon:
“Po unë jam i njohur, ç’më duhen këto?”
…ndoshta është thjesht me dritat ndezur, por me rrëmujë brenda!
Dhe nëse dikush po mendon:
“Po unë s’jam i njohur fare, ç’më duhen këto?”
…atëherë pikërisht për këtë i duhen! Brandi personal nuk është vetëm për ata që kanë audiencë të gjerë, por edhe për ata që duan ta krijojnë atë – pa pritur të bëhen të famshëm rastësisht si videoja e një maceje që rrëzon filxhanin e kafesë!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.