Autoriteti i Konkurrencës autorizon shitjen e Sigal Uniqa Group Austria - Business Magazine Albania

Autoriteti i Konkurrencës autorizon shitjen e Sigal Uniqa Group Austria

Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar shitjen e kompanisë më të madhe të sigurimeve në vend, Sigal Uniqa Group Austria. Sipas marrëveshjes së arritur në nëntor të vitit të kaluar, grupi austriak UNIQA ka rënë dakord të shesë paketën prej 90% të aksioneve në shoqëri te Sigal Business Center, shoqëri e kontrolluar 100% nga Avni Ponari, aksioner pakice dhe administrator i Sigal Uniqa Group Austria.

Kompania blerëse, Sigal Business Center ka për objekt të veprimtarisë së saj investimin e kapitalit dhe të burimeve të tjera financiare, për blerje të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, dhënia me qira e pasurive; zhvillimi dhe kryerja e aktiviteteve të shërbimeve, ofrimi i shërbimeve të hotelerisë, etj.

Në tregun shqiptar, Sigal Uniqa Group Austria ka pjesëmarrje kontrolluese edhe në shoqërinë e sigurimit të jetës Sigal Life Uniqa Group Austria. Nga ana e saj, Sigal Life Uniqa Group Austria zotëron 51% të aksioneve në shoqërinë Sigal Uniqa Invest (49% e aksioneve zotërohen nga Avni Ponari).

Sigal vepron gjithashtu në tregun e Kosovës, me dy ndërmarrjet e kontrolluara 100% prej saj, Sigal Uniqa Group Austria dhe Sigal Life Uniqa Group Austria.

Në Maqedoninë e Veriut, kompania vepron nëpërmjet Uniqa AD Skopje, me 99,95% të aksioneve dhe Uniqa Life AD Skopje, me 100% të aksioneve.

Lexo edhe : Wizz Air kalon në sistem pagesash pa para në dorë në bord

Sipas analizës së Autoritetit të Konkurrencës, transaksioni i njoftuar përbën një përqendrim konglomerat, pasi ndërmarrjet që marrin pjesë në përqendrim nuk kanë as marrëdhënie horizontale (si konkurrentë në të njëjtin treg përkatës) dhe as vertikale (si prodhues edhe klientë).

Fushat e veprimtarisë së palëve pjesëmarrëse në transaksion janë të ndryshme nga njëra – tjetra dhe për këtë arsye Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se ky përqendrim nuk do të ketë ndikim në asnjërin prej tregjeve në të cilin secila nga shoqëritë operon, duke mos sjellë shqetësime për konkurrencën në treg dhe duke mos ndikuar në përjashtimin e konkurrentëve të tjerë nga tregu.

Pas realizimit të transaksionit, shoqëria Sigal Uniqa Group Austria do të vijojë të ushtrojë veprimtarinë e sigurimit, si para realizimit të përqendrimit. Përderisa numri i ndërmarrjeve që operojnë në tregun përkatës nuk ndryshon dhe produktet e sigurimit i gjejmë përgjithësisht tek të gjitha shoqëritë e sigurimit që operojnë në treg, konsumatori ka mundësi zgjedhje mes produkteve të njëjta tek shoqëria që ofron besueshmërinë, cilësinë apo çmimin më të përshtatshëm për të.

Përqendrimi nuk do të krijojë mbivendosje ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar dhe për këto arsye, transaksioni i synuar nuk do të sjellë ndryshim dhe nuk do të ketë ndikim në tregun shqiptar.

Bazuar në këtë analizë, Komisioni i Konkurrencës vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Sigal Uniqa Group Austria nga shoqëria Sigal Business Center.

Përfundimi i procesit të shitjes duhet të marrë miratimin e Autoriteteve të Konkurrencës dhe Autoriteteve Mbikëqyrëse të sigurimeve, në të treja tregjet ku kompania vepron, përkatësisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.

Largimi i UNIQA përfaqëson zhvillimin më të rëndësishëm në strukturën e pronësisë së tregut të sigurimeve për më shumë se 15 vjet. Tashmë, pesha e kapitalit vendas në këtë treg rritet më tej, duke ndjekur një tendencë të ngjashme që ishte përvijuar pas vitit 2015 edhe në sektorin bankar. I vetmi grup i huaj në tregun e sigurimeve ngelet Vienna Insurance Group, që kontrollon kompanitë Sigma dhe Intersig.

Sipas pasqyrave të konsoliduara financiare, në fund të vitit 2023 Sigal Uniqa Group Austria zotëronte aktive totale në vlerën e rreth 20.6 miliardë lekëve dhe një kapital aksioner prej 5.4 miliardë lekësh. Në të përfshihen edhe më shumë se tre miliardë lekë fitime të akumuluara dhe të pashpërndara. Grupi e mbylli vitin 2023 me një fitim neto në vlerën e 768 milionë lekëve, ndërsa e ardhura gjithëpërfshirëse, e rregulluar me efektin negativ të kursit të këmbimit nga kompanitë jashtë Shqipërisë, ishte 558 milionë lekë.

Sigal është prej shumë vitesh kompania kryesuese e tregut të sigurimeve në Shqipëri për nga vlera e primeve të shkruara bruto. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të vitit 2024, Sigal zotëronte 25.5% të primeve të shkruara bruto të sigurimit të Jo-Jetës dhe 39.6% të primeve të shkruara bruto të sigurimit të Jetës./ E.Shehu

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0