Amerika drejt kryeqytetit të kriptos, apo drejt krizës së shekullit? - Business Magazine Albania

Amerika drejt kryeqytetit të kriptos, apo drejt krizës së shekullit?

Pasi ka miratuar një ligj të rëndësishëm për monedhat digjitale (GENIUS Act) dhe me të tjera në pritje (CLARITY Act tashmë ka kaluar në Dhomën e Përfaqësuesve), Shtetet e Bashkuara janë në prag të shndërrimit në një qendër të madhe të aktiviteteve të lidhura me kriptovalutat – madje, duke marrë fjalët e Presidentit Donald Trump fjalë për fjalë, në “kryeqytetin botëror të kriptos.” Por mbështetësit e këtij legjislacioni duhet të jenë të kujdesshëm për atë që dëshirojnë.Industria e kriptos ka fituar kaq shumë pushtet politik, kryesisht përmes donacioneve, saqë si GENIUS Act, ashtu edhe CLARITY Act janë hartuar për të penguar rregullimin e arsyeshëm. Rezultati më i mundshëm do të jetë një cikël bum-krize i përmasave epike.

Avantazhi historik i SHBA-së: Transparenca dhe rregullimi

Historikisht, tregjet financiare amerikane kanë pasur një avantazh të qartë ndaj vendeve të tjera: transparencën më të madhe. Kjo u ka mundësuar investitorëve të kuptojnë më mirë rreziqet dhe të marrin vendime të informuara. Po ashtu, SHBA ka vendosur rregulla strikte për konfliktet e interesit, mbrojtjen e investitorëve (përmes kujdestarisë së aseteve) dhe kufizimin e riskut që ndërmarrin firmat financiare. Ky kuadër nuk ka lindur rastësisht apo nga konkurrenca e lirë e tregut. Ai është produkt i ligjeve dhe rregullave të miratuara në vitet 1930, pas katastrofës së Madhe të Depresionit, dhe që më pas janë përshtatur gradualisht. Këto rregulla janë arsyeja kryesore pse në SHBA është e lehtë të bësh biznes, të sjellësh ide të reja në treg dhe të sigurosh kapital për inovacion.

Rreziku i stablecoins dhe boshllëqet ligjore

Ligji i ri (GENIUS Act) krijon një kornizë për stablecoins, një aset digjital që synon të ruajë vlerën kundrejt një monedhe ose pasurie tjetër (zakonisht dollarit amerikan). Stablecoins përdoren gjerësisht nga investitorët për të lëvizur mes kripto-aseteve pa kaluar në sistemin tradicional bankar. Përveç kësaj, pritet interes edhe nga kompani të mëdha si Walmart apo Amazon, që mund të përdorin stablecoins për të anashkaluar sistemet ekzistuese të pagesave. Por modeli i biznesit i emetuesve të stablecoins është problematik: ata fitojnë diferencën midis interesit zero që u paguajnë mbajtësve dhe fitimeve nga investimi i rezervave. Kjo i nxit të investojnë në asete më të rrezikshme, duke krijuar dobësi serioze, sidomos kur licencohen nga autoritete shtetërore tolerante. Mungesa më e madhe e GENIUS Act është dështimi për të adresuar rrezikun e “vrapit mbi stablecoins” (stablecoin runs). Ligji pengon rregullatorët të vendosin standarde të forta kapitali, likuiditeti apo masa të tjera sigurie. Në rast krize, kush do të ndërhyjë dhe me çfarë autoriteti për të shmangur efektet domino mbi ekonominë reale?

Lexo edhe:”’De-banking”, kur llogaria juaj mund të mbyllet pa paralajmërim

 Pasojat për ekonominë dhe rolin global të dollarit

Aplikimi i thjeshtë i ligjit të falimentimit për emetuesit e stablecoins të dështuar do të ketë kosto të rënda për investitorët, përfshirë vonesa të gjata në kthimin e parave dhe rritje të panikut në treg. Edhe më shqetësues është fakti që Neni 15 i GENIUS Act lejon emetuesit e huaj të investojnë rezervat e tyre në borxhin e qeverive të vendeve të tyre, edhe nëse nuk është në dollarë amerikanë. Kjo do të krijojë stablecoins të mbështetur nga asete jo-dollarësh, me detyrime në dollarë. Një rritje e fortë e vlerës së dollarit do të shkaktonte menjëherë probleme likuiditeti, frikë nga falimentimi dhe vrap mbi këto monedha.

CLARITY Act dhe rreziqet e tjera

Nëse Senati miraton CLARITY Act, problemet vetëm sa do të shtohen. Ky projektligj do të lejonte konflikte interesi dhe praktika të vetëshërbimit në një shkallë që nuk është parë që nga vitet 1920. Ekzistojnë edhe rreziqe serioze sigurie kombëtare, pasi të dy ligjet e reja (GENIUS dhe CLARITY) u japin hapësirë stablecoins dhe kriptove në përgjithësi për t’u përdorur në transaksione të paligjshme. Shtetet e Bashkuara mund të bëhen vërtet “kryeqyteti botëror i kriptos.” Nën këtë kuadër të ri ligjor, disa individë të pasur do të bëhen edhe më të pasur. Por, duke iu bindur pa rezerva industrisë së kriptos, Kongresi ka ekspozuar Amerikën dhe botën ndaj rrezikut të rikthimit të panikut financiar dhe dëmeve të rënda ekonomike, duke nënkuptuar humbje masive të vendeve të punës dhe pasurisë.

Simon Johnson, fitues i Çmimit Nobel në Ekonomi (2024) dhe ish-kryeekonomist në Fondin Monetar Ndërkombëtar, është profesor në MIT Sloan School of Management dhe bashkautor (me Daron Acemoglu) i librit Power and Progress: Our Thousand-Year Struggle Over Technology and Prosperity (PublicAffairs, 2023).

Copyright: Project Syndicate, 2025
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0