Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, duke kërkuar dekretimin sa më të shpejtë të Ligjit Nr. 85/2025 “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”, të miratuar nga Kuvendi më 12 dhjetor 2025.
Në reagimin e saj, NAREA shpreh shqetësim për vonesën e paarsyeshme të dekretimit, e cila sipas shoqatës po pengon botimin e ligjit në Fletoren Zyrtare, hyrjen në fuqi nga 1 janari 2026 dhe përgatitjen e akteve nënligjore të nevojshme për zbatimin e tij.
“NAREA bën thirrje që të dekretohet sa më parë të Ligjit Nr. 85/2025 datë 12.12.2025 “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”, për të përshpejtuar botimin në fletoren zyrtare dhe për pasojë hyrjen në fuqi si dhe emetimin e Akteve Nënligjore. Njëkohësisht, NAREA kërkon angazhimin sa më parë dhe bashkëpunimin e të gjithë Institucioneve, duke filluar nga Qendra e Botimeve Zyrtare, Ministria e Financave dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës në nxjerrjen sa më parë të Akteve Nënligjore dhe Udhëzimit të Përbashkët për zbatimin e Ligjit Nr. 85/2025 datë 12.12.2025 “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”, thuhet në kërkesën e NAREA.
Shoqata thekson se ligji përbën një zhvillim të shumëpritur për tregun e pasurive të paluajtshme dhe qytetarët, duke prekur drejtpërdrejt rreth 500 mijë familje shqiptare që synojnë rivlerësimin e pasurisë së tyre sipas vlerës së tregut. Po ashtu, sipas NAREA-s, ligji pritet të ndikojë pozitivisht edhe për dhjetëra mijëra familje të tjera, duke krijuar alternativa më të përballueshme strehimi nëpërmjet rritjes së ofertës në treg.
NAREA nënvizon se ka qenë e angazhuar për më shumë se 12 muaj në procesin e hartimit dhe diskutimit të ligjit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, Komisionin e Ekonomisë dhe Financave dhe ligjvënësit, duke e konsideruar miratimin e tij si rezultat të një pune të gjatë dhe të koordinuar.
Lexo edhe: Rritje e brishtë/ Sektoret tradicionale bien, shërbimet mbajnë në këmbë ekonominë
Megjithëse shoqata ka shprehur rezerva për disa elementë të ligjit, përfshirë normën e tatimit 5% për banesat dhe zbatueshmërinë e amortizimit 1% për çdo vit vjetërsie, ajo vlerëson se shtyrja e mëtejshme e dekretimit do të kishte pasoja edhe më negative, duke rritur pasigurinë dhe stresin në tregun imobiliar, i cili prej më shumë se 18 muajsh përballet me presione inflacioniste.
Ligji “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme” u jep individëve dhe bizneseve të drejtën të rivlerësojnë pronat e tyre me vlerën e tregut nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2026, përmes ekspertëve të licencuar ose Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Tatimi për rivlerësimin do të jetë 5% mbi diferencën mes vlerës së mëparshme të pronës dhe vlerës së re të përcaktuar nga rivlerësimi.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto