Zyrtarët e Bankës Qendrore Evropiane po përforcojnë thirrjet për një rregullim më të rreptë të kriptomonedhave, duke e krahasuar industrinë si një skenar i filmave të “Perëndimit të Egër” për pagesat.
Një përhapje e pakontrolluar e kriptove dhe monedhave të qëndrueshme (stablecoin) rrezikon kthimin në periudhat kur njerëzit tregtonin me kartëmonedha të emetuara privatisht të mbështetura nga aktive të dyshimta, tha anëtari i Këshillit Drejtues Francez, Francois Villeroy de Galhau, duke e quajtur situatën “një përgjigje e keqe për një sfidë të vërtetë”.
“Tregu i parregulluar i kriptomonedhave do të nënkuptonte regres dhe kthim në fragmentim privat”, tha ai për Financial Times. “Kjo është gjëja e fundit që na nevojitet në botë tani.”
Komentet pasojnë një nga vlerësimet më të ashpra të BQE-së për botën e kriptove, dhënë një ditë më parë nga kolegu i Villeroy, Fabio Panetta. Anëtari i Bordit Ekzekutiv tha se kripto-asetet “po krijojnë një Perëndim të ri të egër” dhe e krahasoi dinamikën e tij me tregun e hipotekave që shkaktoi krizën financiare globale të vitit 2008.
Ndërsa pajtohej me krahasimin, Villeroy gjithashtu tërhoqi paralele me Mesjetën e Evropës.
“Ne kishim asete dhe monedha shumë të ndryshme në atë kohë me zona të kufizuara gjeografike,” tha ai. “Kjo nuk është mënyra se si unë e shoh procesin e sistemit global të pagesave.”
Rreth njëqind banka qendrore janë në faza të ndryshme të eksplorimit të përgjigjeve të tyre për risitë e kriptove, pasi u alarmuan nga popullariteti i aseteve dixhitale si Bitcoin që kërkojnë të anashkalojnë sistemet e centralizuara të pagesave.
BQE ka treguar se mund të nisë projektin për një euro dixhitale nga mesi i kësaj dekade, duke lejuar potencialisht konsumatorët të përdorin paranë elektronike që është një detyrim i drejtpërdrejtë i bankës qendrore, në vend të huadhënësve komercialë ose ofruesve të tjerë të shërbimeve të pagesave.
Villeroy tha se bankat qendrore duhet të rinovojnë veten dhe të kontribuojnë në rregullimin e kriptove. Panetta miratoi një qasje të ngjashme të hënën.
“Rritja e tregjeve të kripto-aseteve zbulon kërkesën në rritje të shoqërisë për asete dixhitale dhe pagesa të menjëhershme,” tha ai. Megjithatë, “tani është koha për të siguruar që kripto-asetet të përdoren vetëm brenda kufijve të qartë, të rregulluar dhe për qëllime që i shtojnë vlerë shoqërisë.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto