Teknologjia dhe Inovacioni: Jemi të ndalur apo jemi përpara një mundësie?

Teknologjia dhe Inovacioni: Jemi të ndalur apo jemi përpara një mundësie?

Vodafone Albania

Për cilindo që mund ta ketë harruar, ishte pikërisht data 9 Mars, dita kur jetët tona u hasën me ndryshime të papritura. Befas, mënyra si mendonim, si e planifikonim ditën, si e jetonim çdo orë, rutina e punës dhe marrëdhëniet me njerëzit nuk ishin si më parë.

Një situatë e pazakontë, por e cila na ndërgjegjësoi gjithmonë e më shumë mbi nevojën e ndërthurrjes së botës fizike me atë digjitale.

U njohëm mjaft shpejt me nocione (deri më parë të konsideruara si opsione të largëta) si mësimi në distancë, puna nga shtëpia, pazari i produkteve bazë nga smartfoni, bashkëpunimi online në punë etj., dhe këto shërbime u përqafuan natyrshëm si nga bizneset ashtu dhe nga konsumatori.

Kjo tregoi se, përtej paragjykimeve të mëparshme se ‘nuk ka ardhur koha e duhur për përdorimin në masë të shërbimeve digjitale pasi konsumatori nuk është gati’, ka ekzistuar mungesa e mendësisë së biznesit për të provuar të eksperimentojë që këto shërbime t’ia vërë në dispozicion klientëve.

Shpesh mendoj sa të vështirë e kemi pasur për të bindur kompani të ndryshme të ndërtonin një Website apo një webfaqe e-commerce. Përgjigjet më të shpeshtë ishin të tilla si “Nuk blejnë Shqiptarët online, nuk është koha, nuk kam nevojë, nuk e kam prioritet, nuk kam besim se do ecë, nuk marr vesh nga IT-ja, etj.

Por, kjo situatë e paparashikueshme për askënd na tregoi që këto zhvillime në sektorin e shërbimeve digjitale përbëjnë nevojë akute dhe domosdoshmëri.

Ishte fakt mjaft interesant, se si zgjidhje të reja (ose jo popullore në përdorim), për shembull konsultat mjekësore online dhe software apo platforma inovative për arsimin dhe edukimin e fëmijëve tanë, treguan që janë në gjendje të vitalizojnë procese mjaft të rëndësishme të jetës.

Ishin sipërmarrjet, kryesisht ato në fushën e teknologjisë dhe komunikimit të cilat u përshtatën më shpejt, duke angazhuar punonjësit nga shtëpia dhe duke zhvilluar më tej mundësitë për të punuar në distancë, ndërkohë që shumë kompani të tjera u mbyllën plotësisht.

“Vetëm gjatë këtyre dy muajve ne kemi bërë ndryshime të cilat nuk mund t’i kishim menduar për vite të tëra dhe për këtë mund t’ju jap edhe shembuj. Në kohë rekord, ne kaluam biznesin nga zero në 100% të punuarit nga shtëpia, përfshirë këtu edhe kolegët e shërbimit ndaj klientit.

Askujt nuk mund t’i shkonte mendja që kjo gjë do të ishte e mundur. Por ja që ky është tashmë realiteti dhe ky realitet i ri po transformon bizneset me një ritëm tejet të shpejtë dhe unë besoj që edhe vetë qeveritë do të bëjnë të njëjtën gjë në këtë kohë. Çdo lëvizje ndodhi e detyruar nga pandemia, megjithatë po ndryshon mënyrën sesi ne tashmë po e bëjmë punën tonë, biznesin, por po ndryshon edhe mënyrën se si do të funksionojë ekonomia më pas, në epokën pas Covid-19”, u shpreh z. Achileas Kanaris, drejtori ekzekutiv i Vodafone Albania, i ftuar në emisionin Ilva Now.

Vodafone albania

Ndërkohë Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë z. Enio Jaço tha se goditja ndaj bizneseve ka qenë e madhe, si tek të ardhurat edhe tek punësimi.

“Kemi një situatë që fatkeqësisht mendojmë se do të vazhdojë sepse COVID ka shenja që po përsëritet dhe pikërisht në këtë moment mendojmë se digjitalizimi është një mundësi, jo për të kaluar nga kriza por për të parë disa oportunitete,” deklaroi z. Jaço.

“Normaliteti i ri do të thotë se të gjithë bizneset duhet të përshtaten me një mënyrë tjetër të të punuarit që do të vazhdojë për një kohë disi të gjatë,’ shtoi presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë.

Vodafone Albania

Duke folur rreth nevojave që i lindën shoqërisë për shkak të goditjes së menjëhershme dhe të thellë të pandemisë, z. Achilleas Kanaris u shpreh se kompanive teknologjike iu shtrua detyra thelbësore për të krijuar mundësitë e mëdha dhe për të dyfishuar kapacitetet e veta duke qenë se njerëzit dhe aktivitetet u drejtuan nga teknologjia.

“Ne kemi ndjekur një program tonin, më të madhin në histori, që prej fillimit të Vodafonit. Kemi angazhuar pothuajse përgjatë kohës së Covid-19, rreth 4 milionë euro si investim total sepse kuptuam sa e rëndë ishte situata dhe sa e madhe ishte nevoja që qytetarët të kishin aksesin e duhur në teknologji,” deklaroi z. Kanaris.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Vodafone Albania, kompanitë u sfiduan të tregonin edhe mbështetjen ndaj shoqërisë dhe burimeve të tyre njerëzore.

“Kemi reaguar në 5 aspekte kryesore, kritike për ne. Së pari jemi përqendruar tek kolegët tanë, që të gjithë të ishin të sigurtë prandaj e kemi kaluar biznesin nga zero deri në 100% të të punuarit nga shtëpia.

Së dyti, mbështetëm punësimin, në rreth tre mijë familje. Jo vetëm që nuk i ulëm rrogat por kemi vazhduar t’i paguajmë së bashku me shpërblimet apo bonuset e ndryshme, që familjet të kishin mundësinë e të ardhurave si më parë. Kemi punuar me rrjetet tona dhe qëndrueshmërinë e rrjetit.

Trafiku i internetit në rrjetin tonë fiks u dyfishua në vetëm pak javë, prandaj na u desh të investonim në përmirësimin e kapaciteteve tona. Kemi punuar shumë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Arsimit, me dy projekte shumë të rëndësishme për të mbështetur mjekët dhe infermierët që kanë punuar në vijë të parë, por edhe 15 mijë fëmijë, nxënës që nuk kishin as mundësinë më minimale për të ndjekur shkollën online”, sqaroi ai.

Sipas ekspertëve digjitalizimi është e vetmja rrugë, që i mbetet shteteve për një të ardhme të qëndrueshme drejt progresit.

“Do të isha optimist në aspektin e njerëzve, ne kemi një popullsi të re dhe kjo ndihmon shumë. Njerëzit janë të aftë adaptohen me teknologjinë e re, flasin gjuhë të huaja dhe kjo është gjë e mirë, por ky është një optimizëm i kushtëzuar në një farë mënyre. Që të jesh një optimist i plotë duhet të kemi dhe elementët e tjerë si infrastruktura, legjislacioni dhe shërbimet e tjera të digjitalizimit si faktor pozitiv dhe përparues,” u shpreh z. Jaço.

Drejtori Ekzekutiv i Vodafone Albania, z. Achilleas Kanaris tha se vendet e vogla si Shqipëria kanë mundësinë të ecin përpara shumë më shpejt se të tjerat, por mbeten ende disa kushte për t’u plotësuar.

“Tashmë ne po përqendrohemi jo vetëm tek teknologjia, por shumë edhe tek vetë procesi dhe rregullimi i tij. Gjërat që e pengojnë Shqipërinë që të shndërrohet në një shoqëri të vërtetë digjitale, gjë për të cilën ne si kompani po punojmë fort, janë procesi dhe legjislacioni, pra rregullimi i kësaj çështjeje”, tha z. Kanaris.

Ekspertët theksojnë se nevoja e digjitalizimit është e pranishme në të gjitha aspektet jetësore dhe për të gjitha kompanitë, si ato tradicionale dhe ato inovatore.

Dy sfidat kryesore që shtrohen përpara Shqipërisë mbeten ndërgjegjësimi për digjitalizimin dhe harmonizimi i legjislacionit me atë të BE, sfida që nëse kapërcehen do të sillnin përfitime të konsiderueshme për sektorë thelbësore në vend si bujqësia dhe turizmi.

“Mendoj që ne duhet të ulemi në tryezë, jo vetëm qeveria por edhe sektori privat dhe të ripërkufizojmë strategjinë e vendit, pra ku dëshirojmë ta shikojmë Shqipërinë pas 15 vjetësh? Çfarë është unike për Shqipërinë? Çfarë duhet të promovojmë për Shqipërinë dhe më pas të zgjedhim dy apo tre sektorë dhe ta thellojmë dixhitalizimin në këto sektorë. Për mua kjo është e vetmja mënyrë e qëndrueshme e rifillimit të ekonomisë”- u shpreh z. Achilleas Kanaris duke vlerësuar se Shqipëria ka shumë potenciale për të ecur përpara.

Pra kjo periudhë na tregoi se kemi nevojë të menjëhershme të ndryshimit të përqasjes ndaj inovacionit. Nëse deri tani e kemi trumbetuar veçse me fjalë dhe me konferenca të mbetura në auditor apo në fjalime, është shumë e rëndësishme të ndërmerren hapa konkrete dhe të nxiten investime në këtë drejtim. Shoqëruar kjo me mbështetje për nismat apo idetë e reja që çojnë përpara zhvillimin.

Çuditërisht ky moment përbën një shans mjaft të mirë për tu kapur nga sipërmarrjet e reja sidomos ato startup, të cilat tashmë mund të përballen me një treg më të gatshëm për të pranuar zgjidhje inovative që plotësojnë shumë nevoja të kohës.

Ndërkohë që qeveria dhe bizneset e konsoliduara duhet të priren tu sigurojnë infrastrukturen e duhur ligjore dhe mbështetjen me kapacitetet e nevojshme për të realizuar në të ardhmen e afërt produkte dhe shërbime të reja.

Kjo është diçka që duhet të ishte bërë dje, por le ta bëjmë sot pasi nesër mund të jemi vonë.

Përgatiti: Gerti Boshnjaku

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0