A mund të parashikojnë ëndrrat të ardhmen? - Business Magazine Albania

A mund të parashikojnë ëndrrat të ardhmen?

Aberfan është një fshat i vogël në jug të Uellsit. Në vitet ’60, shumë prej banorëve punonin në një minierë, e ndërtuar për të nxjerrë qymyrin e shumtë e me cilësi të lartë të asaj zone.  Edhe pse shumica e qymyrit ruhej nën tokë, grumbuj të tërë ishin vendosur në kodrat që rrethonin fshatin. Gjatë tetorit të vitit 1966, shirat e rrëmbyeshëm kishin kapluar zonën. Për fat të keq askush nuk po e kuptonte se toka që mbante qymyrin në kodra po zbutej dhe po baltosej.

Pak pas orës 9:00 të mëngjesit të 21 tetorit, njëra anë e kodrës që rrethonte fshatin nisi të lëkundej. Brenda pak sekondash gjysmë milion tonë mbeturina qymyri nisi me shpejtësi të lëvizte drejt fshatit. Edhe pse një pjesë e këtij materiali u përplas në pjesën e ulët të kodrës dhe mbeti aty, shumica u derdh mbi Aberfan, kryesisht mbi shkollën e fshatit. Vetëm një grusht fëmijë u nxorën jashtë shkollës të gjallë në orët e para të përpjekjeve për shpëtim. Në total, 116 fëmijë shkolle humbën jetën. Këtij numri i shtohen edhe 28 të rritur.

Psikiatri John Barker vizitoi fshatin të nesërmen e kësaj tragjedie. Ai ishte i interesuar veçanërisht në aktivitetin paranormal dhe pyeste veten nëse kjo ngjarje kaq e rëndë ishte parashikuar nga ndonjë banor i fshatit. Për të zbuluar një gjë të tillë, ai angazhoi një gazetë që të pyeste banorët se kush nga ata mendonte se e kishte parashikuar katastrofën e Aberfanit. Ai mori 60 letra nga Anglia dhe Uellsi me më shumë se gjysmën e njerëzve që pretendonin se e kishin parandjerë tragjedinë gjatë një ëndrre. Një nga eksperiencat më goditëse ishte ajo e prindërve të një fëmije 10 vjeç, që humbi jetën në tragjedi. Një ditë më përpara tragjedisë, vajza e tyre u kishte thënë se kishte parë në ëndërr se po përpiqej të shkonte në shkollë, por “shkolla nuk dukej askund për shkak se diçka e zezë ishte mbi të”.

Në një tjetër shembull, zonja M.H tha se një natë përpara tragjedisë kishte parë në ëndërr një grup fëmijësh të bllokuar në një dhomë drejtkëndëshe.  Sipas saj, dhoma ishte e bllokuar nga disa shkopinj druri dhe fëmijët po përpiqeshin të kalonin sipër tyre. Një tjetër person, tha se një javë përpara tragjedisë kishte parë në ëndërr një grup fëmijësh të mbuluar nga një ortek qymyri, që ulërinin. Dy muaj përpara tragjedisë, një tjetër zonjë tha se kishte parë në ëndërr një shkollë në kodër, një ortek dhe fëmijë që humbnin jetën.  E kështu lista vijon…

Shumë njerëz mendojnë se kanë parë të ardhmen në një ëndërr të tyren. Një studim i fundit thotë se një e treta e popullatës e ka përjetuar një fenomen të tillë në një moment të jetës së tyre.

Abraham Lincoln raportohet  se ka parë në ëndërr vrasjen e tij, dy javë përpara se të qëllohej për vdekje. Mark Twain ka përshkruar një ëndërr, në të cilën shihte vëllain e tij në arkivol pak javë përpara se ai të vritej në një shpërthim. Dhe Charles Dickens pati parë në ëndërr një zonjë të veshur me të kuqe, të quajtur Miss Napier, pak përpara se të vizitohej nga një zonjë me shall të kuq, e quajtur Miss Napier.

Çfarë mund të shpjegojnë këto ngjarje të shënuara? A është e mundur që njerëzit të shohin të ardhmen në ëndrrat e tyre? A ekzistojnë ëndrrat profetike? Vetëm gjatë shekullit të shkuar, shkencëtarët  kanë nisur zgjidhjen e këtij puzzle. Në vitet ’60, psikologu pionier, Eugene Aserinsky hapi rrugën për një shkencë të re të ëndërrimit.

Ai tregoi se nëse një person zgjohet gjatë fazës së LSHS (Lëvizja  e Shpejtë e Syve, e kombinuar me një frymëmarrje të shpeshtuar dhe rrahje zemre të parregullta) mund të sjellë si rezultat që ai të raportojë një ëndërr. Dekada të tëra punë kanë nxjerrë në pah çështje shumë të rëndësishme. Thuajse të gjithë ne i shohim ëndrrat me ngjyra. Edhe pse janë të çuditshme, shpesh ëndrrat përmbajnë aktivitete të përditshme.

Në ëndërr edhe mund të ndërhyhet. Nëse luan një muzikë të qetë, i hedh një dritë në fytyrë ose e spërkat me ujë personin, ai e përfshin një gjë të tillë në ëndërr. Megjithatë, një nga zbulimet më të rëndësishme të këtyre kërkimeve është se ju shihni shumë më shumë ëndrra sesa e keni menduar. Shkencëtarët e gjumit kanë zbuluar se ju shihni mesatarisht  katër ëndrra çdo natë. Ato ndodhin rreth njëherë në 90 minuta ose më shumë dhe secila zgjat rreth 20 minuta.

Ju i harroni shumicën e këtyre episodeve në momentin që zgjoheni. Kështu mendoni se keni parë shumë më pak ëndrra. I vetmi përjashtim është kur zgjoheni gjatë një ëndrre. Nëse ndodh kjo, zakonisht do mbani mend disa gjëra nga ëndrra e ndoshta edhe momente  specifike. Por, nëse nuk është një ëndërr shumë goditëse, do e harroni shumë shpejt. Megjithatë,  ka disa rrethana që mund të rrisnin ndjeshëm mundësinë për të mbajtur mend këto ëndrra.

Le të imagjinojmë  tre netë me ëndrra që ju trazojnë shpirtin. Në ditën e parë, shkoni në krevat pas një dite të lodhshme pune. Gjatë natës ju kaloni në faza të ndryshme të gjumit dhe përjetoni disa ëndrra. Në orën 7:00 të mëngjesit, truri juaj shpërthen  sërish dhe ju prezanton me një tjetër episod. Gjatë njëzet minutave ju ëndërroni  sikur jeni në një fabrikë akulloresh. Në këto momente bie zilja e orës dhe ju zgjoheni, por në mendje keni akulloret.

Ditën e dytë keni parë sërish disa ëndrra. Rreth orës 2:00 ju po shihni në ëndërr sikur po ecni në një korsi rruge të errët. Bashkë me ju në makinë në vendin e pasagjerit është këngëtari juaj i preferuar. Papritur një bretkosë gjigande lejla kërcen nga një pemë përpara makinës tuaj. Ju në përpjekje për ta shmangur, godisni një pemë. Sërish në botën reale ju zgjoheni me një kujtesë të mjegulluar për këngëtarin tuaj të preferuar, bretkosën gjigande, pemën dhe një vdekje të pashmangshme.

LEXONI: Si të kapërceni dyshimet kur ndiqni një ëndërr?

Natën e tretë, në orën 4:00 ju përjetoni një ëndërr tjetër. Ju jeni detyruar të merrni pjesë në një audicion për filmin e njohur të Johnny Depp “Çarli e Fabrika e Çokollatës”. Në mëngjes,  kur të zgjoheni, do ndizni radion dhe do zbuloni se këngëtari juaj i preferuar ka vdekur natën gjatë një aksidenti rrugor. Sipas një raporti, ai ka bërë aksident në përpjekje për të shmangur një makinë që i vinte përballë pasi kishte hyrë në korsinë e gabuar.

Lajmi vepron si një këmbëz, dhe ëndrra për aksidentin ju mbetet në mendje. Dy ëndrrat e tjera, ajo për fabrikën e akulloreve dhe për fabrikën e çokollatës zhduken. Ju jeni të bindur se keni fuqinë e profecisë. Dhe kjo nuk ndalet këtu për shkak se ëndrrat janë surreale. Atëherë si shpjegohen bretkosa, korsia e errët? Mundet që bretkosa shpjegon njeriun që i doli përpara këngëtarit tuaj në mënyrë të papritur, po ashtu një rrugë fshati ngjan gjithsesi me një rrugë qyteti. Ju shihni shumë ëndrra ku përfshihen shumë ngjarje. Shumica e ëndrrave nuk lidhen me ngjarjet dhe i harroni.

Shumica e ëndrrave që shohim janë të zymta. Ne shohim vrasjen e liderëve botërore në ëndërr, shohim veten në ceremonitë mortore të miqve tanë, aeroplanë që bien nga qielli dhe vende që nisin luftë. Shumë rrallë njerëzit raportojnë se kanë parashikuar një gjë të lumtur në ëndrrat e tyre, p.sh dikë që martohet apo që merr një detyrë të mirë. Shkencëtarët e gjumit kanë zbuluar se rreth 80 përqind e ëndrrave nuk janë të bukura, por fokusohen rreth ngjarjeve negative. Për shkak të kësaj, lajmet e këqija më shumë se lajmet e mira janë të prirura për të provokuar kujtesën e një ëndrre.

John Barker kishte zbuluar se 60 njerëz kishin parashikuar në ëndërr tragjedinë e Aberfanit. Por ata njerëz mund të kenë parë shumë ëndrra përpara se kjo ngjarje të ndodhte, dhe kujtojnë e raportojnë vetëm atë ëndërr që lidhet me tragjedinë. Për më tepër, ekziston mundësia që ata ta kenë ndryshuar ëndrrën që të përshtatej me ngjarjet.

Sigurisht që ata që besojnë tek aktivitetet paranormale mund të thonë se kanë mbajtur shënim ëndrrat e tyre në një ditar dhe ato përkojnë me atë që ka ndodhur më pas. Në vitet ’60, shkencëtarët kanë zbuluar se ëndrrat tona nuk ndikohen vetëm nga ngjarjet që na rrethojnë, por edhe reflektojnë shqetësimin e mendjes sonë.

Kështu, vajza e vogël që ka parë në ëndërr shkollën e mbuluar me të zezë, mund të ketë reflektuar shqetësimet e shprehura shpesh nga inxhinierët për qymyrin që rrethonte shkollën. Ajo e ka dëgjuar këtë shqetësim të shprehej nga të rriturit.

Ky parim njihet me emrin “Ligji i numrave të mëdhenj”. Janë me mijëra e miliona ëndrra që shihen çdo natë. Nisur nga fakti që me qindra tragjedi ndodhin çdo ditë dhe nga ajo që thamë se ëndrrat e zymta janë më të shumta në numër, duket se profecitë janë të pashmangshme.

Ekstrakt nga libri i profesorit të njohur britanik Richard Wiseman, me titullin “Paranormalja: Përse besojmë në të pamundurën”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0