“A je gjallë?”, aplikacioni që po pushton Kinën mes të rinjve që jetojnë vetëm - Business Magazine Albania

“A je gjallë?”, aplikacioni që po pushton Kinën mes të rinjve që jetojnë vetëm

Një aplikacion i ri me emër të zymtë ka pushtuar Kinën. I quajtur ”A je gjallë?’‘ koncepti është i thjeshtë. Duhet të regjistrohesh në të çdo dy ditë duke klikuar një buton të madh, për të konfirmuar se je gjallë. Nëse nuk e bën, aplikacioni do të kontaktojë personin tënd të caktuar për emergjencë dhe do ta informojë se mund të jesh në rrezik.

Ai u lançua në maj të vitit të kaluar pa shumë bujë, por vëmendja rreth tij ka shpërthyer në javët e fundit, me shumë të rinj që jetojnë vetëm në qytetet kineze duke e shkarkuar masivisht.

Kjo e ka shtyrë aplikacionin të bëhet aplikacioni me pagesë më i shkarkuar në vend. Sipas institucioneve kërkimore, deri në vitin 2030 në Kinë mund të ketë deri në 200 milionë familje me një person, raporton media shtetërore kineze Global Times.

Dhe pikërisht këta persona janë në shënjestër të aplikacionit, i cili e përshkruan veten si një “shoqërues sigurie… pavarësisht nëse je një punonjës zyre që jeton vetëm, një student që jeton larg shtëpisë, apo kushdo që zgjedh një stil jete të vetmuar”.

“Njerëzit që jetojnë vetëm në çdo fazë të jetës së tyre kanë nevojë për diçka të tillë, ashtu si introvertët, ata që vuajnë nga depresioni, të papunët dhe të tjerë në situata të cenueshme,” shkroi një përdorues në rrjetet sociale kineze.

“Ekziston frika se njerëzit që jetojnë vetëm mund të vdesin pa u vënë re, pa pasur askënd për të thirrur për ndihmë. Ndonjëherë pyes veten, nëse do të vdisja vetëm, kush do ta merrte trupin tim?” tha një tjetër.

Lexo edhe:Shtatzënia artificiale, mit viral apo hapi i parë drejt lindjes nga robotët?

Disa kanë qenë të shpejtë në kritikimin e emrit aspak të gëzueshëm të aplikacionit, duke thënë se regjistrimi në të mund të sjellë fat të keq. Të tjerë kanë kërkuar që emri të ndryshohet në diçka me një tingëllim më pozitiv, si “A je mirë?” ose “Si je?”. Dhe megjithëse suksesi i këtij aplikacioni duhet të jetë, pjesërisht, falë emrit të tij tërheqës, kompania pas aplikacionit, Moonscape Technologies, ka deklaruar se po i merr parasysh kritikat ndaj titullit aktual dhe po shqyrton një ndryshim të mundshëm emri.

Aplikacioni, i cili ndërkombëtarisht është i listuar me emrin Demumu, renditet në dy vendet e para në SHBA, Singapor dhe Hong Kong, dhe në katër vendet e para në Australi dhe Spanjë për aplikacionet me pagesë të kategorisë “utility” – ndoshta i nxitur nga përdorues kinezë që jetojnë jashtë vendit.

Emri aktual është një lojë fjalësh me një aplikacion shumë të suksesshëm shpërndarjeje ushqimi të quajtur “A je i uritur?”. Në kinezçe, “Si-le-ma” tingëllon si emri i aplikacionit të ushqimit “E-le-ma”.

Fillimisht i lançuar si aplikacion falas, tani ai ka kaluar në kategorinë me pagesë, megjithëse me një çmim të ulët prej 8 juanësh (1.15 dollarë; 0.85 paund).

Dihet pak për themeluesit e ”A je gjallë?”, por ata thonë se janë tre persona të lindur pas vitit 1995, të cilët e ndërtuan aplikacionin nga Zhengzhou, në provincën Henan, me një ekip të vogël.

Tani ai është rritur ndjeshëm në vlerë. Njëri prej tyre, i njohur si zoti Guo, u tha mediave kineze se synonin të mblidhnin fonde duke shitur 10% të kompanisë për një milion juanë. Kjo është shumë më tepër sesa 1,000 juanët (140 dollarë) që thonë se u kushtoi ndërtimi i aplikacionit.

Ata po kërkojnë gjithashtu të zgjerojnë audiencën e synuar ,duke thënë se po eksplorojnë idenë e një produkti të ri të projektuar posaçërisht për të moshuarit, në një vend ku mbi një e pesta e popullsisë është mbi moshën 60 vjeç.

Si një tregues se po e shqyrtojnë seriozisht këtë mundësi, gjatë fundjavës ata postuan: “Ne dëshirojmë të bëjmë thirrje që më shumë njerëz t’i kushtojnë vëmendje të moshuarve që jetojnë në shtëpi, t’u japin më shumë kujdes dhe mirëkuptim. Ata kanë ëndrra, përpiqen të jetojnë dhe meritojnë të shihen, të respektohen dhe të mbrohen.”

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0