“Bankers” mposht qeverinë - Business Magazine Albania

“Bankers” mposht qeverinë


Lajm i keq për buxhetin.

Audituesi ndërkombëtar i pajtuar për të zgjidhur konfliktin e taksave mes qeverisë shqiptare dhe “Bankers Petroleum” i ka dhënë të drejtë kompanisë kanadeze. Ky vendim detyron qeverinë t’i kthejë mbrapsht kompanisë së naftës 57 milionë $ taksa, nga të cilat 37 milionë janë arkëtuar sakaq në buxhet.

Konflikti mes palëve kulmoi vitin e kaluar, kur tatimet bllokuan llogaritë bankare të “Bankers Petroleum”, por zanafilla e tij është viti 2011. Një raport i Agjencisë së Burimeve Natyrore gjeti se në 2011-n “Bankers” kishte raportuar mbi 300 milionë $ shpenzime të pajustifikuara, duke shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin.

Pas llogaritjeve, administrata tatimore deklaroi se përmes këtij veprimi kompania kishte shmangur 57 milionë $ taksa. Si rezultat, tatimet bllokuan llogaritë e kompanisë, e cila kërcënoi me arbitrazh. Pas debateve, u ra dakord në një zgjidhje.

“Bankers” pranoi të paguante detyrimin me këste për 12 muaj, por në të njëtën kohë palët ranë dakord që të pajtonin një auditues, i cili do të shqyrtonte konfliktin. Sipas marrëveshjes, vendimi i audituesit do të ishte përfundimtar. Këtë të hënë paneli auditues i përbërë nga “Price Water House Coopers” dhe “Navigant” bëri publik raportin, ku i japin të drejtë “Bankers” dhe rrëzojnë qeverinë.

“Vendimi është një zgjidhje përfundimtare dhe si i tillë autoritetet në Shqipëri do të përcaktojnë mekanizmin e duhur për të rimbursuar “Bankers” për pagesat e bëra deri më tani”, thotë vendimi.

Vendimi i audituesve detyron qeverinë shqiptare t’i kthejë mbrapsht kompanisë kanadeze 37 milionë $ që ajo ka paguar deri më tani dhe të heqë dorë nga pretendimi për të arkëtuar 20 milionë të tjera. Dhe kjo është një shumë, e cila do të shkaktonte jo pak probleme për buxhetin, pasi është gati dy herë më e madhe se ulja e të ardhurave që qeveria miratoi në korrik.

Burimi: top-channel.tv 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0