Shefi i OpenAI dhe aksioner në Reddit, Sam Altman, ka bërë një reflektim të pazakontë: sipas tij, është bërë pothuajse e pamundur të kuptosh nëse postimet në rrjetet sociale janë shkruar nga njerëz apo nga botë.
Çfarë e shtyu Altman të mendojë kështu?
Ndërsa lexonte postime në subreddit-in r/Claudecode, shumë prej të cilave lavdëronin shërbimin OpenAI Codex (lançuar në maj për të konkurruar me Claude Code të Anthropic), Altman vuri re një tipar të çuditshëm. Shumë përdorues deklaronin se kishin kaluar nga Claude Code tek Codex, aq sa një anëtar i Reddit-it bëri shaka: “Mos vallë është e detyrueshme të hapësh një postim kur kalon tek Codex?” Kjo e bëri Altman të dyshonte: a ishin këto postime të vërteta nga përdorues njerëzorë, apo të fabrikuara nga botë? “Kam pasur ndjesinë më të çuditshme duke lexuar: e marr si të mirëqenë që janë të gjitha false/chatbotë, edhe pse e di që Codex po rritet me ritme të forta,” shkroi ai në X.
Lexo edhe:Rupert Murdoch cakton trashëgimtarin, Lachlan siguron kontrollin e medias konservatore
Pse po ndodh kjo?
Altman e analizoi me arsyetimin e tij në kohë reale:
- njerëzit e kanë marrë stilin e të shkruarit tipik të modeleve gjuhësore (LLM);
- komunitetet “ekstremisht online” sillen shpesh në mënyrë të sinkronizuar;
- ciklet e famshme të entuziazmit dhe zhgënjimit në rrjet (nga “është fundi” tek “jemi sërish në majë”);
- algoritmet e rrjeteve që e shtyjnë angazhimin me çdo kusht;
- modeli i monetizimit për krijuesit e përmbajtjes;
- fushata të paguara (astroturfing) nga kompani të tjera;
- dhe, sigurisht, edhe ndonjë chatbot i vërtetë.
- Me fjalë të tjera, sipas tij, edhe vetë njerëzit kanë filluar të tingëllojnë si LLM-të.
Ironia e situatës
OpenAI, kompania që Altman drejton, është vetë burimi i këtyre modeleve që imitojnë komunikimin njerëzor. Për më tepër, modelet e OpenAI janë trajnuar edhe me të dhëna nga Reddit, ku Altman ka qenë anëtar bordi deri në vitin 2022 dhe aksioner i madh në IPO-n e fundit të platformës. Altman pranon se fandom-et dhe komunitetet online shpesh bien në ekstremizëm, duke kaluar nga adhurimi tek zemërimi. Ai gjithashtu shigjeton vetë sistemin e shpërblimit me angazhim të rrjeteve sociale. Megjithatë, kur përmend se OpenAI është vetë “astroturfed”, ai hap një tjetër dilemë: a janë postimet pro-apo kundër kompanisë të natyrshme, apo të sponsorizuara nga konkurrentë? Pas lançimit të GPT 5.0, shumë subreddite të dedikuara OpenAI-së u kthyen kundër kompanisë, duke kritikuar problemet teknike, personalitetin e modelit dhe përdorimin e krediteve. Altman organizoi një AMA në Reddit për të pranuar gabimet dhe për të premtuar ndryshime, por komuniteti nuk e rifitoi më dashurinë e dikurshme. Altman përfundon: “Efekti neto është që sot Twitter-i dhe Reddit-i i AI-së ndihen shumë ‘fake’, ndryshe nga një apo dy vite më parë.” Nëse kjo është e vërtetë, atëherë faji qëndron edhe tek suksesi i vetë modeleve të AI, të cilat janë bërë aq të afta në të shkruar sa po i kthehen në makth shkollave, gazetarisë, madje edhe sistemit gjyqësor. Raportet e kompanisë Imperva tregojnë se mbi gjysma e trafikut në internet në 2024 ishte jo-njerëzor, kryesisht nga LLM-të. Vetë Grok, boti i X, deklaroi se ka “qindra miliona botë aktive në platformë”.
Një prapaskenë e mundshme?
Disa cinikë sugjerojnë se ankesa e Altman mund të jetë edhe një test për të promovuar një rrjet social të ri të OpenAI, diçka që u përfol në prill, por që ende nuk dihet nëse ekziston realisht. Por edhe nëse do të ndërtohej, a do të mund të ishte vërtet një zonë “pa botë”? Eksperimente shkencore tregojnë se edhe rrjete të përbëra vetëm nga botë shpejt krijojnë klane dhe “echo chambers”. Pra, qoftë me njerëz apo pa njerëz, rrjetet sociale mbeten një arenë komplekse, ku kufiri mes realitetit dhe simulimit është gjithnjë e më i mjegullt.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto