Ballkani Perëndimor hap dyert për studentët, njohje të diplomave brenda 30 ditësh - Business Magazine Albania

Ballkani Perëndimor hap dyert për studentët, njohje të diplomave brenda 30 ditësh

Panairi Virtual

Ka hyrë në fuqi vendimi që mundëson studimet e përbashkëta në rajon. Vendimi nr. 314, datë 4 qershor 2025 i Këshillit të Ministrave, miraton marrëveshjen për qasjen në arsimin e lartë dhe pranimin për të studiuar në Ballkanin Perëndimor, të nënshkruar në Berlin më 14 tetor 2024.

Kjo marrëveshje e re rajonale hap një epokë të re për mobilitetin akademik dhe bashkëpunimin universitar në rajon. Marrëveshja parashikon që studentët nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnje-Hercegovina të mund të aplikojnë dhe të studiojnë në institucionet publike të arsimit të lartë të njëritjetrit në të njëjtat kushte si qytetarët e vendit pritës.

“Palët bien dakord t’u japin aplikantëve nga palët e tjera qasje dhe pranim në institucionet publike përkatëse të arsimit të lartë me kritere të njëjta apo të barasvlershme qasjeje dhe pranimi si për aplikantët nga pala pritëse”, thuhet në vendim.

Lexo edhe: Ngadalësohen prurjet e emigrantëve, faktorët që kanë ndikuar

Marrëveshja mbulon të gjitha nivelet e arsimit të lartë dhe nuk cenon marrëveshje të tjera ekzistuese që janë më përfituese për studentët. Palët angazhohen të mos aplikojnë asnjë lloj diskriminimi në bazë të origjinës, përkatësisë etnike apo ndonjë karakteristike tjetër, gjatë procesit të pranimit. Gjithashtu, marrëveshja garanton njohjen e diplomave dhe kualifikimeve të arsimit të mesëm brenda një afati maksimal prej 30 ditësh nga aplikimi. Nëse ky afat nuk respektohet, studentët mund të regjistrohen përkohësisht me një vërtetim nga autoriteti përkatës që procesi i njohjes është në vijim.

“Në rastet kur procedura e njohjes nuk mbyllet brenda 30 ditëve, studenti mund të aplikojë për t’u regjistruar në IAL-në, me një konfirmim nga autoriteti kompetent se procesi i njohjes së kualifikimit të arsimit të mesëm vijon ende”, përcaktohet në vendim.

Palët do të përfshihen në një Komision të Përbashkët që do të hartojë listën e institucioneve të përfshira dhe do të mbikëqyrë zbatimin e marrëveshjes. Përveç kësaj, secila palë duhet të sigurojë informacion të plotë mbi programet e studimit dhe kriteret përkatëse të pranimit.Ky vendim pritet të rrisë cilësinë e arsimit në rajon, të nxisë zhvillimin e programeve të përbashkëta dhe të forcojë lidhjet mes të rinjve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai është pjesë e angazhimeve në kuadër të Procesit të Berlinit dhe një hap konkret drejt integrimit në Tregun e Vetëm të BE-së. Marrëveshja do të hyjë në fuqi për secilën palë 30 ditë pas depozitimit të njoftimit zyrtar të ratifikimit.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut është përcaktuar si pala depozituese, e ngarkuar për të njoftuar zyrtarisht palët për ecurinë e marrëveshjes dhe të gjitha aktet përkatëse që rrjedhin prej saj.

Panorama

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0