Nga Adelina Onuzi/ Kur përparimi teknologjik takon forcën njerëzore, lindin histori që nuk programohen dot nga asnjë algoritëm, por që frymëzojnë përtej çdo logjike. Në këtë intervistë të veçantë për Business Magazine, kemi privilegjin të ndalemi në një rrëfim që nuk flet vetëm për kodim, por për kurajo, nuk flet vetëm për nota, por për dritën që vjen nga brenda një individi që ka zgjedhur të mos ecë në kufijtë e një sistemi, por ta riformulojë atë.
Lejdina Franca nuk është thjesht një vajzë që u diplomua në Shkencat Kompjuterike. Ajo është dëshmia se vendosmëria mund të jetë më e fortë se çdo barrierë, dhe se aftësia për të ndryshuar botën nis pikërisht nga aftësia për të mos u dorëzuar. Ky rrëfim është një ftesë për të reflektuar, për të vlerësuar dhe për të besuar më shumë në atë që është e mundur.
Sapo ke përfunduar një etapë të rëndësishme, diplomimin në Shkencat Kompjuterike. Si ndihesh kur sheh pas këtë rrugëtim dhe çfarë domethënie ka për ty kjo diplomë?
Diplomimi për mua është simbol i gjithë mundit, netëve pa gjumë, sfidave fizike dhe emocionale që i kam kapërcyer me vendosmëri. Është dëshmi se asgjë nuk është e pamundur, kur ke njerëz që të qëndrojnë pranë në çdo hap, dhe kur beson në vetvete e ecën përpara, pavarësisht gjithçkaje. Lejdina e vogël që dikur ëndërronte në heshtje, sot do të më shikonte me plot krenari – sepse çdo ëndërr e saj është kthyer në realitet.
Sfidat nuk kanë qenë vetëm akademike, por edhe personale. Cila ka qenë një nga pengesat më të mëdha që ke përballuar gjatë studimeve dhe si e ke kapërcyer?
Gjatë studimeve nuk mund të ankohem për asnjë pengesë – kolegji ku studova ishte shembullor për nga ana e aksesueshmërisë. Çdo hapësirë ishte e qasshme, çdo nevojë e mundshme do të ishte përmbushur nëse do ta kërkoja – por e vërteta është se asnjëherë nuk më është dashur të kërkoj ndihmë, sepse gjithçka funksiononte natyrshëm. “Problemi” i vetëm, nëse mund ta quaj kështu, ishte brenda meje: ajo ndjenjë pasigurie, ajo pyetje që më vinte shpesh në mendje – a do të mundem t’ia dal? Por mbështetja dhe entuziazmi i familjarëve dhe i shoqërisë ishte aq i madh, sa e përmbyti çdo dyshim. Ishte pikërisht ajo dashuri dhe besim që më dha forcë të ec përpara, pa u lëkundur.
Karroca nuk të ka ndalur. Në fakt, duket se të ka forcuar. Si ka ndikuar kjo përvojë në mënyrën se si e sheh veten dhe botën përreth teje?
Karroca ka qenë pjesa më e dukshme e jetës sime, por kurrë ajo që më ka përkufizuar. Ajo është forca ime e heshtur, ajo që më ka ndihmuar të zbuloj vetveten dhe fuqinë time të vërtetë. Më ka shtyrë të kërkoj më shumë liri, më shumë mundësi, më shumë jetë. Më ka mësuar të luftoj me butësi dhe të ec përpara me vendosmëri, edhe kur rruga nuk është e lehtë. Sot, unë nuk e shoh karrocën si kufizim, por si pjesë të historisë sime, që më ka formuar, më ka rritur dhe më ka dhënë zërin që kam.
Si ka qenë mbështetja nga familja, profesorët dhe miqtë gjatë këtij rrugëtimi? A ka një moment të veçantë që nuk do ta harrosh kurrë?
Mbështetja që kam pasur gjatë këtij rrugëtimi ka qenë e pakushtëzuar dhe e vazhdueshme. Familja ime ka qenë gjithmonë aty jo vetëm për të më mbështetur fizikisht, por edhe emocionalisht, në çdo hap dhe çdo sfidë. Profesorët kanë bërë çmos që të mos më ndajnë e dallojnë nga studentët e tjerë, por njëkohësisht kanë qenë gjithmonë të gatshëm të kuptojnë nevojat e mia dhe të më ndihmojnë kurdo që më është dashur. Miqtë janë kapitull më vete. Kanë qenë një pjesë thelbësore që unë të ndihesha e pranuar, e barabartë dhe e përfshirë. Gjithmonë të gatshëm për ndihmë e për shoqëri, veçanërisht tri shoqet e mia më të ngushta, pa të cilat kjo eksperiencë nuk do të kishte pasur të njëjtën ngjyrë, as të njëjtin kuptim. Nuk mund të veçoj një moment të vetëm si më të paharrueshmin sepse e vërteta është që çdo moment në këtë rrugëtim ka qenë i tillë i veçantë dhe i paharrueshëm.
Zgjedhja e Programimit si degë nuk është e lehtë për askënd. Çfarë të tërhoqi drejt teknologjisë dhe çfarë të motivoi të vazhdoje, pavarësisht vështirësive?
Që e vogël, përpara se të më jepej mundësia të nisja shkollën fillore për shkak të kufizimeve ligjore mësoja në shtëpi me ndihmën e prindërve dhe motrës. Mësonim bashkë shkronjat, numrat dhe çdo gjë që mund të mësohej. Në kohën e lirë, kompjuteri ishte dritarja ime për të eksploruar një botë tjetër. Më intrigonin faqet e internetit, lojërat dhe mënyra si funksiononin. Kaluan disa vite derisa mora vendimin ta ndjek Programimin si degë, por kur fillova, kuptova që kjo kishte qenë gjithmonë thirrja ime. Ishte një pasion i fshehur që vetëm sa priste të zbulohej. Dhe pikërisht ai pasion, bashkë me dëshirën për të arritur më shumë, më shtyu të vazhdoj përpara, pavarësisht çdo vështirësie.
A mendon se bota e teknologjisë është mjaftueshëm e hapur dhe gjithëpërfshirëse për persona me aftësi ndryshe? Çfarë do të doje të ndryshoje në këtë drejtim?
Mendoj se bota e teknologjisë ka bërë përparime në drejtim të përfshirjes së personave me aftësi te kufizuara, por ende nuk është aq e hapur sa duhet. Shpeshherë, aksesueshmëria shihet si një veçori shtesë, jo si një standard bazë. Ka kompani që kanë ndërmarrë hapa konkretë, kanë dizajnuar produkte të aksesueshme dhe kanë krijuar kultura më mbështetëse, por këto raste janë ende përjashtime, jo rregull. Shumë platforma, procese pune apo teknologji ende nuk marrin parasysh nevojat e ndryshme që mund të kenë përdoruesit apo punonjësit me aftësi te kufizuara. Unë do të doja që aksesueshmëria të mendohej dhe të zbatohej që në fillim të çdo zhvillimi qoftë ai produkt, aplikacion, apo vend pune. Do të doja që punësimi i personave me aftësi te kufizuara të mos shihej si akt simbolik, por si një mundësi reale për të pasuruar ekipet me përvoja dhe perspektiva të ndryshme.
Cilat janë disa nga projektet që të bëjnë më krenare gjatë studimeve, ndoshta ndonjë kod, aplikacion, apo sfidë teknike që e ke zgjidhur?
Gjatë studimeve kam realizuar projekte të ndryshme – website, lojëra dhe aplikacione desktop – duke përdorur gjuhë të ndryshme si Java, C#, ASP.NET, HTML, CSS, JavaScript, React dhe shumë të tjera. Por nga të gjitha, më e veçanta për mua mbetet projekti im i parë, një aplikacion i vogël në C# për llogaritje të thjeshta, që e punova në lëndën “Hyrje në programim”. Edhe pse ishte diçka e thjeshtë për mua kishte shumë rëndësi sepse e zhvillova me vetem 3 muaj njohuri pa asnjë përvojë paraprake në programim. Ky projekt më dha sigurinë se isha në rrugën e duhur. Ishte hapi im i parë drejt një pasioni që sot është pjesë e përditshme e jetës sime.
Tani që ke diplomën në dorë dhe një rrugë të re përpara, cilat janë planet e tua të afërta dhe ëndrrat që dëshiron të realizosh në fushën e teknologjisë?
Tani që jam ne perfundim te studimeve bachelor, synimi im i radhës është të vazhdoj studimet master jashtë vendit. Është një ëndërr që më frymëzon çdo ditë jo vetëm për të thelluar njohuritë e mia profesionale, por edhe për të njohur kultura të reja, për të zgjeruar horizontin tim dhe për të fituar një vizion më global mbi teknologjinë. Jam në kërkim të mundësive dhe bursave, sepse rruga nuk është e lehtë veçanërisht për dikë me aftësi të kufizuara, ku prania e një kujdestari është shumicen e kohes e domosdoshme. Por kjo nuk më ndal. E kundërta, më motivon edhe më shumë të vazhdoj punën në projekte që synojnë të krijojnë një botë më të aksesueshme dhe gjithëpërfshirëse për të gjithë. Dëshira ime më e madhe është të kontribuj me dije, përkushtim dhe zemër në zhvillimin e teknologjive që nuk lënë askënd pas.
Çfarë këshille do t’u jepje të rinjve, sidomos vajzave dhe personave me aftësi ndryshe që hezitojnë të ndjekin ëndrrat e tyre për shkak të paragjykimeve apo barrierave fizike?
Këshilla ime për të rinjtë, e sidomos për vajzat dhe personat me aftësi të kufizuara, është kjo: Mos lejoni që frika, barrierat apo paragjykimet t’ju ndalin nga ëndrrat tuaja. Do të ketë pengesa, ndoshta më shumë se për të tjerët por mos lejoni që kjo të ju ndalojë. Kërkoni mbështetje, kërkoni hapësirën tuaj, mos u trembni të gaboni sepse aty fillon rritja. Luftoni sepse kur një person me aftësi të kufizuara arrin të realizojë një ëndërr, ai nuk fiton vetëm për veten por hap rrugë edhe për shumë të tjerë që deri dje mendonin se nuk mundeshin. Mos prisni që dikush t’ju japë leje për të shkëlqyer. Behuni vetë drita.
Si do doje të të kujtojnë të tjerët , si programuese, si luftëtare, si frymëzim, apo si diçka tjetër?
Do të doja të më kujtonin thjesht si Lejdina – vajza që nuk u dorëzua kurrë. Vajza që besoi në veten e saj edhe kur rruga ishte e vështirë, që luftoi jo vetëm për ëndrrat e saj, por edhe për t’u hapur dyer të tjerëve si ajo. Dua të njihem si dikush që nuk njeh kufij, që beson se ndryshimi është i mundur, dhe që përpiqet çdo ditë të jetë një shembull, një zë, një arsye që dikush tjetër të mos heqë dorë nga vetja dhe endrrat e tyre.
Lejdina nuk kodon vetëm faqe interneti. Ajo ndërton ura mes së mundshmes dhe së pamendueshmes. Në një realitet ku shpeshherë “përshtatshmëria” është lënë për më vonë, ajo na kujton se qasja, barazia dhe mundësia janë fjalë që duhet të bëhen praktikë, jo vetëm premtime.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.