Bie përdorimi i ChatGPT për herë të parë që prej vitit 2022 - Business Magazine Albania

Bie përdorimi i ChatGPT për herë të parë që prej vitit 2022

~4 minuta lexim

Për herë të parë që prej lançimit të tij gati tre vite më parë, ChatGPT po përdoret më pak nga kompanitë, të cilat po i drejtohen gjithnjë e më shumë konkurrentëve si Microsoft dhe Google.

Një analizë e re zbulon se bizneset sot janë më pak të prira ta përdorin ChatGPT-në, krahasuar me gjashtë muaj më parë, duke shënuar kështu rënien e parë të përdorimit të këtij chatbot-i që nga nëntori i vitit 2022.

Raporti i publikuar nga kompania amerikane e softuerëve Netskope tregon se 78 për qind e organizatave kanë përdorur së fundmi chatbot-in e inteligjencës artificiale (AI) të OpenAI, një rënie nga 80 për qind që ishte në shkurt 2025. ChatGPT ishte platforma e vetme e AI që pa rënie në këtë periudhë.

Për të arritur në këto të dhëna, Netskope analizoi sjelljen e përdoruesve në një bazë të dhënash të brendshme dhe anonime, duke ndjekur përdorimin e 317 aplikacioneve dhe chatbot-ëve të AI ndër 3,500 klientët e saj.

Konkurrenca në rritje nga Microsoft dhe Google
Sipas Netskope, organizatat po i japin përparësi chatbot-ëve konkurrues si Gemini i Google dhe Microsoft Copilot, kryesisht sepse këto platforma janë tashmë të integruara me mjetet që ato përdorin çdo ditë, si Microsoft Office 365 apo GitHub.

Megjithatë, ChatGPT mbetet ende më i përdorur se të dy konkurrentët e tij kryesorë, me 55 për qind të kompanive që përdorin Gemini dhe 37 për qind që përdorin Copilot.

Raporti vëren gjithashtu se 90 për qind e bizneseve po u kërkojnë punonjësve të përdorin drejtpërdrejt mjete të tilla si ChatGPT, Gemini ose Copilot gjatë vitit 2025.

Ndër platformat e tjera të AI që po gjejnë përdorim në botën e biznesit janë: Claude nga Anthropic, Perplexity AI, Grammarly për korrigjim drejtshkrimor, dhe Gamma AI, e cila përdoret për prezantime PowerPoint.

Lexo edhe: Si të kuptoni nëse një këngë është krijuar nga AI?

Rreziqe të fshehura pas rritjes së përdorimit
Pavarësisht përhapjes së gjerë të përdorimit, raporti tërheq vëmendjen se kompanitë duhet të jenë të vetëdijshme për rreziqet që vijnë nga përdorimi i platformave të AI, me në qendër mbrojtjen e të dhënave.

Rreziku më i madh është ekspozimi i të dhënave konfidenciale ose pronës intelektuale, në momentin që përdoruesit ngarkojnë dokumente apo shkruajnë pyetje të ndjeshme në chatbot.

Kompani që përdorin AI gjenerues në ambientet e punës zakonisht i drejtohen chatbot-ëve për të përmbledhur apo gjeneruar tekste të reja mbi bazën e dokumenteve, databazave apo kodeve burimore, të gjitha këto, sipas raportit, përmbajnë shpesh të dhëna të ndjeshme.

Një bum në të dhënat që i dërgohen AI-së
Sipas raportit të Netskope, numri i pyetjeve apo komandave që chatbot-ët marrin është rritur 30-fish gjatë vitit 2025.

Në mesatare, kompanitë i dërgojnë chatbot-ëve rreth 7.7 gigabyte të dhëna çdo muaj, krahasuar me vetëm 250 megabyte në muaj gjatë vitit 2024.

Kjo prirje pritet të vazhdojë edhe në gjysmën e dytë të vitit.

“Rritja e shpejtë e sasisë së të dhënave që u dërgohen aplikacioneve të AI gjeneruese rrit ndjeshëm rrezikun për sigurinë e të dhënave,” thuhet në raport, duke theksuar se kjo përfshin më shumë mundësi për shpërndarje, ekspozim apo trajtim të gabuar të informacionit të ndjeshëm nga këto platforma.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0