Vepra provokuese e artit e Maurizio Cattelan, një banane e ngjitur me shirit ngjitës në mur, është shitur për 6.2 milionë dollarë (4.9 milionë paund) në ankand në Sotheby’s në New York, një shumë katërfish më e lartë se vlerësimet para shitjes.
Shtëpia e ankandit njoftoi se Justin Sun, një sipërmarrës kinez në fushën e kriptomonedhave, tejkaloi gjashtë rivalë të tjerë për të fituar instalacionin “Komedianti” të artistit italian të artit vizual, të mërkurën.
“Ditët në vijim, do ta konsumoj personalisht bananen si pjesë e kësaj eksperience unike artistike,” është cituar të ketë thënë zoti Sun.
Banania e ngjitur me shirit – tashmë ndoshta një nga frutat më të shtrenjtë të shitur ndonjëherë – u ble fillimisht gjatë ditës për vetëm 0.35 dollarë, sipas New York Times. “Komedianti” u zbulua për herë të parë për publikun në vitin 2019, duke u kthyer menjëherë në një sensacion viral dhe duke nxitur debate të ashpra mbi atë që quhet art. Instalacioni – i cili ka udhëtuar nëpër botë – përfshin udhëzime për zëvendësimin e bananes sa herë që ajo prishet.
Lexo edhe:Çmimet e vajit të ullirit janë në rrugën e përgjysmimit, thotë prodhuesi më i madh në botë!
Në fakt, ky frut është konsumuar dy herë deri tani. Në vitin 2023, një student i artit nga Koreja e Jugut e mori bananen nga muri kur instalacioni u ekspozua në Muzeun e Artit Leeum në Seul. Më pas, muzeu vendosi një banane të re në të njëjtin vend, raportuan mediat lokale. Katër vite më parë, një artist performues e hoqi bananen nga muri pasi vepra ishte shitur për 120,000 dollarë në Art Basel, në Miami. Bananja u zëvendësua menjëherë dhe nuk u ndërmor asnjë veprim tjetër.
Justin Sun drejton rrjetin blockchain Tron, i cili mundëson disa transaksione me kriptomonedha. Vitin e kaluar, Komisioni Amerikan për Letrat me Vlerë dhe Shkëmbime (SEC) e akuzoi atë për mashtrim, duke thënë se ai kishte rritur në mënyrë të rreme vëllimet tregtare të TRX, tokenit të kriptomonedhës së Tron-it. Zoti Sun i mohon këto akuza.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.