Tesla pushoi nga puna menaxherin që kundërshtoi Elon Musk-un n. - Business Magazine Albania

“Asnjë kritikë për shefin nëse do vendin e punës”, Tesla pushoi nga puna menaxherin që kundërshtoi Elon Musk-un në rrjetet sociale

~4 minuta lexim

Një tjetër rast i mungesës së tolerancës për kritikat brenda perandorisë së biznesit të Elon Musk ka dalë në dritë. Tesla ka pushuar nga puna një menaxher, Jared Ottmann, pasi ai kundërshtoi publikisht një postim në rrjetet sociale të vetë shefit ekzekutiv, i cili përdorte emrat e liderëve nazistë në një lojë fjalësh.

Në postimin e tij në platformën X më 23 janar, Musk shkroi: “Stop Göring your enemies”, duke iu referuar Hermann Göring, një prej liderëve më famëkeq të Rajhut të Tretë. Ai vijoi me një tjetër batutë: “Bet you did Nazi that coming”, të cilën e shoqëroi me një emoji që qesh.

Ottmann, i cili kishte punuar me furnizuesit e baterive të Teslës, u shpreh i fyer nga përdorimi i figurave historike të lidhura me gjenocidin si pjesë e një shakaje. Ai reagoi hapur në LinkedIn, duke thënë se që prej vitit 2022 dhe sidomos në javët e fundit, kishte ngritur shqetësimin e tij në mënyrë të përsëritur brenda kompanisë, te menaxherët, burimet njerëzore, departamenti i pajtueshmërisë ligjore dhe marrëdhëniet me investitorët.

Lexo gjithashtu: 20 gjërat që Elon Musk ka krijuar dhe lançuar 10 vitet e fundit!

“Ndërsa shumica e njerëzve më kanë ofruar mbështetje personale, Tesla si kompani ka qëndruar në heshtje”, shkroi ai.

Tesla nuk ka bërë asnjë koment mbi këtë çështje.

Një model i njohur i ndëshkimit të kritikëve

Pushimi nga puna i Ottmann është vetëm një nga shumë raste të ngjashme që pasqyrojnë kulturën e brendshme të kompanive të Elon Musk, ku kritikat ndaj shefit janë të papranueshme. Në vitin 2022, kompania tjetër e tij, SpaceX, largoi nëntë punonjës që kërkuan publikisht distancimin e firmës nga komentet problematike të Musk në rrjetet sociale. Disa prej tyre më pas ngritën padi pranë Bordit Kombëtar të Marrëdhënieve të Punës në SHBA.

Kritikat ndaj Musk nuk vijnë vetëm nga punonjësit. Investitorët e Teslës gjithashtu janë shprehur të shqetësuar për përfshirjen e tij në politikë dhe për faktin se ai po i kushton më shumë kohë angazhimeve të tij në Uashington sesa menaxhimit të kompanisë. Në vetëm pak muaj, aksionet e Teslës kanë rënë me rreth 40% nga niveli më i lartë i arritur më 17 dhjetor.

Lexo gjithashtu: Elon Musk prezanton Grok 3, i cilësuar si AI më inteligjent i krijuar ndonjëherë!

Një klimë e ngarkuar tek Tesla

Nuk është hera e parë që punonjësit e Teslës e gjejnë veten në një situatë të tillë. Muajin e kaluar, gjatë një takimi në selinë e kompanisë në Palo Alto, Kaliforni, një grup punonjësish shprehën hapur zhgënjimin e tyre për përfshirjen politike të Musk. Një menaxher i pranishëm në takim, sipas burimeve, deklaroi se edhe ai ndihej i dekurajuar nga sjellja e shefit ekzekutiv.

Ndërkohë, Musk ka treguar një qasje të dyfishtë ndaj lirisë së shprehjes. Ai është shprehur publikisht se do të financojë padi ligjore për ata që pushohen nga puna për mendimet e tyre në platformën X, por në të njëjtën kohë, ai ka larguar punonjës nga vetë kjo platformë për kritika ndaj tij.

Pushimi nga puna i Jared Ottmann nuk është vetëm një çështje e brendshme e Teslës, por një tjetër sinjal i qartë për atmosferën e tensionuar brenda kompanive të Musk, ku besnikëria ndaj liderit duket se është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.

New York Times

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0