BKT dhe Union Bank do të emetojnë obligacione private - Business Magazine Albania

BKT dhe Union Bank do të emetojnë obligacione private

Bankat tregtare po përgatiten për emetime të reja të obligacioneve me ofertë private.

Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) pritet të miratojë në mbledhjen e kësaj jave vendimet për regjistrimin e aktofertave të Bankës Kombëtare Tregtare (BKT) dhe Union Bank, për emetimin e obligacioneve korporative.

Në rastin e BKT, bëhet fjalë për emetimin e parë të këtyre instrumenteve. Siç ishte paralajmëruar nga “Monitor” në muajin korrik, BKT po përgatitet të sigurojë një borxh të varur në vlerën e 40 milionë eurove, nëpërmjet emetimit të obligacioneve me ofertë private.

Bankat më të mëdha të sektorit këtë vit do të përballen me një rritje të mëtejshme të kërkesave për kapital. Deri në fund të vitit 2023, këto banka duhet të përmbushin një shtesë prej 1.5% në raportin e përgjithshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit. Aktualisht, ky detyrim ka hyrë në fuqi për katër bankat me rëndësi sistemike, Banka Kombëtare Tregtare, Banka Credins, Banka Raiffeisen Shqipëri, Banka OTP Albania, si edhe për Bankën Intesa Sanpaolo Albania.

Ato janë subjekt i plotësimit të kërkesës minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara (MREL), sipas rregullores së miratruar nga Banka e Shqipërisë në dhjetor 2020. Kjo rregullore lidhet me kuadrin e ri që ka sjellë ligji “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka”. Deri në vitin 2027, raporti i kërkuar i mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat më të mëdha mund të arrijë deri në 27%, nga 12% që ishte kërkesa minimale deri në vitin 2019.

Ndërsa Union Bank po e aplikon prej disa vitesh emetimin e obligacioneve korporative. Emetimi i radhës do të ketë maturitet 7 vjeçar dhe një kupon prej 4.85%, për një shumë totale prej 3.5 milionë eurosh.

Rregullorja “Për mjaftueshmërinë e kapitalit” i njeh instrumentet e borxhit të varur si pjesë të kapitalit rregullator të bankave, deri në një të tretën e vlerës totale të kapitalit rregullator.

Në vitet e fundit, bankat janë përballur me një rritje graduale të kërkesa për kapital, me hyrjen në fuqi të shtesave makroprudenciale të kapitalit dhe të kuadrit rregullator plotësues, i lidhur me skemën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme. Përveç kërkesës bazë prej 12%, të parashikuar në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”, që nga viti 2019 kanë nisur të aplikohen edhe shtesat makrprudenciale të kapitalit. Shtesa konservuese e kapitalit për të gjitha bankat e sektorit për vitin 2022 ishte 1.5%, ndërsa deri në fund të vitit 2023 duhet përmbushur niveli i rritur prej 2%. Ndërkohë, për katër bankat me rëndësi sistemike, aplikohet edhe shtesa e posaçme, në vlerat 0.5%, 1% dhe 1.5%, në varësi të notës së rëndësisë sistemike të bankës.

Duke marrë në konsideratë shtesat e mësipërme, si dhe shtesën specifike që kanë disa banka të sektorit, kufiri i raportit të kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit varion ndërmjet 16% dhe 19% për bankat me rëndësi sistemike, dhe 14% dhe 17% për bankat e tjera. Bankat kanë detyrimin të plotësojnë, sipas radhës, kërkesat minimale për kapitalin rregullator, kërkesën minimale për MREL dhe në fund shtesat makroprudenciale të kapitalit.

Lexo: Çfarë e bën një person të suksesshëm?

Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar në mesin e këtij viti arriti në 19%, nga 18.9% që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut dhe është parametri më i rëndësishëm rregullator për sektorin bankar dhe treguesi kryesor i aftësisë së bankave për t’iu rezistuar humbjeve të mundshme në të ardhmen.

Nga ana tjetër, rritja e konsiderueshme e kërkesave për kapital në vitet e fundit mund ta bëjë sfiduese përmbushjen e plotë të kërkesave rregullatore për banka të veçanta. Për të përmbushur këto kërkesa bankat po përdorin gjithnjë e më shumë instrumentin e borxhit të varur, kryesisht nëpërmjet emetimit të obligacioneve me ofertë private. Këto instrumente lejojnë plotësimin e një pjese të nevojave shtesë për kapital pa kërkuar injektimin e kapitaleve të reja nga aksionerët ose pa bllokuar plotësisht mundësinë për të shpërndarë dividendë prej fitimeve të aktivitetit.

Vlera e obligacioneve të shoqërive tregtare arriti një rekord të ri në fund të vitit 2022. Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), portofoli i këtyre instrumenteve, i llogaritur si vlera e emetuar dhe ende e pashlyer, arriti në 14.1 miliardë lekë ose pothuajse 123 milionë euro. Vetëm për vitin e kaluar, vlera e portofolit të obligacioneve është rritur me 4 miliardë lekë ose 40.6%.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0