AKEP ndryshon tarifat për operatorët e komunikimeve elektronike - Business Magazine Albania

AKEP ndryshon tarifat për operatorët e komunikimeve elektronike

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka miratuar tarifat e reja që do të paguhen nga operatorët e tregut, për disa shërbime të parashikuara në ligjin e ri “Për komunikimet elektronike”, që u miratua vitin e kaluar.

Ligji i ri përmban një sërë përcaktimesh të reja në lidhje me buxhetin dhe financimin e AKEP si dhe parime për tarifat që paguajnë sipërmarrësit për të mbuluar kostot administrative të AKEP, me qëllim për të kryer funksionet e tij rregullatore dhe mbikëqyrëse.

Sipas nenit 26 të ligjit të ri, para fillimit të aktivitetit, çdo sipërmarrës njofton AKEP sipas një formulari të miratuar. Për ushtrimin e të drejtave, që rrjedhin nga autorizimi i përgjithshëm, sipërmarrësi i autorizuar nuk ka nevojë për marrjen e një vendimi apo akti administrativ të posaçëm nga AKEP.

Ligji parashikon që AKEP i regjistron operatorët ose ofruesit e shërbimeve në bazën e të dhënave elektronike brenda shtatë ditëve nga marrja e njoftimit dhe njofton regjistrimin e tyre me shkrim. AKEP më tej miraton me rregullore formën dhe përmbajtjen e njoftimit, dokumentacionin mbështetës dhe konfirmimin e regjistrimit.

Çertifikata e Konfirmimit të Njoftimit/Regjistrimit do të lëshohet për çdo sipërmarrës, pas njoftimit dhe regjistrimit në Regjistrin e Autorizimit të Përgjithshëm, sipas Nenit 27 të Ligjit “Për komunikimet Elektronike”. Për shërbimin, AKEP do të aplikojë një tarifë prej 50 mijë lekësh. Tarifa do aplikohet vetëm një herë për regjistrimin e parë të sipërmarrësit në regjistrin e ri të Autorizimit të Përgjithshëm.

Lexo edhe: Banka e Shqipërisë: Pagesat elektronike në Shqipëri pa komision deri në 40 mijë lekë

Ndërsa lëshimi i Certifikatës së Konfirmimit të Ndryshimeve të të dhënave në regjistrin e autorizimit të përgjithshëm do të ketë një tarifë prej 20 mijë lekësh. Certifikata do të lëshohet në rastet e njoftimit nga sipërmarrësi të ndryshimeve të ndodhura në informacionin e dhënë fillestar ose atë pararendës.

Një shërbim i tretë i parashikuar në rregulloren e re do të jetë lëshimi i Deklaratës ose Certifikatës së Konfirmimit për lehtësimin e ushtrimit të të drejtave për instalimin e faciliteteve dhe interkoneksion, mbështetur në nenin 33 të ligjit të ri “Për komunikimet elektronike”. Sipas ligjit, certifikata e konfirmimit detajon rrethanat në të cilat çdo sipërmarrës që ofron rrjete ose shërbime të komunikimeve elektronike, sipas autorizimit të përgjithshëm ka të drejtë të instalojë facilitetet, të negociojë për interkoneksion ose të marrë akses e interkoneksion, me qëllim lehtësimin e ushtrimit të këtyre të drejtave gjatë aplikimit pranë niveleve të tjera të qeverisjes ose te sipërmarrësit e tjerë. Ky dokument do të ketë gjithashtu një tarifë prej 50 mijë lekësh.

AKEP konsideron se tarifat/pagesat administrative të mësipërme janë në përputhje me parimet e ligjit të ri “Për komunikimet elektronike, pasi ato synojnë të mbulojnë kostot administrative shtesë të AKEP në lidhje me regjistrimin për herë të parë të sipërmarrësve në regjistrin e ri të Autorizimit të Përgjithshëm dhe punën rregullatore për përgatitjen dhe zbatimin e akteve nënligjore.

Gjithashtu, AKEP vlerëson se ato janë transparente dhe proporcionale, për të minimizuar kostot administrative shtesë të AKEP për shqyrtimin e çdo njoftimi për herë të parë sipas regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm si dhe cdo ndryshimi të mëvonshëm në njoftimin nga sipërmarresi përkatës.

monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0