Banka e Shqipërisë rrit normat e interesit. Kreditë dhe kursi i këmbimit pritet të pësojnë luhatje - Business Magazine Albania

Banka e Shqipërisë rrit normat e interesit. Kreditë dhe kursi i këmbimit pritet të pësojnë luhatje

Guvernatori Sejko

Lufta në Ukrainë dhe rritja e fortë e çmimeve, kanë prodhuar një realitet të ri ekonomik për vendin tonë. Inflacioni ka arritur në nivelin më të lartë në 11 vite dhe Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë normat e interesit. 

Goditja aktuale e ofertës dhe fortësia e kërkesës agregate, rrezikojnë të cenojnë objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm. Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi: rritjen me 0.5 pikë përqindje të normës bazë së interesit, nga niveli 0.5% në nivelin 1.0%; mbajtjen e normës së interesit të depozitës njëditore, në nivelin aktual prej 0.1%; rritjen e normës së interesit të kredisë njëditore, nga niveli 0.9% në nivelin 1.9%.

Këshilli Mbikëqyrës vëren se – edhe pas kësaj lëvizjeje – qëndrimi i politikës monetare vijon të jetë stimulues për rritjen e ekonomisë, të punësimit dhe të pagave. Në realitetin e ri, ky qëndrim ofron një balancë më të mirë midis rrezikut të përshpejtimit të inflacionit dhe rrezikut të dëmtimit të rimëkëmbjes ekonomike.” – u shpreh guvernatori Sejko.

Lexo edhe: Banka Qendrore e Amerikës pritet të rrisë normat e interesit

Rritja e këtyre normave prek të gjithë indikatorët ekonomikë në vend. Kreditë hipotekore, konsumatore dhe ato për investime në lekë do të bëhen më të shtrenjta. Ata që kanë para të mbyllura në depozita gjithashtu do të marrin kthime më të larta, ndërsa sa i përket ndikimit tek buxheti, interesat e borxhit të jashtëm pritet të shtrenjtohen gjithashtu. Banka synon që leku të mos zhvlerësohet përballë monedhave kryesore.

Guvernatori u shpreh se sipas parashikimeve çmimet do stabilizohen fundin e vitit të ardhshëm:

“Të dhënat që vijnë nga tregjet e huaja sinjalizojnë se çmimet në tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023. Këto çmime të larta do të gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve dhe do të shoqërohen me ngadalësim të ritmit të rritjes në rang botëror. Sipas skenarit bazë të parashikimeve, inflacioni do të luhatet rreth nivelit 5-6% për pjesën e mbetur të vitit 2022. Më tej, me qetësimin e pritur të tregjeve ndërkombëtare, inflacioni pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij.” – u shpreh guvernatori.

Sejko theksoi se pavarësisht inflacionit të lartë në parashikimet e Bankës rritja ekonomike do të vazhdojë, por jo në nivelet që ishte parashikuar përpara fillimit të luftës.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0