Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim po mbështet bizneset mikro që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorin e turizmit për të pasur akses në shërbime konsulence, me synimin ofrimin e asistencës tek një numër me i lartë përfituesish që operojnë në këtë sektor prioritar të ekonomisë.
Qasja standarde që BERZH ofron për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri nëpërmjet Këshilla për Bizneset e Vogla përqendrohet në ofrimin e një aksesi më të madh në shërbime konsulencë dhe ekspertizë të specializuar për bizneset, të ofruar nga konsulentë vendas dhe ekspertë ndërkombëtarë. Projektet e konsulencës konceptohen për të adresuar objektiva specifike të bizneseve, në përputhje me prioritetet strategjike të BERZH-it, duke i ndihmuar ato që të rriten, të zgjerojnë aktivitetin, të kenë qasje më të madhe në financim dhe të jenë më konkurruese, jo vetëm në tregjet rajonale, por dhe në ato ndërkombëtare. Projektet e konsulencës, të mbështetura nga Programi Këshilla për Bizneset e Vogla i BERZH-it, variojnë nga projekte strategjike për hartimin e planeve të biznesit, studimeve të fizibilitetit, strategjive të zhvillimit, deri te sistemet e personalizuara të TIK-ut, ku përfshihen CRM (sistem për menaxhimin e marrdhënieve me klientët), ERP (sistem për menaxhimin e operacioneve në kompani), MIS (sistem për menaxhimin e informacionit), dhe përmirësimi i menaxhimit financiar, organizimit, zgjidhjeve inxhinierike, marketingut, efikasitetit të energjisë dhe menaxhimit mjedisor, etj. Falë Bashkimit Evropian, donator i Programit të Turizmit në Shqipëri, ne mbulojmë deri në 80% të kostos neto (pa përfshirë taksat) të projekteve të konsulencës nëpërmjet granteve.
Që prej fillimit të programit të turizmit, Këshilla për Bizneset e Vogla i BERZH-it, financuar nga Bashkimi Evropian, ka mbështetur 34 kompani që operojnë në sektorin e turizmit për zbatimin e projekteve këshillimore të përshtatura sipas nevojave të tyre specifike. Ndërkohë, rreth 550 përfaqësues biznesesh, konsulentë dhe institucione të tjera të lidhura me sektorin e turizmit, kanë marrë njohuri dhe kanë përmirësuar kapacitetet e tyre nëpërmjet programeve tona të trajnimit, workshop-eve dhe seminareve.
Në fund të vitit 2020, në kuadër të Programit të Turizmit për Mbështetjen e Zhvillimit Ekonomik Vendor, i financuar nga BE-ja, ekipi i Këshilla për Bizneset e Vogla i BERZH-it dizenjoi dy projekte të ndryshme duke u bazuar në një koncept të ri mbështetjeje për bizneset mikro në turizëm. BERZH angazhoi një kompani konsulence për të ofruar shërbime një grupi biznesesh mikro (koncepti një për shumë – “one-to-many”) .
Projektet u hartuan për të adresuar dy aspekte kryesore, të cilat në kontekstin e krizës së Covid-19, kërkuan ndërhyrje të menjëhershme: përmirësimi i marketingut digjital dhe menaxhimit financiar. Përfituesit në dy projektet janë dy grupe me nga dhjetë kompani mikro në turizëm, të përzgjedhura bashkërisht me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Kompanitë operojnë në katër qarqet e mbuluara nga programi i turizmit: Shkodër, Fier, Berat dhe Korçë. Pas tërmetit të muajit nëntor 2019, në program u përfshi dhe Durrësi.
Koncepti i ri i asistimit të disa kompanive nga një konsulent(one-to-many) bazohet në nevojën e njëjtë për shërbime konsulence të këtyre bizneseve, me qëllim ofrimin e mbështetjes në mënyrë më efektive dhe duke ndihmuar një numër më të madh biznesesh. Asistenca e ofruar në këto projekte përfshin krijimin dhe zhvillimin e instrumenteve konkretë për marketingun digjital dhe planifikimin financiar, e kombinuar kjo me organizimin e seancave online për rritjen e kapaciteteve të menaxherëve të kompanive mikro”.
Bizneset e sektorit të turizmit, përballen me sfida të përbashkëta, duke u karakterizuar nga aktivitete me një sezonalitet të theksuar dhe duke patur si qëllim zgjerimin dhe shtrirjen në kohë të sezonit aktiv të operacioneve të tyre. Ndërkohë që, bizneset e sektorit përgatiteshin për një sezon shumë premtues dhe në rritje në 2020, kriza e paprecedentë e Covid-19, solli efekte negative dhe shumë pasiguri për të ardhmen e të gjithë sektorit. Gjatë 2020, bizneset shqiptare në turizëm rishikuan të gjitha planifikimet e bëra, duke u përpjekur për t’u përshtatur me situatën e re. Bizneset ndryshuan fokusin duke targetuar turistë/vizitorë vendas dhe nga rajoni. Kjo gjë ndikoi në aktivitetet e tyre promocionale dhe mënyrën e të bërit marketing për të rritur prezencën e tyre online dhe të qenit me afër tregut lokal dhe rajonal.
Matteo Colangeli, Drejtor Rajonal për Ballkanin Perëndimor, BERZH: “Për BERZH-in në Shqipëri, rikuperimi i sektorit të turizmit përbën një prioritet kyç. Ne dëshirojmë t’i mbështesim bizneset që të jenë më konkurruese, më të gjelbra dhe përfshirëse. Në arritjen e këtyre objektivave, zhvillimi i njohurive dhe aftësive do të jetë thelbësor. Ne mirëpresim bashkëpunimin e ngushtë me palët e interesit të sektorit dhe BE-në në vitet e ardhshme, për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion kryesues të turizmit të qëndrueshëm.”
Mario Mariani, Drejtor i Bashkëpunimit i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri:“Nëpërmjet këtij projekti, në bashkëpunim me BERZH-in, BE-ja do të investojë 40 milionë euro me qëllim promovimin e zhvillimit të turizmit, si nxitës për rivitalizimin dhe zhvillimin ekonomik në Shqipëri. Turizmi ka një potencial të konsiderueshëm për të përmirësuar cilësinë e jetës së vizitorëve dhe komuniteteve vendase, por nëse nuk planifikohet siç duhet apo zhvillohet në mënyrë të tepruar, turizmi mund të shkaktojë ndikim negativ në zhvillimin e balancuar dhe të qëndrueshëm. Kjo është sfida jonë: të zhvillojmë projektin si partneritet dhe si një mundësi për të ndihmuar institucionet, politikë-bërësit, komunitetet dhe bizneset vendase të punojnë së bashku për sektorin e turizmit të së nesërmes të Shqipërisë. Një industri e turizmit që nuk shkatërron, por ndërton për të ardhmen.”
Ne zhvilluam një intervistë me Ardiola Hristic, Menaxhere e Këshilla për Bizneset e Vogla, BERZH.
Ardiola Hristic, Menaxhere e Këshilla për Bizneset e Vogla, BERZH prezanton qasjen e re të mbështetjes së bizneseve mikro në sektorin e turizmit në kuadër të implementimit të programit të turizmit, financuar nga Bashkimi Evropian. Gjithashtu, ajo jep detaje mbi prioritetet strategjike të Këshilla për Bizneset e Vogla, BERZH në Shqipëri dhe mënyrën se si mund të përfitojnë nga asistenca e programit.
Cilat janë objektivat tuaja nga të dy këto projekte? Cilat janë rezultatet e pritshme?
Objektivat kryesore të projektit për marketingun digjital janë pajisja e bizneseve mikro pjesëmarrëse në projekt me instrumentë specifikë dhe praktikë për t’i përdorur për një prezantim më profesional dhe rritje të prezencës online, me synimin për të rritur shitjet dhe numrin e klientëve. Ndërkohë, projekti për përmirësimin e menaxhimit financiar synon pajisjen e bizneseve mikro me njohuri dhe instrumentë se si të bëjnë një planifikim financiar efektiv në mënyrë që të jenë në gjendje të përballojnë nevojat për burime financiare në këto kohë pasigurie. Kjo, e shoqëruar me seanca online trajnimi se si të përdorin këto instrumenta, përbën një kombinim shumë efikas për t’i vënë në zbatim njohuritë në praktikë. Objektivi final është që bizneset pjesëmarrëse të rrisin numrin e klientëve, të rritet vizibiliteti, jo vetëm i bizneseve përfituese, por edhe zonave turistike ku ato operojnë si dhe produkteve “Made in Albania”. Gjithashtu, bizneset të arrijnë të krijojnë një kuptim më të mirë të situatës së tyre financiare dhe të planifikojnë për vitin në vijim, i cili do t’i ndihmojnë në një monitorim periodik të të ardhurave dhe shpenzimeve të biznesit.
A do të organizoni aktivitete të ngjashme në të ardhmen? Nëse po, në cilin sektor?Këto dy projekte janë zhvilluar online, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19. Ekipi i Këshilla për Bizneset e Vogla të BERZH, do të vlerësojë rezultatet e të dyja ndërhyrjeve dhe do të konsiderojë mundësi të tjera për zbatimin e projekteve “një konsulent për shumë shoqëri (one-to-many)” në të ardhmen. Synimi i ofrimit të mbështetjes në nivel grupi do të vijojnë të jenë bizneset mikro që operojnë në sektorët prioritarë për BERZH-in, si turizmi dhe agrobiznesi. Vëmendje të veçantë do të vazhdojmë t’u kushtojmë bizneseve të drejtuara nga gratë dhe sipërmarrësit e rinj, për projektet konsulence, të cilat lidhen me transformimin digjital të shoqërive dhe zbatimin e strategjive “të gjelbra” (green).
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.