Njihuni me profesorin e Harvardit, i cili u bë miliarder falë Coronavirus - Business Magazine Albania

Njihuni me profesorin e Harvardit, i cili u bë miliarder falë Coronavirus

Një dekadë më parë profesori i biologjisë në Harvard dhe sipërmarrësi, Timothy Springer pa të ardhme në një firmë të re bioteknike dhe për këtë arsye bëri një investim të hershëm. Si rezultat i atij basti të vënë për një kompani në Massachusetts, të quajtur Moderna, ai tani është një miliarder.

Aksionet e Moderna, e cila ka prodhuar një vaksinë Covid-19, që aktualisht po testohet te njerëzit, u rritën më shumë se 12% këtë javë, në kundërshtim me rënien e përgjithshme në tregun e aksioneve. Kjo rritje e ka shndërruar Springerin në një miliarder:  Forbes  vlerëson se ai tani vlen 1 miliard dollarë bazuar në 3.5% të aksioneve të zotëruara prej tij në kompaninë Moderna dhe aksioneve të zotëruara prej tij në 3 kompani më të vogla biotech.

“Filozofia ime është të investosh në atë që di dhe unë jam një shkencëtar. Më pëlqen të zbuloj gjëra”, shpjegon 72 vjeçari Springer. “Shumë shkencëtarë investojnë në kompani të reja, por shumë pak janë të suksesshëm. Unë jam një investues aktiv dhe gjithashtu një shkencëtar shumë i rreptë dhe kjo është arsyeja pse kam një mesatare shumë të lartë suksesi”.

Të martën, Moderna njoftoi se Administrata e Ushqimit dhe Barnave e ShBA –së, përshpejtoi miratimin për kandidatin e saj për vaksinën anit- Covid-19, duke i dhënë një shtysë përpjekjes së firmës për të zhvilluar vaksinën e parë për sëmundjen. Moderna ishte kompania e parë që filloi testimet tek njerëzit  për vaksinën e saj, më 16 Mars në Seattle, dhe vlera e aksioneve të kompanisë është trefishuar që prej momentit kur OBSH e shpalli Covid-19 një pandemi në 11 Mars.

Përveç punës ‘’part time’’  si një investitor i bioteknikës, Springer është profesor i kimisë biologjike dhe farmakologjisë molekulare në Shkollën e Mjekësisë në Harvard, ku ai filloi mësimdhënien në 1977 dhe aktualisht këshillon studentët që zhvillojnë kërkime shkencore në laboratorin e tij. Në kërkimet e tij shkencore si imunolog në Harvard, Springer zbuloi molekula të lidhura me funksionin e limfociteve, të cilat çuan në zhvillimin e disa ilaçeve të bazuar në antitrupa të aprovuara nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Tentativa e tij e parë në sipërmarrje erdhi në vitin 1993, kur ai themeloi kompaninë bioteknike LeukoSite, të cilën ai e listoi në bursë në 1998 dhe ia shiti Millennium Pharmaceuticals një vit më vonë me vlerë prej  635 milionë dollarë. Prej këtij transaksioni Springer përfitoi aksione në kompaninë Millennium Pharmaceuticals, aksione të cilat kanë një vlerë prej 100 milionë dollarë.

Springer ishte një investitor themelues i Moderna në 2010, kur investoi rreth 5 milionë dollarë në kompani. Tani, një dekadë më vonë, ai investim fillestar kap vlerën prej afërsisht 870 milionë dollarëve. Por, shumë kohë përpara se Covid-19 të dilte në skenë, Springer tashmë po mendonte se si teknologjia mRNA mund të ndihmojë në zhvillimin e vaksinave.

“Shumë kohë më parë, ne mendonim se kjo teknologji mund të përdoret për të qenë gati në rast pandemie,” thotë Springer. “Kjo është arsyeja pse kemi investuar në testimin tek njerëzit të vaksinave kundër llojeve të ndryshme të gripit, lloje që nuk shihen normalisht në epidemi, por mund të shfaqen dhe të shkaktojnë një pandemi të re. Ne të gjithë ishim të vetdijshëm për këtë lloj skenari”.

Ndërsa Moderna mund të jetë basti më i rëndësishëm i Springer, ai është gjithashtu një investitor lider në tre start-up bioteknikë: Selecta Biosciences, Scholar Rock dhe Morphic Therapeutik. Në rastet e Scholar Rock dhe Morphic, Springer është gjithashtu bashkëthemelues, duke ndihmuar ndërtimin e kompanive të bazuara tek kërkimet e tij shkencore në Harvard. I pashqetësuar nga pasuria e tij e re, Springer është modest, pasi preferon të shkojë në punë me biçikletë, ku ai bën kërkime në laboratorin e tij. Luksi i tij i vetëm, thotë Springer, është shtëpia e tij. “Më pëlqen kopshtaria dhe mbledh gurët … nuk kam nevojë për para. Kam një mënyrë jetese akademike.”

Gjithashtu, ai po e përdor pasurinë për të ndihmuar komunitetin shkencor: Në vitin 2017 dhuroi 10 milionë dollarë për të  themeluar Institutin për Inovacionin e Proteinave, një organizatë jofitimprurëse e pavarur dhe e përkushtuar për të studiuar shkencën e proteinave dhe duke ndihmuar sipërmarrësit e bioteknikës të realizojnë idetë e tyre.

“Më pëlqen investimi aktiv, por gjithashtu më pëlqen shumë filantropia aktive,” thotë Springer. “Motivimi im prapa [Institutit] nuk është vetëm të ndihmoj në zhvillimin e antitrupave të rinj të besueshëm që shkencëtarët në të gjithë botën mund të përdorin për zbulimin biologjik, por gjithashtu, ka një teknologji të re që thjesht do të lejojë të bëhen zbulime të tjera. Ajo është lloji i shkencës që është e vështirë të bëhet ndryshe në akademi”.

Profesori i Harvardit nuk është i vetmi anëtar i klubit të miliarderëve, pasuria e të cilit është rritur nga beteja kundër Covid-19. Pasuritë e disa prej miliarderëve të fushës së kujdesit shëndetësor janë rritur me miliarda dollarë që kur OBSH deklaroi një pandemi globale më 11 Mars. Nga ana e tij, Springer është optimist se sektori i bioteknikës do të vazhdojë rritjen e shpejtë të tij edhe pas zhdukjes së pandemisë. “Më parë, ne akuzoheshim se po abuzonim me çmimin e ilaçeve, por tani, të gjithë janë mjaft të vetëdijshëm se bioteknika po u vjen në ndihmë”, thotë Springer. “Biotech ka shpresa të mëdha për ilaçet e reja, dhe besimi në bioteknikën është i justifikuar”.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0