A po zbrazet Ballkani nga talentet për shkak të integrimit europian? - Business Magazine Albania

A po zbrazet Ballkani nga talentet për shkak të integrimit europian?

Zgjerimi i Bashkimit Europian mund të përshpejtojë largimin e fuqisë punëtore të kualifikuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor drejt Perëndimit, paralajmërojnë ekspertët, duke kërkuar masa të synuara për ta frenuar fenomenin.

Ndërsa anëtarësimi në BE hap mundësi të reja për tregti e investime, ai sjell edhe rrezikun e një eksodi të gjerë të punëtorëve që kërkojnë paga më të larta dhe kushte më të mira në vendet më të zhvilluara të Unionit. Kjo lëvizje mund të krijojë pasoja dytësore negative për ekonomitë lokale të vendeve që sapo janë anëtarësuar.

Shembulli i Kroacisë, e cila iu bashkua BE-së në vitin 2013, është domethënës: sipas Bankës Botërore, vendi ka humbur gati 400 mijë banorë në dhjetë vjet, duke u renditur mes pesë vendeve të BE-së me rënien më të madhe demografike. Rumania, që u anëtarësua në vitin 2007, ka përjetuar një fenomen edhe më të thellë, një në katër rumunë jeton sot jashtë vendit.

Njëkohësisht, BE-ja përballet me mungesë  të vazhdueshme të fuqisë punëtore për shkak të plakjes së popullsisë dhe rënies së lindjeve. Deri në vitin 2050, parashikohet që blloku të humbasë rreth 1 milion punëtorë në vit. Lëvizshmëria brenda BE-së ka lehtësuar disi mungesat, por ka krijuar ç’ekuilibra të rinj: vendet e Evropës Juglindore po përjetojnë zbrazje të trurit që dobëson ekonomitë e tyre.

Sipas Lien Jansen, studiuese në KU Leuven, fenomeni i emigrimit të punëtorëve të kualifikuar nga Ballkani Perëndimor është i hershëm, por anëtarësimi në BE mund ta përkeqësojë atë, ashtu siç ndodhi me zgjerimin e mëparshëm të Unionit. Liberalizimi i vizave Shengen tashmë ka lehtësuar lëvizjen për punë sezonal dhe hyrja e plotë në tregun e përbashkët europian do ta përshpejtojë më tej këtë trend.

Megjithatë, disa analistë besojnë se efektet këtë herë mund të jenë më të kufizuara, pasi shumica e vendeve kandidate, si Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ndodhen prej dekadash në procesin e integrimit dhe kanë përjetuar tashmë një valë të madhe emigrimi. Popullsia në moshë pune në rajon është tkurrur ndjeshëm dhe pritet të bjerë me rreth 20% deri në vitin 2050. Banka Botërore paralajmëron se, nëse tendenca aktuale vazhdon, Ballkanit do t’i mungojnë mbi 190 mijë punëtorë deri në fund të dekadës.

Lexo edhe: Trump urdhëron rifillimin e testimeve bërthamore pas 33 vitesh

Një studim i Bruegel (2025) paralajmëron se sektorë kyç në vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë shëndetësinë, ndërtimin dhe industrinë përpunuese po përballen me presion të lartë për shkak të mungesës së punëtorëve të kualifikuar. Banka Botërore parashikon se, nëse trendet aktuale vazhdojnë, rajoni do të përballet me mungesë prej mbi 190 mijë punëtorësh deri në fund të dekadës.

Studimi thekson se emigrimi mund të sjellë edhe përfitime ekonomike, si rritje të remitancave, investime të huaja dhe lidhje tregtare me vendet pritëse, por këto efekte nuk janë të mjaftueshme për të kompensuar humbjen e kapitalit njerëzor.

Pas pushtimit rus të Ukrainës, BE-ja i ka dhënë zgjerimit një prioritet të ri strategjik. Në vitin 2023, Komisioni Europian prezantoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që synon zhvillim ekonomik dhe afrimin socio-ekonomik të rajonit me BE-në. Plani parashikon që ekonomia e rajonit mund të dyfishohet brenda një dekade nëse zbatohen reformat e kërkuara.

Sipas Nina Vujanović nga Bruegel, për herë të parë BE-ja po u ofron vendeve kandidate hyrje të pjesshme në tregun e përbashkët, përpara anëtarësimit të plotë, në këmbim të reformave strukturore. Megjithatë, shton ajo, vendet më të zhvilluara europiane përfitojnë afatshkurtër nga kjo valë emigrimi, sidomos në sektorë me mungesë të fuqisë punëtore si shëndetësia.

Vujanović thekson se, megjithëse “largimi i trurit” është i dëmshëm, përfitimet e rritjes ekonomike nga anëtarësimi në BE tejkalojnë humbjet demografike, pasi integrimi në tregun e brendshëm sjell rritje, konkurrencë dhe lidhje më të forta në zinxhirët e furnizimit të BE-së.

Aktualisht, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Moldavia janë bërë pjesë e sistemit të pagesave SEPA, që lejon transaksione më të shpejta dhe më të lira me vendet e BE-së – një hap praktik drejt integrimit ekonomik.

Komisioni Europian pritet të publikojë më 4 nëntor raportin e tij vjetor për vendet kandidate, duke vlerësuar progresin dhe duke dhënë rekomandime për shtetin ligjor, të drejtat themelore dhe drejtësinë.

Sipas Lune Bernstein, bashkautore e raportit “Navigating Brain Drain in the Western Balkans” (2024), BE-ja duhet ta trajtojë largimin e trurit si sfidë të përbashkët të procesit të zgjerimit, duke e përfshirë në raportet e ardhshme dhe duke krijuar mekanizma për ruajtjen e talenteve.

Ajo sugjeron që vendet kandidate të lidhin financimet me punësimin lokal, të forcojnë lidhjen mes arsimit dhe tregut të punës dhe të ofrojnë kushte më të mira për profesionistët e rinj. Disa shtete tashmë kanë nisur nisma për të rikthyer qytetarët e diasporës, si Serbia, që u ofron lehtësira tatimore punëdhënësve që punësojnë të kualifikuar të kthyer nga jashtë.

Një model i ngjashëm u aplikua në Poloni në vitin 2022, ku 25 mijë qytetarë përfituan nga përjashtimi katërvjeçar nga tatimi mbi të ardhurat pas kthimit në vend.

Burimi: Euronews Deutsch / Përshtati: BusinessMag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0