Nga Eni Muça – Ajo nuk ka ndërtuar thjesht një karrierë në Google. Blerina Dhima Sanocki ka ndërtuar ura mes kontinenteve, kulturave dhe gjeneratave. E lindur në Sarandë, e rritur në Shqipërinë e viteve të tranzicionit, ajo u gjend në zemër të Silicon Valley duke udhëhequr marrëveshjet më të mëdha të teknologjisë në një nga kompanitë më të fuqishme në botë. Sot, pas 14 vitesh në Google, ajo ka kthyer vëmendjen nga tavolinat e korporatës drejt atyre që sapo nisin rrugën: themeluesit e rinj, startup-et me ide të mëdha dhe një brez që kërkon të bëjë ndryshimin.
Në këtë intervistë për Business Magazine Albania, Blerina rrëfen sesi rrënjët shqiptare, guximi për të menduar ndryshe dhe përvoja në një prej qendrave më të mëdha të inovacionit në botë, janë bërë forca që e udhëheqin në çdo vendim, nga lidershipi në Google, te roli i saj sot si mentore dhe investitore që beson në fuqinë e perspektivës unike shqiptare.
Cilat kanë qenë ndikimet kryesore nga fëmijëria juaj në Shqipëri që kanë formuar pasionin tuaj për teknologjinë dhe inovacionin?
Fëmijëria ime në Shqipërinë e tranzicionit më dha themelet për pasionin ndaj teknologjisë dhe inovacionit. Prindërit e mi, Dolores Alipirgu Dhima dhe Mihal Dhima, mësues të anglishtes dhe guida turistike përmes programit AlbTourist, na ofruan një dritare të rrallë drejt botës perëndimore gjatë viteve të fundit të diktaturës. Përmes tyre, unë, motra dhe vëllai im u ekspozuam herët ndaj një realiteti përtej kufizimeve ideologjike. Të rritur në një familje intelektuale, u rrethuam me libra, ide dhe diskutime që nxisnin mendimin kritik dhe kureshtjen. Që herët kuptova fuqinë e komunikimit për të ndërtuar ura mes njerëzve, çka më bëri të besoj në rolin e teknologjisë si lidhës global. Interneti i lirë, për mua, është barazuesi më i madh i kohës moderne; ai demokratizoi dijen dhe krijoi hapësirë për inovacion në shkallë që dikur dukej e pamundur. Duke u rritur në një demokraci të re, e ndjeva fort vlerën e aksesit të lirë në informacion. Ndryshimet që pësuan shoqëria dhe sistemi ynë ishin të thella dhe frymëzuese. Si fëmija më i vogël, pata fatin të mësoj nga motra dhe vëllai im, që ishin modele të përkushtimit dhe vizionit. Të tre bashkë pamë Shqipërinë të përshtatej dhe të transformohej me guxim. Kjo më mësoi se progresi është i mundur dhe se vizioni, kur shoqërohet me mjete të duhura, mund të sjellë ndryshim. Pikërisht ky besim më udhëheq ende sot në çdo hap që ndërmarr në teknologji dhe përtej saj.
Si ka ndikuar emigrimi në formimin e vizionit tuaj profesional dhe personal?
Emigrimi në moshën 18-vjeçare pati ndikim të thellë në zhvillimin tim profesional dhe personal. Të nisja jetën në SHBA, në zemër të Silicon Valley, më mësoi qëndrueshmëri, përshtatshmëri dhe si të mendoja globalisht. Studimet në Menlo College, Oksford dhe Golden Gate University më dhanë një bazë të fortë dhe më tërhoqën natyrshëm drejt komuniteteve ndërkombëtare, aty ku ndihesha më shumë vetja. Rruga ime drejt suksesit kaloi përmes Plug and Play Tech Center, startup-eve dhe agjencive dinamike, derisa u bashkova me Google në 2011, për të ndërtuar produkte në shkallë globale. Aty ndihmova të krijohen zgjidhje për klientë të mëdhenj dhe ndërveprova me ekipe nga e gjithë bota, duke parë teknologjinë në veprim si katalizator për lidhje dhe ndryshim. Një nga frymëzimet e mia më të hershme ishte motra ime, Jonika Hoomes, shqiptarja e parë në Google që më hapi rrugën dhe horizontin. Emigrimi më mësoi vlerën e rrënjëve, por edhe bukurinë e një mendjeje të hapur ndaj botës. Aftësia për të komunikuar në pesë gjuhë më ka ndihmuar të krijoj ura përtej kufijve kulturorë dhe gjuhësorë. Kam bashkëpunuar me njerëz nga sfonde dhe aftësi të ndryshme përfshirë në shtëpinë time. Si nënë e dy vajzave me profile njohëse të ndryshme, njëra neurotipike dhe tjetra neurodivergente, kam kuptuar se nuk ka një rrugë të vetme drejt suksesit. Emigrimi më përgatiti të jem udhëheqëse me mendje globale dhe nënë me ndjeshmëri të thellë. Mbi të gjitha, më mësoi se diversiteti nuk është pengesë, por burim force, empatie dhe inovacioni.

Na tregoni për rrugëtimin tuaj drejt Google: cilat ishin sfidat dhe momentet kyçe që ju çuan atje?
Rruga ime drejt Google ishte e qëllimshme, por jo lineare. Pasi fitova përvojë në marketing digjital dhe startup-e në Silicon Valley, u bashkova me Google në 2011 si Ekzekutive Globale. Prej ditës së parë, u sfidova nga klientë brilantë dhe mësova të shtroj pyetje që sfidonin status quo-në. Kjo qasje më shoqëroi për 14 vite, nga negociata me vlerë miliarda dollarëshe, te krijimi i marrëveshjeve më të mëdha të marketingut në historinë e kompanisë. Vlera ime më e madhe ishte aftësia për të përkthyer inovacionin kompleks në zgjidhje të qarta për klientët. Ajo që mësova nga dështimet, pilotimet dhe suksesi në shkallë globale është se lidershipi i vërtetë nuk vjen nga brilanca individuale, por nga ndërtimi i sistemeve që u japin të tjerëve hapësirë për të shkëlqyer, një parim që udhëheq edhe sot filozofinë time si investitore.
Cilat janë disa nga mësimet më të rëndësishme që keni marrë gjatë kohës suaj në Google?
Gjatë kohës sime në Google, mësova se besimi është baza e çdo marrëdhënieje dhe vendimi të guximshëm. Inovacioni lind aty ku takohen produkte, tregje dhe perspektiva të ndryshme, dhe suksesi i qëndrueshëm vjen nga strukturat që fuqizojnë të tjerët të shkëlqejnë, jo nga shkëlqimi individual. Kureshtja intelektuale ishte avantazhi im më i madh, të sfidoja status quo-në dhe të pyesja “a egziston ndonjë mënyrë tjetër?” në anglisht “is there another way to do this”? Dhe më në fund, kuptova se vlera ime qëndronte jo vetëm në ekspertizë, por në aftësinë për të përkthyer kompleksitetin në zgjidhje të qarta për klientët. Sot, këto mësime janë themeli i punës sime si investitore dhe mentore për startup-e.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.