Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International, i ka bërë thirrje qeverive në mbarë botën të “ndahen” nga Big Tech, duke argumentuar se “përqendrimi i pushtetit” në duart e disa kompanive të mëdha ka pasoja të thella për privatësinë, mosdiskriminimin dhe aksesin në informacion.
Raporti i publikuar të enjten, i titulluar “Breaking up with Big Tech”, vë në shënjestër Google, Meta, Microsoft, Amazon dhe Apple. Amnesty u kërkon qeverive të “frenojnë Big Tech dhe të vënë të drejtat e njerëzve mbi fitimin”.Publikimi vjen në një moment tensioni, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar me tarifa shtesë “të konsiderueshme” vendet që miratojnë ligje për të rregulluar kompanitë amerikane të teknologjisë.
“Kompanitë e mëdha të teknologjisë po veprojnë si qiradhënësit e rinj digjitalë që përcaktojnë formën dhe mënyrën e ndërveprimit tonë online,” tha Hannah Storey, këshilltare për politika dhe të drejtat e njeriut në Amnesty.
Raporti thekson se inteligjenca artificiale (IA) është “faza e radhës” e dominimit të gjigantëve të teknologjisë, ndërsa ata po ndërtojnë dhe shpërndajnë sisteme IA në shkallë globale, duke privilegjuar shpejtësinë dhe përmasën mbi drejtësinë dhe saktësinë. Amnesty paralajmëron se të dhënat e paragjykuara me të cilat trajnohen modelet rrisin rreziqet e profilizimit algoritmik dhe të mbikëqyrjes masive biometrike, veçanërisht për komunitetet e margjinalizuara.
Lexo edhe: Marrëveshja tregtare BE-SHBA përballet me rezistencë në Parlamentin Europian
Google dhe Meta akuzohen për përfitime nga grumbullimi masiv dhe monetizimi i të dhënave personale, ndërkohë që përdoruesit, për shkak të dominimit të tregut, kanë pak mundësi reale për të zgjedhur. Algoritmet e YouTube, Facebook dhe Instagram thuhet se janë optimizuar për angazhim dhe fitim, duke amplifikuar përmbajtje që nxit emocione të forta dhe zemërim.
Raporti shkon më tej, duke lidhur Meta me konfliktet e dhunshme në Etiopi (2020–2022) dhe Myanmar (2017), ku akuzohet se algoritmet e Facebook nxitën urrejtjen dhe dhunën etnike. Meta i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur “të pasakta”. Microsoft deklaroi se është “i përkushtuar në respektimin e të drejtave të njeriut”, ndërsa Apple dhe Amazon nuk kanë reaguar.
Amnesty rekomandon që qeveritë të përdorin ligjet e konkurrencës si mjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, të hetojnë Big Tech për shkelje të mundshme dhe të bllokojnë bashkimet apo blerjet që rrezikojnë të thellojnë dominimin e tyre. Për IA-në, raporti kërkon hetime të posaçme mbi rreziqet dhe praktikat antikonkurruese.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse Bashkimi Europian do t’i përgjigjet këtyre thirrjeve, sidomos nën hijen e kërcënimeve të reja tregtare nga SHBA.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto