Oliver Varhelyi, Komisioneri Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë u pyet nga Euronews Albania disa orë para nisjes së konferencës së Donatorëve në Bruksel lidhur me pritshmëritë e tij për këtë event që synon mbledhjen e fondeve për rindërtimin nga tërmeti të Shqipërisë.
“Mendoj se sot do të shohim një ndihmë të konsiderueshme që do të vijë nga komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht nga Evropa. Unë shpresoj të shoh ofrimin e një ndihmë shumë të rëndësishme për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit. Ne shpresojmë të mbulojmë një pjesë mjaft të madhe të të gjitha dëmeve që janë shkaktuar,” u përgjigj komisioneri.
Lexo këtu: Mbështetje pas tërmetit. Nga diaspora e Bostonit nis fushata gjithëpërfshirëse
Pyetjes lidhur me shumën prej 300-350 milionë euro të përfolur deri më tani, komisioneri Varhelyi iu përgjigj: “Ne po punojmë ende dhe kemi gjithë ditën para nesh dhe shpresojmë të mbledhim në mënyrë të konsiderueshme më shumë se aq”.
Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj në një intervistë për televizionin “Klan”, duke folur për pritshmërinë nga Konferenca e Donatorëve ka deklaruar se synohet të mblidhet një fond prej 300 deri në 350 milionë euro. Nëse do të mblidhet një shifër poshtë kësaj pritshmërie, Ahmetaj thotë se Shqipëria do të gjendet përballë një vështirësie serioze financiare për të përballuar gjithë pasojat e tërmetit.
Në konferencë do të marrin pjesë vende anëtare të BE, partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues nga vende të tjera si dhe organizata ndërkombëtare dhe institucionet ndërkombëtare financiare, përfshirë OKB dhe Bankën Botërore.
Gjatë konferencës, koordinatorja Kombëtare e Vlerësimit të Nevojave të Pas-Katastrofës, Milva Ekonomi do të prezantojë Raportin e Vlerësimit, ndërsa Ministri për Rindërtim, Arben Ahmetaj do të paraqesë mekanizmat financiarë për kanalizimin e fondeve të rindërtimit.
Konferenca e Donatorëve do të mbyllet në mbrëmje rreth orës 19:00, ku Komisioneri për Zgjerimin, z. Olivér Várhelyi do të bëjë të ditur përfundimet dhe fondin total që do t’i ofrohet Shqipërisë.
Deri tani, Komisioni Evropian ka ofruar një grand prej 15 milionë euro për rindërtimin. Për këtë, Presidentja e KE dhe Kryeministri i Shqipërisë do të nënshkruajnë marrëveshje gjatë Konferencës.
Ndërsa, Holanda përmes ministrit të Jashtëm, z. Stef Blok ka konfirmuar se do të dhurojë një shumë prej 3 milionë euro për vendin tonë. Ndërkohë, Kryeministri i Kanadasë, z. Justin Trudeau pas një takimi me Kryeministrin, Edi Rama në Mynih, ka konfirmuar se vendi i tij do të jetë pjesëmarrës në Konferencë.
Në raportin e udhëhequr nga Banka Botërore për dëmet e shkaktuara përllogaritet që fatura të jetë 1 miliard euro. Nga tërmeti i 26 nëntorit, 51 persona humbën jetën kurse rreth 1 mijë të tjerë u plagosën.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.