Biznesi të bën më të mirë. Emilian Koka, djali që biznesin e ka punë dhe pasion

Biznesi të bën më të mirë. Emilian Koka, djali që biznesin e ka punë dhe pasion


Nëse sot po flasim për ide ndryshe, për të rritur shanset për sukses, Emilian Koka e ka pasur këtë vite më parë. Para 7 vitesh ai vendos të hapë një lokal në Durrës, por objektivi kryesor nuk ishte kafja apo koktjelet. Idea ishte të ftohej rinia e Durrësit dhe çdo javë do të kishte një tematikë të veçantë, në muzikë, apo grupim i të rinjve e miqve për të sigurar donacione në shërbim të fëmijëve me aftësi ndryshe.

Shpirti sipërmarrës i tij, vetëm sa kishte filluar të rritej. Më vonë ai merr objekte të paluajtshme jashtë funksionit, të cilat i kthen në ambiente funksionale gjithnjë në biznese shërbimi. “Me kohën ngrita një strukturë pune për të bërë një kontroll më të gjerë të tregut,” thotë ai.

Studim tregu, eksperimentim, matje e pulsit të tregut, janë në gjak të Emilianit. Ai është pikërisht djali që ndjek trajnime të rëndësishme, pikërisht për të këmbyer idetë dhe që trajnon stafin e tij vazhdimisht. Në 4 biznese të tij aktualisht ai numëron rreth 30 të punësuar me kohë të plotë dhe shumë bashkëpunëtorë.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 57 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.

Baret, lokalet dhe segmente të ndryshme tregtie janë nën shënjestrën e tij. Por, Emilian nuk do vetëm të fitojë. Për rreth një vit, ai hapi një biznes miqësor me natyën, siç është dhënia e biçikletave me qera. Eco Volis shumë e njohur në Tiranë, u shtri falë tij edhe në Durrës për rreth një vit. Por, shkalla e dëmtimit shumë më e lartë e biçikletave në Durrës, bëri që Emilian të tërhiqet. “Diçka e nisur nga një sakrificë të nxit të bësh sakrifica të tjera,” thotë ai. Emilian ka pasur gjithmonë përkrahjen e familjes. I vetëm nuk do t’ia kishte dalë. Me trajnimin e stafit dhe monitorimin për mbarëvajtjen në segmente të ndryshme, merret vëllai Armandi.

788 është bari i tij në Durrës, i cili për shkak të pozicionit, por edhe spektaklit, është kthyer në destiancionin më të preferuar të të rinjve dhe turistëve që vizitojnë Durrësin. Një bar që ofron muzikë me DJ, këngëtarë dhe herë pas here dhe shfaqje teatrale, drama, komedi. Nga tarraca e tij shihet qendra e qytetit bregdetar, por edhe amfiteatri. “Doja të ndërtoja një lokal për qytetin,” thotë Emilian, kur e pyet për çfarë po e bën.

Sot ai ka në Durrës 4 njësi shërbimi, të cilat i menaxhon në bashkëpunim me familjarët e tij. Vëllai Nini menaxhon dy kafeteritë, të quajtura ‘Bonsai’, ndërsa motra administron pikën e shitjes për lëngjet e frutave ‘’Bio Bar’’. Por nëse nismat ecin para me strategjinë sipërmarrëse të Emilianit, mamaja është burimi i energjisë dhe pika e heshtur e referimit për tre djemtë dhe motrën e tyre.

Emilian ndërpreu studimet për 4 vite

Djali që sot ka mbaruar studimet ekonomike në Administrim Biznes, po ndjek një master në Administrim Publik. Ai pranon se fusha e administrim biznesit ishte pasioni i tij i mëparshëm, ndërsa thekson se pas përfundimit të shkollës së mesme, ndërpreu studimet për 4 vjet. “Gjatë kësaj kohe punova, eksperimentova.” Ai është shpirti i eksperimentit në biznes dhe as nuk ka ndërmend të ndalet. Këtu futet adrenalina e nismave të reja dhe shija e hidhur e dështimit, të dyja të provuara me miq të tij. “Shpesh kemi ngritur projekte pilot me shokët,” thotë 31 vjeçari. “Një nga projektet që na kushtoi 7 muaj kohë, ishte ai i tregtisë së hidrokarbureve. Punuam të siguronim një rrjet shpërndarje të gazit, por kur idenë ua propozuam tregtarëve të karburantit, ata vendosën ta bënin vetë”.

Në ditën që zhvilluam intervistën me të, tek 788 po bëhej një set fotografik. Por, ëndrrat e Emilianit dalin jashtë kufijve, gjithnjë në tregti e në sektor shërbimesh.

“Udhëto me 788”

Në rrjetet sociale të tij dhe të biznesit mund të gjeni foto të personave të ndryshëm me pankartën në dorë “udhëto me 788”.

Kur e pyesim për këtë formë marketingu, ai thotë se lindi natyrshëm, pasi të gjithë klientët njihen me njëri-tjetrin dhe shumë prej tyre udhëtojnë shpesh jashtë. Flamuri i parë është ngritur në Valencia, ndërsa së fundi, një mik i tij profesor, pritet të sjellë flamurin e firmosur nga Korea e Veriut. Vendet e shenjuara janë Filipine, New York, Jeruzalem etj. “Të bësh biznes, të ndihmon të bëhesh më i mirë, më i përgjegjshëm,” thotë ai. “Edhe për një projekt që mund të kem lënë pezull, e mbaj mendjen gjithmonë aty.’’

Ai nuk numëron bizneset që ka nisur e mund të mos kenë ecur. Por tregon se së fundi është bërë aksioner për tregtimin e importit të një uji dhe kjo është nisma e tij e fundit…për momentin.

/Artikulli u publikua më parë në faqen 57 të numrit 17 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 17 të saj.

 

 

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0