BERZH: Kosova ndër vendet më të goditura nga tarifat amerikane - Business Magazine Albania

BERZH: Kosova ndër vendet më të goditura nga tarifat amerikane

Një vendim i ri i SHBA për vendosjen e një tarife 10% mbi importet ka krijuar valë tronditëse në ekonomitë në zhvillim, përfshirë edhe Kosovën.

Sipas raportit të publikuar ditën e djeshme nga BERZH Kosova bën pjesë në grupin e vendeve që janë prekur më fort nga kjo masë e re tregtare në hapësirën ku operon banka.

Me hyrjen në fuqi të tarifës 10% më 24 shkurt, eksportuesit kosovarë përballen me kosto më të larta dhe me një garë më sfiduese në tregun amerikan. Raporti thekson se rritja e tarifave për Kosovën llogaritet mes +3.7 dhe +4.8 pikë përqindjeje, duke e pozicionuar vendin në të njëjtën kategori me Armeninë, Egjiptin, Kenian dhe Ukrainën, shtete që kanë pësuar rritjet më të mëdha.

Në total, 29 vende në rajonet e BERZH tashmë përballen me norma më të larta tarifore, ndërsa mesatarja e tarifave amerikane për këto ekonomi është rritur me rreth 0.3 pikë në përqindjeje.

Ndërkohë, disa vende si Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Moldavia dhe Tunizia rezultojnë relativisht më pak të prekura, pasi ndryshimet tarifore për to kanë qenë minimale ose pothuajse të papërfillshme.

Shqipëria me ndikim më të kufizuar

Shqipëria konsiderohet më pak e goditur nga paketa e re. Sipas të dhënave të BERZH tarifat mesatare për Shqipërinë janë rritur me 2 pikë përqindjeje, nga 9% në 11%, por vendi vijon të mbetet ndër ekonomitë me nivelin më të ulët të tarifave në rajon.

Në përgjithësi, raporti nënvizon se tarifat mesatare amerikane për vendet ku operon banka janë rritur nga 14.6% në 15%, duke shtuar presionin mbi eksportuesit, përfshirë ata nga Kosova.

Lexo edhe: 4 vjet luftë, sa po i kushton agresioni rus në Ukrainë ekonomisë europiane

Vendimet ligjore dhe manovrat e administratës Trump

Pak para hyrjes në fuqi të masës,Gjykata Supreme e SHBA-së rrëzoi një pjesë të madhe të tarifave globale të vendosura nga presidenti Donald Trump, me përjashtim të atyre që lidhen me industrinë e çelikut, aluminit, drurit dhe automobilave. Gjykata argumentoi se ligji për fuqitë emergjente ekonomike nuk i jep presidentit autoritet të pakufizuar për vendosje tarifash të tilla.

Megjithatë, vetëm disa orë pas vendimit, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për rivendosjen e tarifës 10%, këtë herë duke u mbështetur në nenin 122 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974, i cili i lejon presidentit të aplikojë tarifa për një periudhë 150-ditore pa miratimin e Kongresit. Ai ka paralajmëruar edhe mundësinë e rritjes së normës në 15%, por ende nuk ka një vendim zyrtar për këtë.

Eksportet e Kosovës drejt SHBA-së në rritje

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se eksportet drejt SHBA-së kanë shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit. Nga rreth 3 milionë euro në vitin 2019, ato arritën në mbi 131 milionë euro në vitin 2022.

Produktet e Kosovës që hyjnë në tregun amerikan përfshijnë artikuj ushqimorë, pije dhe lëngje, tekstile, dyshekë, si dhe produkte prej druri dhe plastike. Rritja e tarifave rrezikon të ndikojë drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e këtyre mallrave.

Në këtë klimë të re tregtare, Kosova përballet me sfidën për të ruajtur praninë e saj në tregun amerikan.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0