Amazon konfirmon rreth 14,000 shkurtime në stafin korporativ - Business Magazine Albania

Amazon konfirmon rreth 14,000 shkurtime në stafin korporativ

Amazon konfirmon rreth 14,000 shkurtime në stafin korporativ

Gjiganti amerikan i teknologjisë, Amazon, ka njoftuar një tjetër valë shkurtimesh, duke prekur rreth 14,000 pozicione korporative, në përpjekje për të reduktuar burokracinë dhe për të rritur përdorimin e inteligjencës artificiale (AI).

Në një deklaratë për mediat, kompania theksoi se këto ndryshime janë pjesë e përpjekjeve për të “hequr shtresa menaxheriale të panevojshme, për të thjeshtuar proceset dhe për të zhvendosur burimet drejt fushave më strategjike për nevojat aktuale dhe të ardhshme të klientëve tanë.” Punonjësit e prekur nga vendimi do të kenë 90 ditë afat për të aplikuar për role të reja brenda kompanisë, ndërsa Amazon ka bërë të ditur se do të ofrojë mbështetje tranzitore dhe pagesa dëmshpërblimi për ata që do të dalin nga puna.

Edhe pse kompania nuk specifikoi cilat departamente do të preken më shumë, Reuters raportoi se zakonisht shkurtime të tilla kanë ndodhur në departamentet e cloud-it, shitjeve me pakicë, komunikimit dhe pajisjeve. Kjo është vala më e fundit e një procesi më të gjerë reduktimesh: që prej vitit 2022, Amazon ka shkurtuar mbi 27,000 vende pune në total. Në nivel global, kompanitë e mëdha teknologjike po ndjekin një trend të ngjashëm, reduktimin e burokracisë dhe automatizimin përmes inteligjencës artificiale. Megjithatë, ndërsa shpenzimet për AI po rriten, kjo i detyron kompanitë të shkurtojnë kosto diku tjetër, përfshirë stafin, vërejnë analistët.

Lexo edhe:“Teara Handmade Jewelry”, bizhuteritë që flasin për shpirtin!

CEO i Amazon, Andy Jassy, paralajmëroi në qershor se automatizimi i proceseve të përsëritura dhe rutinore do të çonte në shkurtime të mëtejshme, duke e cilësuar këtë si një pjesë të domosdoshme të tranzicionit teknologjik. Sipas The New York Times, kompania madje po planifikon të zëvendësojë mbi gjysmë milioni vende pune me robotë, bazuar në dokumente të brendshme. Në raportin tremujor të korrikut, Jassy shtoi: “Automatizimi dhe robotika janë elementë thelbësorë për përmirësimin e efikasitetit të kostove dhe krijimin e përvojave më të mira për klientët në kohë.”

Sipas faqes layoffs.fyi, që monitoron shkurtime në sektorin teknologjik, mbi 200 kompani kanë shpallur më shumë se 120,000 shkurtimet që nga fillimi i vitit, përfshirë 15,000 vende pune në Microsoft dhe 22,000 në Intel. Krahasuar me vitin 2024, kur rreth 153,000 punonjës u prekën nga shkurtimet në mbi 500 kompani, viti 2025 po ndjek një trend të ngjashëm. Megjithë lajmin për shkurtime, aksionet e Amazon u rritën me 1.2% të hënën. Kompania pritet të publikojë raportin e saj financiar për tremujorin e tretë këtë të enjte.

euronews

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0