Alketa Muharremi, prodhuesja e sapunit bio - Business Magazine Albania

Alketa Muharremi, prodhuesja e sapunit bio


Alketa Muharremi është fokusuar në prodhimin e sapunit. Produkt bio, miqësor me mjedisin. Nxitja për të eksperimentuar dhe kureshja për të eksperimentuar. Sot Alketa po punon për ta zhvilluar më tej biznesin e saj.

Kur ju lindi ideja për të prodhuar sapun bio? Ishte pasion, e trashëguar apo më shumë kuriozitet për të eksperimentuar me produktet?

Dikur, në fëmijërinë time kisha dëgjuar që sapunët bio bëhen me yndyrna shtazore, dicka shumë e çuditshme që kishte ndezur shkëndijën e parë të kureshtjes. Vite më vonë, nuk më kujtohet saktësisht kur, në youtube pashë një video se si mund të bësh sapunë në kushtet e shtëpisë. Kaq mjaftoi dhe e gjeta veten duke bërë sapunin tim të parë me një recetë të thjeshtë, vaj ulliri, sodë kaustike dhe ujë.

Si e arritët që ky produkt të ketë 0 kimikate?

Kureshtja dhe dëshira për të eksperimentuar duke përdorur lloje të ndryshme vajrash më shtyu të krijoja dhe rikrijoja.

E vetmja gjë që s’ka ndryshuar që ditën e parë është dëshira dhe vendosmëria që çdo përbërës të jetë 100 % natyral dhe bimor. Yndyrnat që përdor janë 100 % bimore megjithëse në prodhimin e sapunëve mund të përdoren edhe ato shtazore. Kjo ka qenë një zgjedhje e imja e lidhur thellë-thellë me ndjeshmërinë time ndaj botës së gjallë.

Edhe ngjyrosësit jane tëresisht bimore si shafran, pluhur panxhari, spiruline, minerale etj. Asnjë fragrancë dhe aromë sintetike. Aroma e sapunëvë të mi është e lehtë , ajo e vajrave esencialë të bimëve.

Pas formulës së parë që doli me sukses, a kishit vështirësi në formulat e tjera?

Sapuni i parë ishte sipas një formulë të kopjuar dhe për fatin tim të fillestarit doli shumë i mirë. Nga ky moment vazhdova të realizova sapun pas sapuni dhe formulë pas formule duke mos rreshtur së krijuari. Sigurisht ka pasur edhe mosarritje dhe “dështime” por kjo nuk më ka penguar të ritentoj duke mësuar nga këto gabime.

Cili prej produkteve të prodhuara prej jush e konsideron si mbretin e sapunëve dhe pse?

Çdo produkt ka pasur vëmendjen dhe përkushtimin maksimal, gjithnjë me dëshirën që të jetë sa më cilësor. E kam shumë të vështirë të veçoj, gjithsesi sapuni më xhelin e aloe vera-s më ka dhënë një kënaqësi të madhe.

Mendoni se një pjesë e suksesit tuaj i dedikohet integrimit të vajrave apo bimëve mjekësore që ndikojnë pozitivisht edhe në shëndetin e njeriut, si psh në lëkurë?

Qëllimi ka qenë dhe mbetet që sapunët e krijuar prej meje të jenë jo vetëm larës, por edhe të ndihmojnë në reduktimin e problematikave të lëkurës.  Prandaj në të gjitha produktet e mia vendosen si përbërës thelbësor bimët mjekësore. Për këtë arsye, më është dashur të marr njohuri erboristerie në kurse të posaçme, në mënyrë që ti përdor këto njohuri për t’u dhënë sapunëve, balmeve etj cilësi specifike për trajtimin e këtyre problematikave të lëkurë.  Bimet mjekësore që përdor, i kultivoj me kënaqësinë më të madhe në kopshtin tim modest. Aty gjen Aloe vera, dafinë, rozmarinë, sherebelë, kamomil, mente, plantain, kalendul, lavande etj.

A keni patur bashkëpunëtorë të mirë në këtë sipërmarrje?

Kjo është një pyetje që për të qenë e sinqertë, ka një përgjigje disi të vështirë. Le të themi që në rrugëtimin tim kam pasur mbështetjen e “padukshme” të shumë e shumë miqve të mi virtual, këtu u referohem ndjekësve të punës sime në rrjetet sociale. Vëmendja dhe besimi ka qenë sinqerisht frymëzuese për mua. Nga ana tjetër, në fillimet e këtij minibiznesi ,jam ndeshur me skepticizmin e atyre që më rrethonin në përditshmërinë time. Ky mosbesim ishte i lidhur me dyshimin se keto produkte nuk do të arrinin të vlerësoheshin ndoshta për shkak të kostos së tyre. Unë mendoj se kur dikush vendos shpirtin në atë që bën , asgjë nuk është e pamundur

Cila është formula që keni në dorë momentalisht?

E verdhë veze , birrë, kos, lëng karote, qumësht dhie, pa përmendur këtu bimet mjekësore. Këto janë disa përbërës që sapunëve të mi u japin veçanti. Jam gjithnjë në kërkim të formulave të reja.

Brandin tuaj e sollët edhe në panairin “Beautyfairalbania”. Merrni pjesë për herë të parë apo keni qenë edhe vitet e kaluara? Si po ecën ?

Pjesëmarrja në panairin “Beautyfairalbania”, është njëra prej tyre. Kam marrë pjesë edhe në panaire të tjera, të zhvilluara kryesisht në qytetin ku jetoj, atë të Vlorës. Ndërkohë jam duke u përgatitur për pjesëmarrjen në një tjetër panair të madh,ne jug te vendit.Vetëm në këtë mënyrë produktet janë më afër dhe më të dukshme për konsumatorët.

Probizz

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0