Ana e errët e besnikërisë - Business Magazine Albania

Ana e errët e besnikërisë


Anisa Tahiri, psikologe

Besnikëria në shoqërinë tonë konsiderohet si virtyt i lartë dhe që mund të gjendet në pak njerëz. Për më tepër, kjo karakteristikë mendohet si një virtyt pak i shpërblyer.

Në përgjithësi, të qënit besnik, me të drejtë apo pa të drejtë është reklamuar si e lidhur ngushtë me të qënit i ndershëm dhe bujar. Pra, ai që është besnik ka edhe shumë virtyte të tjera. Thënë ndryshe një njeri që qëndron besnik është një qytetar i mirë dhe që i sjell vetëm të mira komunitetit.

Por sa e vërtetë është kjo?

A ka një anë të errët edhe besnikëria?

A mundet që besnikëria të bëhet shkak për korrupsionin dhe nepotizmin?

A mundet që besnikëria të gjendet edhe në botën e krimit?

Në cilat kushte ndodh që besnikëria ndaj grupit të shkaktojë sjellje etike dhe në cilat kushte ndodh të shkaktojë sjellje jashtë etikës?

Skandalet në korporata, skandalet politike, nepotizmi, korrupsioni, mashtrimet në klube sportive, madje edhe krimi i organizuar kanë patur gjithmonë në thelb besnikërinë ndaj grupit.

Megjithatë, ky është një këndvështrim tejet i thjeshtëzuar. Është e vërtetë se besnikëria ndaj grupit mund të inkurajojë sjellje joetike. Ai që është besnik mund të përfundojë të veprojë jashtë etikës në përfitim të grupit që i përket. Madje edhe individët që e vlerësojnë moralin,  shpeshherë sillen në mënyrë joetike për dobi të të tjerëve. Ata as nuk i kategorizojnë këto sjellje si jo etike, por i arsyetojnë ose justifikojnë ato. Po njësoj si i justifikojnë veprimet joetike të anëtarëve të tjerë të grupit. Për shembull, kur financierët paraqesin performancën e kompanisë ndryshe nga realiteti, kjo sjellje është në dobi të klientëve ose pronarëve dhe jo financierëve personalisht. E mbani mend çfarë ndodhi me kompaninë e famshme Enron?

Individi nuk i merr për bazë sjelljet jashtë etikës, kur këto veprime i sjellin benefite grupit ku i përkasin. Mendja funksionon në këtë mënyrë: Nëse përfiton grupi, tek i cili bëj pjesë unë (komuniteti im, qyteti im, familja ime, fëmija im, vendi im etj) atëherë të gënjesh, mashtrosh për ta, është e justifikueshme, e arsyeshme përsa kohë u qëndroj besnik atyre.

Lexo: Pse bëjmë thashetheme?

Po të shtojmë këtu dhe pritshmëritë e anëtarëve të tjerë të grupit? A mund të mos jemi më besnikë ndaj tyre kur ata kanë besim tek ne?

Një studim mjaft interesant nga Universiteti i Kalifornisë dhe Harvard Business School, pas shumë eksperimenteve në laborator, tregoi se kur pritshmëritë janë të qarta, (duhet të veprosh siç të kërkon lideri i grupit) edhe pse besnikëria bie ndesh me ndonjë virtyt tjetër (p.sh. drejtësinë), atëherë besnikëria mund të shkaktojë sjellje joetike. Pra, megjithëse individi e di që po bën gabim, zgjedh të jetë besnik ndaj grupit të vet dhe i shkon deri në fund.

Gjithmonë kemi tendencën të mendojmë botën bardh e zi, me njerëz të mirë dhe me njerëz të këqinj, me njerëz që punojnë në të mirë të të tjerëve dhe me njerëz që shkaktojnë dëm. Në mendjen tonë i kemi ndarë virtytet dhe veset. Ata që kanë virtyte janë të mire. Ata, të cilëve u mungojnë këto virtyte janë të këqinj. E kemi thjeshtuar botën në vetëm dy opsione: mirë dhe keq. Kur në fakt realiteti tregon një tjetër histori. Në përditshmërinë tonë, asgjë nuk është absolute, virtytet mund të bëhen vese, sepse edhe virtytet si “besnikëria” mund t’i shkaktojnë dëm shoqërisë, të mirës publike. Duke menduar në këtë dikotomi bardhë e zi, atëherë logjikisht do na duhet pastaj ta kategorizojmë si një “e keqe”. Pra thënë më thjeshtë, a na duhet të themi se edhe besnikëria është një ves dhe jo virtyt?

Jo.

Ajo që duhet të bëjmë është që kur gjykojmë, të shtojmë edhe një faktor tjetër vendimtar; rrethanat. Sepse janë rrethanat, kushtet e situatës të cilat japin verdiktin nëse një karakteristikë njerëzore është “e mirë” apo “ e keqe”…

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0