Banka Botërore: Qytetet kryesore të Ballkanit Perëndimor duhet të sfidojnë ndryshimet klimatike. Temperaturat deri 7.5 gradë më të larta se në zonat rurale - Business Magazine Albania

Banka Botërore: Qytetet kryesore të Ballkanit Perëndimor duhet të sfidojnë ndryshimet klimatike. Temperaturat deri 7.5 gradë më të larta se në zonat rurale

Rritja e lehtë në vlerat e parashikuara të rritjes ekonomike në periudhë afatmesme reflekton një optimizëm të kujdesshëm pasi Ballkani Perëndimor ka përballuar një sërë goditjesh gjatë viteve të fundit. Megjithatë, rreziqet në perspektivë vijojnë të anojnë nga kahu negativ. Vazhdimi i rritjes së dobët në ekonominë botërore, veçanërisht në Eurozonë, do të përkthehej në nivele më të ulëta të investimeve dhe tregtisë me vendet e rajonit. Përveç kësaj, vlerat e parashikuara të rritjes ndikohen negativisht edhe nga faktorë të brendshëm, si shtimi i tensioneve gjeopolitike, emigracioni, pasiguria zgjedhore dhe inflacioni i vazhdueshëm.

“Pas disa viteve të trazuara si rezultat i pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike, është mbresëlënëse të shohësh se si rritja ekonomike e Ballkanit Perëndimor po arrin nivelet e parapandemisë, ndërsa varfëria vijon të ulet”, tha Xiaoqing Yu, Drejtoreshë e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Megjithatë, progresi aktual nuk mjafton për të përmbushur aspiratat e qytetarëve dhe për të përmirësuar standardet e jetesës drejt atyre të Bashkimit Evropian. Plani i ri i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor paraqet një mundësi të mirë për të nxitur zhvillimin ekonomik përmes reformave dhe investimeve, veçanërisht për ekonominë e gjelbër”.

Plani prej gjashtë miliardë eurosh do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve ekonomike midis rajonit dhe Bashkimit Evropian, partnerin e tij më të madh tregtar, dhe në zbatimin e reformave për rritjen e integrimit ekonomik brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor. Sipas Bankës Botërore, përmirësime të tilla si reduktimi i kohës së zhdoganimit dhe modernizimi i sistemeve të pagesave në vendet e rajonit mund të çojë në përfitime të ndjeshme ekonomike për këto vende.

Investimi në tranzicionin e gjelbër dhe përmirësimi i nivelit të jetueshmërisë së qyteteve në Ballkanin Perëndimor mund të ndihmojë gjithashtu në rigjallërimin e rritjes rajonale, sipas raportit të Bankës Botërore.

“Qytetet janë vendi ku zhvillimi ekonomik ndodh realisht. Ato i afrojnë punëtorët me vendet e punës, duke nxitur produktivitetin, rritur mundësitë dhe duke lehtësuar shkëmbimin e mallrave dhe ideve”, tha Natasha Rovo, Ekonomiste e Lartë e Bankës Botërore dhe një nga autoret kryesore të raportit. “Qytetet në Ballkanin Perëndimor kanë shfaqur qëndrueshmëri në vitet e fundit. Megjithatë, ato e kanë patur të vështirë të shndërrohen në motorë të rritjes ekonomike, jo vetëm për shkak të efekteve të sfidave strukturore dhe demografike, por edhe për shkak të cënueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike. Investimet në ekonominë e gjelbër mund të jenë një mundësi e mirë për t’i dhënë shtysë rritjes në të ardhmen”.

Raporti rekomandon ndërmarrjen e veprimeve në tri fronte kryesore me qëllim gjelbërimin dhe forcimin e qyteteve në Ballkanin Perëndimor.

Së pari, krijimi i qyteteve sa më kompakte do të ndikonte pozitivisht në rritje, do të ulte kostot në ofrimin e shërbimeve publike dhe do të përmirësonte situatën mjedisore. Së dyti, reformat dhe investimet që synojnë zgjerimin e sistemeve të transportit publik dhe kalimin në ndërtesa më të gjelbra, dhe me efiçencë energjitike do të pakësonte ajrin e ndotur, i cili është shkaktar i mijëra vdekjeve të parakohshme çdo vit në rajon. Së treti, nxehtësia ekstreme në qytete, me temperatura që në stinën e verës shkojnë 4,5- 7,5°C më të larta se në zonat rurale rreth tyre, do të ndikojë negativisht në produktivitet dhe shëndetin e njeriut. Bashkitë duhet të miratojnë masa për freskimin e hapësirave fizike përmes projektimit dhe planifikimit më të mirë urban dhe investimeve të posaçme.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0