A janë gati robotët humanoidë për momentin e tyre ashtu si ChatGPT? - Business Magazine Albania

A janë gati robotët humanoidë për momentin e tyre ashtu si ChatGPT?

Robotët humanoidë, të cilët kanë shënuar përparime të rëndësishme teknologjike këtë vit, mund të jenë në prag të një shpërthimi të ngjashëm me ChatGPT,  të paktën kështu besojnë shumë në industri.

Robotët humanoidë janë makina të fuqizuara nga inteligjenca artificiale, të dizajnuara për të ngjarë me njeriun në pamje dhe lëvizje, me përdorime të pritshme si në sektorin industrial, ashtu edhe në atë të shërbimeve. Prodhuesit kanë punuar prej vitesh në prapaskenë për zhvillimin e këtyre teknologjive. Tashmë ata thonë se janë gati t’i hedhin në treg. “Ekziston një konsensus në industrinë tonë se momenti ChatGPT për robotët humanoidë ka mbërritur,” tha Xiong Youjun, menaxher i përgjithshëm në Beijing Innovation Center for Humanoid Robotics, gjatë një paneli diskutimi në Singapor. “Ky vit është përcaktuar si viti i parë i prodhimit masiv të robotëve humanoidë,” shtoi ai, duke theksuar se progresi është bërë si në “trupat” mekanikë, ashtu edhe në “trurin” e fuqizuar nga AI.

“Momenti ChatGPT” origjinal ndodhi në fund të vitit 2022, kur OpenAI publikoi chatbot-in revolucionar gjenerues, i cili solli adoptim masiv të modeleve të mëdha gjuhësore dhe zbuloi potencialin e tyre të gjerë.
Prodhuesit e robotëve humanoidë shpresojnë të rikrijojnë këtë ndikim. Mes tyre përfshihet Optimus i Teslës, ndërsa një valë start-up-esh po lind në Kinë, si Unitree, Galbot, Agibot dhe UBTech Robotics, duke nxjerrë produkte konkrete në treg. Edhe pse robotët humanoidë janë ende larg nivelit të adoptimit të AI gjenerative, shumë ekspertë parashikojnë që teknologjia do të ketë ndikim transformues në ekonominë globale brenda disa viteve. Në fakt, robotët tashmë po shfaqen në fabrika, konferenca teknologjie dhe madje edhe në evente sportive.

Lexo edhe: Apple humb mbi 100 miliardë dollarë pas prezantimit të iPhone 17

Elon Musk ka deklaruar se Tesla pret të prodhojë 5,000 robotë Optimus vetëm këtë vit, duke besuar se në të ardhmen teknologjia mund të bëhet pjesa kryesore e biznesit të kompanisë. Ndërkohë, kompani kineze si Galbot dhe UBTech thonë se tashmë i kanë vendosur robotët e tyre në fabrika dhe shërbime komerciale. Zhao Yuli, shefi i strategjisë në Galbot, theksoi se start-up-i ka instaluar gati 1,000 robotë në biznese të ndryshme. Sipas tij, kjo rritje shoqërohet nga interes i madh i investitorëve, mbështetje qeveritare dhe maturim i teknologjisë, si në fushën e robotikës, ashtu edhe të inteligjencës artificiale. Këto përparime janë ekspozuar edhe në ngjarje si World Humanoid Robotics Game në Kinë, ku robotët konkurrojnë në skenarë praktikë. Galbot fitoi medalje ari në një sfidë për renditjen e barnave. Përmirësimet në kontrollin e lëvizjeve janë demonstruar gjithashtu në aktivitete sportive si maratonat apo ndeshjet e boksit. Një tjetër hap i madh është aftësia e re e robotëve për të mësuar në vend, falë AI gjenerative, duke mos u kufizuar më vetëm në komanda të programuara paraprakisht.

Megjithatë, jo të gjithë ekspertët ndajnë të njëjtin entuziazëm për një adoptim të menjëhershëm. “Humanoidët nuk do të shfaqen të gjithë menjëherë si ChatGPT, por gradualisht do të zënë pozicione të ndryshme me rritjen e kapaciteteve të tyre,” shprehet analisti Reyk Knuhtsen nga SemiAnalysis. Ai shton se aplikimet e para do të jenë në detyra me rrezik të ulët dhe ku lejohet dështimi. Kostot e larta dhe afatet e gjata të prodhimit janë faktorë që e bëjnë më të ngadaltë adoptimin krahasuar me AI-në gjenerative. Vetë Xiong nga UBTech pranoi se sektori përballet ende me pengesa si çështjet etike, ligjet dhe rregulloret që duhen adresuar. Megjithatë, investimet pritet të vazhdojnë nëse përmirësimi i autonomisë së robotëve vijon. “Potenciali i tregut është gjigant, në varësi të performancës së AI… Nëse teknologjia funksionon, ajo ka fuqinë të transformojë shumë procese pune në mbarë botën,” theksoi Knuhtsen.

Sipas Merrill Lynch, dërgesat globale të robotëve humanoidë do të arrijnë në 18,000 njësi në vitin 2025, nga vetëm 2,500 vitin e kaluar. Analistët parashikojnë gjithashtu një “popullatë” globale prej 3 miliardë robotësh deri në vitin 2060. Pra, industria e robotëve humanoidë mund të mos ketë ende momentin e vet të menjëhershëm “ChatGPT”, por është e qartë se një epokë e re në marrëdhënien mes njeriut dhe makinës ka nisur.

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0