Krijohet Dhoma Ekonomike e Gruas - Business Magazine Albania

Krijohet Dhoma Ekonomike e Gruas

Dhoma Ekonomike e Gruas

Është krijuar Dhoma Ekonomike e Gruas, kushtuar gruas dhe sipërmarrjes. Ajo vjen si një nismë e grave sipërmarrëse dhe profesioniste me dhjetëra vite përvojë në fushat e tyre.

Kryetarja e kësaj Dhome Antonela Hako thotë se, kjo nismë synon të fuqizojë gruan, familjen dhe ekonominë shqiptare. Dhoma parashikon të ngrejë dhe mbrojë interesat e sipërmarrjes.

Me eksperiencë në fusha të ndryshme të biznesit dhe konsulencës, grupimi i grave themeluese ka mundësi të sinkronizojë njohuritë, energjinë dhe dëshirën për kontribut, në mënyrë që ta përçojë edhe tek shumë sipërmarrje të tjera.

Gratë në karrierë e biznes përballen me sfida të mëdha në nivel lokal dhe global: studime të shumta flasin për aksesin e ulët të gruas në financa krahasuar me meshkujt, ndërsa në vendet në zhvillim, sfidat e gruas janë edhe më komplekse.

Por, njëkohësisht gruaja është potencial i madh dhe burim i pashtershëm energjie. Pikërisht ajo, që i nevojitet ekonomisë dhe vendit tonë.

Themelueset e kësaj dhome thonë se, qëllimi është mbrojtja e interesave ekonomike dhe sociale të grave sipërmarrëse, profesioniste dhe të vetëpunësuara në të gjitha fushat. Dhoma parashikon të ofrojë shërbime, që nxisin zhvillimin ekonomik e social të tyre, promovim dhe mundësi bashkëpunimi veprimtari promovuese dhe zhvilluese, bashkëpunime kombëtare dhe rajonale, studime, botime, projekte dhe konsulenca.

Themelueset e kësaj dhome janë të angazhuara në tregun e prodhimit dhe shërbimeve në vend, si dhe në fushën e konsulencës. Ato janë:

Antonela Hako, drejtuese e kompanisë Hako. Karriera e saj nis me studimet në ekonomi. Në vitin 1990 angazhohet me punë pranë qendrës së informatikës ekonomike në Tiranë. Pas emigrimit, 4 vite në Greqi, rikthehet në Shqipëri për t’u marrë me biznes. Sot, Hako ka mbi 200 të punësuar në të gjithë vendin, ndërsa kanë nisur projektin e zhvillimit edhe në Kosovë.

Antoneta Ndreka, sipërmarrëse e Lufra, e angazhuar prej 20 vitesh në menaxhimin e cilësisë pranë Lufra-s, planifikimin e menaxhimin e burimeve njerëzorë dhe planifikimin e prodhimit. Ajo ka ndjekur kurse për teknika dhe procese të ndryshme të prodhimit të qumështit UHT, të marra në disa module në Itali në grupin Parmalat. Përmes USAID / Partnerët, ajo bëhet pjesë e disa programeve kualifikimi fokusuar tek drejtuesit e industrisë së qumështit.

Albana Muçaj, gazetare e çështjeve ekonomike dhe eksperte në fushën e komunikimit, prej 4 vitesh drejton edhe qendrën Multifunksionale Kallz. Sipërmarrje e fokusuar në shërbimet për fëmijët, prindërit, familjen. Krahas programit pas shkolle, kurseve dhe programeve verore dhe dimërore për fëmijë e të rritur, Albana vjen edhe me një media dedikuar prindërve dhe fëmijëve, Revista Kallz.

Alida Kondi, e diplomuar në fushën e ekonomisë në manaxhim turizmi dhe administrim publik, ka një përvojë 30 vjeçare në zhvillimin e SME-ve, politikave të SME-ve, zhvillimit të turizmit, organizatave të biznesit dhe konsulencës. Prej 9 vitesh, Alida drejton organizatën jo-fitimrurëse “Qendra për Promovimin e Konkurrueshmërisë”, me fokus zhvillimin e SME-ve, sipërmarrjes e biznesit social dhe shoqërisë civile.

Eglantina Aliaj është drejtuese e hotel New York, Vlorë. Angazhimi i saj në fushën e shërbimit të hoteleri turizmit mundëson ofrimin e një standardi cilësor shërbimi. Ajo menaxhon rreth 40 të punësuar, nga të cilët 27 janë gra.

Irena Toçi, prej 10 vitesh drejton Shtëpinë Botuese Toena në Tiranë, me një aktivitet të spikatur në fushën e botimit dhe të promovimit kulturor. Ajo është vlerësuar ndër vite nga institucione të ndryshme për kontributin e saj në këtë fushë. Irena ka përkthyer disa libra dhe ka punuar në cilësinë e kryeredaktores.

Klodiana Ajazi ka një experiencë të gjatë në shitje dhe marketing në koorporata të mëdha në vend. Klodiana ka mbajtur pozicione të rëndësishme drejtuese në zhvillim biznesi. Ajo ka themeluar dhe drejton kompaninë Inovest, me fokus menaxhim projekti në sektorin e ndërtimit dhe është bashkëthemeluese e drejtuese në agjencinë e marketingut Novus.

Lori Kapaj, menaxhere e përgjithshme e ALSA sh.p.k. Vlorë. Kompania e saj operon në industrinë e përpunimit të mishit prej 1993. Në jug të vendit ALSA është e pranishme prej 1998 ndërsa në rajonin e Shkodrës dhe Veri të Shqipërisë që nga viti 2013.

Tereza Gega, është administratore e sipërmarrjes artizanale “Zadrim”, Lezhë. E diplomuar në fushën e ekonomisë ajo është sot edhe presidente e Dhomës së Zejtarëve. Me kompaninë e saj dhe punimet e zonës, ajo ka marrë pjesë në disa panaire e konferenca ndërkombëtare.

Valbona Begolli, CEO e Alb Group, ka sjellë risi në fushën e shërbimeve, higjienës, distribucionit, dhe formimit. Prej 10 vitesh në sipërmarrje, Begolli ka kontribuar në fuqizimin e kapaciteve në tregun e punës. Begolli është gjithashtu konsulente pranë BERZH për zhvillim biznesi.

Ylldise Brahimaj, është Drejtore Ekzekutive e VRDA Foundation. Ajo është eksperte në Menaxhimin e Projekteve dhe Zhvillimin e SME-ve në:  EU-SME project, EBRD,USAID,UNDP,GIZ  WEB4YES. Kualifikimet e saj janë në menaxhimin dhe ekspertizën e SME-ve, /Trainim/coaching /Mentorim, e specializuar në disa fusha të biznesit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0