BE vendos kursin për reduktimin e CO2 me 90% deri në vitin 2040 - Business Magazine Albania

BE vendos kursin për reduktimin e CO2 me 90% deri në vitin 2040

Deputetët e Parlamentit Europian në Komisionin e Mjedisit kanë miratuar të hënën rishikimin e ligjit klimatik të BE-së, që synon të reduktojë me 90% emetimet e gazeve serrë deri në vitin 2040, krahasuar me nivelet e vitit 1990.

Vendimi përputhet me tekstin e dakordësuar nga shtetet anëtare të BE-së më 5 nëntor, pas negociatave të gjata politike që siguruan fleksibilitete për shtetet e bllokut, në mënyrë që të arrijnë objektivin pa rrezikuar konkurrueshmërinë industriale.

Rezultati i votimit, me 55 pro dhe 32 kundër, hap rrugën për miratimin përfundimtar të ligjit në seancën plenare të së enjtes në Strasburg, pas disa muajsh vonesash dhe mospajtimesh brenda institucioneve të BE-së.

Ligji përcakton që reduktimi 90% i emetimeve të jetë objektiv për vitin 2040, ndërsa lejon përdorimin e deri në 5% të kredive të karbonit për të kompensuar sektorët me performancë të ulët. Një tjetër 5% mund të rishikohet në rast se BE-së i duhet të kompensojë mungesën e mekanizmave natyrorë të absorbimit të karbonit, si p.sh. pyllëzimi jashtë bllokut.

Deputeti spanjoll Javi Lopez (S&D), që udhëheq çështjen në Parlament, e quajti votimin një “sinjal të qartë” për angazhimin e BE-së ndaj udhëheqjes në politikat klimatike. Ai theksoi se synimi është të ruhet balanca mes ambicies dhe drejtësisë sociale, duke siguruar që asnjë grup i shoqërisë të mos mbetet pas në tranzicionin e gjelbër.

Lexo edhe: Përfaqësuesja e BE-së: Shqipërisë i duhet më shumë investim në kërkim dhe zhvillim

Një nga pikat kryesore të marrëveshjes lidhet me përdorimin e kredive ndërkombëtare të karbonit, të cilat duhet të jenë “me cilësi të lartë” dhe “me integritet të lartë”. Parlamenti kërkon që blerja dhe përdorimi i tyre të rregullohet rreptësisht, për të garantuar që ato sjellin realisht ulje të emetimeve në vendet jashtë BE-së dhe të shmangin llogaritjen e dyfishtë.

Në tekstin e miratuar kërkohet që marrëveshjet për kreditë e karbonit të bazohen në mbrojtje të forta institucionale, transparencë, monitorim dhe verifikim të pavarur.

Tiemo Wölken (Gjermani/S&D) pranoi se rezultati nuk ishte aq ambicioz sa kishin kërkuar socialistët, por theksoi se “marrëveshja është më e mirë se asnjë marrëveshje”. Ai shtoi se Parlamenti ka treguar “përgjegjshmëri dhe unitet përballë skepticizmit klimatik dhe populizmit”.

Megjithatë, eurodeputetja austriake Lena Schilling (Greens/EFA) kritikoi përdorimin e kredive ndërkombëtare, duke e cilësuar si “një boshllëk që dobëson ambicien klimatike të BE-së”. Sipas saj, nëse këto kredi nuk japin rezultate të verifikueshme, ato rrezikojnë të dështojnë në arritjen e objektivave dhe t’u kushtojnë miliarda taksapaguesve pa reduktuar realisht emetimet.

Marrëveshja është negociuar nga Partia Popullore Europiane (EPP), Socialistët dhe Demokratët (S&D) dhe Renew Europe, me mbështetjen e grupit të të Gjelbërve (Greens/EFA). Këto forca politike përbëjnë shumicën në Parlament dhe kanë hapur rrugën për miratimin e ligjit në seancën plenare të kësaj jave në Strasburg.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0