A është shkruar dokumentari i Stranger Things me ChatGPT? - Business Magazine Albania

A është shkruar dokumentari i Stranger Things me ChatGPT?

Nëse mendonit se ChatGPT shërben vetëm për të shkruar detyra universiteti apo për t’u shfryrë pas një ndarjeje të keqe (jo e këshillueshme), fansat e Stranger Things mund t’ju bëjnë të mendoni se inteligjenca artificiale po shkruan tashmë edhe skenarë serialesh.

Dokumentari i ri i Netflix, “One Last Adventure: The Making of Stranger Things 5”, u publikua më 12 janar dhe, në vend të entuziazmit të zakonshëm, shkaktoi një stuhi reagimesh online. Fansat u ulën përpara ekranit duke pritur magjinë prapa kuintave të sezonit final, por ajo që panë u shndërrua shpejt në polemikë.

Çfarë fshihet pas perdes së sezonit të pestë?

Dokumentari dyorësh premtonte një vështrim nga afër në procesin krijues të vëllezërve Duffer: prova me aktorët, diskutime në dhomën e shkrimtarëve, intervista dhe momente nga realizimi i sezonit të pestë. Nga prapaskenat në set deri te bloopers-at, pritshmëritë ishin nostalgji dhe emocion. Por fansat me sy të mprehtë vunë re diçka tjetër: tab-e që ngjanin me ChatGPT të hapura në një laptop, të kapura për pak sekonda në një pamje prapa skenës.

Pamjet u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, veçanërisht në X (ish-Twitter), duke ndezur spekulime masive: A ishte sezoni i pestë i Stranger Things i asistuar nga inteligjenca artificiale?

Akuzat ranë në një terren tashmë të ndjeshëm, pasi një pjesë e publikut kishte shprehur pakënaqësi për rrjedhën e historisë dhe ritmin e finales. Duhet theksuar se pamjet ishin të paqarta dhe askush nuk mund të konfirmojë me siguri se tab-et ishin vërtet ChatGPT. Megjithatë, siç ndodh shpesh në internet, ideja u përhap shpejt, duke u përzier me zhgënjimin e fansave dhe frikën nga përfshirja e AI në krijimtarinë artistike.

Lexo edhe:“Bukë e gjath” në Tiranë, street food-i shqiptar që po fiton zemrat e qytetit

Polemika të tjera që ndezën debat

Situata u komplikua edhe më shumë kur vëllezërit Duffer pranuan në dokumentar se xhirimet e sezonit të pestë nisën pa pasur të përfunduar skenarin e finales. Ky zbulim ngriti pikëpyetje mbi planifikimin dhe drejtimin krijues të serialit. Në një tjetër moment, aktorja Maya Hawke (Robin) shihet duke i kërkuar regjisorit Shawn Levy të ndryshojë një replikë, pasi disa personazhe nuk ishin në dijeni të lidhjes romantike mes Robin dhe Vickie. Edhe pse Levy e pranoi sugjerimin, reagimi i fansave online ishte kritik. Gjithashtu, shumë shikues vunë re mungesën e David Harbour (Jim Hopper) dhe Winona Ryder (Joyce Byers) në dokumentar. Mosprania e dy aktorëve kryesorë vetëm sa shtoi spekulimet për tensione të mundshme prapa skenave apo konflikte krijuese.

Deri më tani, as Netflix dhe as vëllezërit Duffer nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj polemikave për ChatGPT. Nëse inteligjenca artificiale ka pasur vërtet një rol apo jo, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt: kjo ngjarje e ka bërë finalen e Stranger Things edhe më dramatike — ndoshta po aq sa vetë Upside Down.

thestatesman

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0