Mësonjëtorja Virtuale ofron mësim falas për nxënësit e diasporës shqiptare

Mësonjëtorja Virtuale ofron mësim falas për nxënësit e diasporës shqiptare

Mësonjëtorja Virtuale

Në periudhën e shpërthimit të pandemisë së koronavirusit, institucionet arsimore mbyllën dyert dhe procesi i mësimdhënies vazhdoi online.

Për të lehtësuar këtë proces, një grup ekspertësh shqiptarësh në diasporë, mes tyre programues, inxhinierë, jurist, mjekë dhe biznesmenë, lançuan platformën “Mësonjëtorja Virtuale, Mëso Shqip”. Themeluesi kryesor i saj është Bledar Balla, i cili së bashku me grupin e lartpërmendur kanë investuar profesionalisht dhe financiarisht, për funksionimin e saj. Në një intervistë për BusinessMag, Bledar Balla na tregon më shumë për Mësonjëtoren dhe ecurinë e saj.

“Mesonjëtorja Virtuale, Mëso Shqip”, është një portal i ndërtuar për t’i ardhur në ndihmë mësuesve që të mund të krijojnë klasat virtuale me nxënës të diasporës shqiptare, por dhe me nxënës të huaj që dëshirojnë të mësojnë gjuhën shqipe.

Portali ofrohet pa pagesë për mësuesit në diasporë si një mjet për të arritur tek nxënësit e tyre duke kapërcyer të gjitha barrierat fizike, të kohës dhe problemet sociale. “Interesi për mësimin e gjuhës shqipe është në rritje dhe kjo është një e dhënë që na bën të ndihemi krenarë për punën e kujtdo, që investon kohë dhe energji në këtë proces”, na thotë Bledari.

Platforma u themelua para një viti për mesimin e gjuhës shqipe nga femijët shqiptarë në emigracion. Por në kushtet e pandemisë së COVID-19, administratorët e saj vendosën ta ofrojnë shërbimin e portalit pa pagesë për të gjithë mësuesit, që organizojnë klasa virtuale, në mënyrë që mësimdhënia të vazhdonte si proces.

Lexoni: ZERI.app, aplikacioni që ju kthen tekstet në audio

Mësonjëtorja Virtuale ofron të gjitha lehtësirat e nevojshme për të organizuar një orë mësimi, por edhe për të kontrolluar nxënësit në kohë reale. Mësuesit mund të shpjegojnë mësim, përmes dërrasës së zezë virtuale. Nga ana tjetër mund të regjistrojnë mungesat, të kryejnë teste dhe të vlerësojnë nxënësit e tyre.

Komunikimi live është i rëndësishëm në procesin e nxënies. Pikërisht këtë synon edhe kjo platformë duke ofruar komunikim mes nxënësve dhe mësuesve, përmes kamerës, pa një limit kohor, i cili mund t’i penalizojë.

Mësonjëtorja ofron mundësinë që nën sloganin “Mëso Shqip”, çdo shkollë dhe institucion mësimdhënieje të krijojë ambientin virtual për të zhvilluar procesin mësimor.

“Në javën e parë të lançimit të platformës kishim gati 200 nxënës të rregjistruar dhe rreth 60-70 mësues, të profileve te ndryshme, por numri i përdoruesve ka ardhur në rritje. Mes përdoruesve të platformës ka pasur edhe OJF ndërkombëtare”, thotë Bledar Balla.

Sistemi është i automatizuar dhe drejtohet nga mësuesi i lëndës, i cili krijon klasat e veta në bazë të programit mesimor dhe fton nxënësit, t’i bashkohen. Të dhënat e mësuesve dhe nxënësve janë të sigurta dhe nuk bëhen publike. “Ne ndërhyjmë vetëm nëse na kërkohet asistencë teknike, duke pasur të hapura kurse trajnimi thuajse 24 orëshe”, shton më tej themeluesi i saj.

Mësuesit janë vullnetarë dhe procesin e mësimdhënies e zhvillojnë për patriotizëm, si detyrim moral, që rrjedh nga dashuria për motrat dhe vëllezërit, mbesat dhe nipërit, që kemi larg.Është e rëndësishme që fëmijët të njohin gjuhën, historinë dhe gjeografinë e prejardhjes.

Gjatë intervistës, administratorët ndanë me ne edhe një shqetësim të tyre përsa i përket mungesës së mbështetjes.

“Ajo që na shqetëson është muri i indiferencës i organeve të zgjedhura ekzekutive.  Ne trokitëm në dyert e shtetit, por nuk arritëm të merrnim mbështetje”, na thotë Bledari në mbyllje të intervistës.

Për të vizituar websiten e platformës mund të klikoni këtu.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0