Dhënia me koncesion në sektorë shërbimi siç është ai i shëndetësisë, ishte vetëm hapi i parë i koncesioneve në shërbime. Në planin 1 miliard euro të investimeve në formën e partneritetit publik privat, pritet të jenë shumë shërbime publike, përfshirë mirëmbajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore. Një projektligj “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” dërguar së fundi në Kuvend e që pritet të nisë diskutimet në janar, parashikon dhënien me koncesion në formën e partneritetit publik- privat edhe për muze e objekte të trashëgimisë kulturore.
Argumenti kryesor është dhënia jetë këtyre objekteve, disa prej të cilave sipas ministrisë së Kulturës kanë problem në investim e mirëmbajtje. Në relacionin e projektigjit, theksohet se, pasuritë e paluajtshme kulturore në administrim të institucioneve qendrore ose vendore mund të jepen në përdorim, për qëllim rijetëzimi, për funksione administrative e social-kulturore, me kusht që projekti i rijetëzimit të mos dëmtojë vlerën e pasurisë kulturore. Partneriteti publik-privat, pra koncesioni, në rastet e parashikuara pritet të zgjasë për 20 vite. Ministria e Kulturës ka theksuar në relacionin që shoqëron projektligjin se deri më tani, pavarësisht parashikimeve, nuk ka pasur një bashkëpunim me koncesion në mirëmbajtjen e objekteve të pasurive të paluajtshme. “Edhe pse në ligjin aktual ka një parashikim të tillë, i cili mundëson marrëdhëniet mes shtetit dhe privatit, më qëllim mirëmbajtjen e objekteve të pasurive të paluajtshme, ky bashkëpunim nuk ka funksionuar në praktikë dhe më së shumti është shteti ai që financon për restaurimin e objekteve në pronësi private.
Deri më sot nuk është realizuar asnjë marrëveshje që privatët të angazhohen për mirëmbajtje qoftë për të marrë kredi të butë”, thuhet në relacion. Dhënien me koncesion, ministria e Kulturës e cilëson si një formë të re të administrimit të pasurive kulturore, për të cilat procedurat për aplikimin e tyre rast pas rasti janë të qarta, transparente dhe kolegjiale. Hartuesit e projektligjit shprehen optimist për format e reja të PPP-ve ndonëse theksojnë hapur problemet e shfaqura më parë në administrim të dyfishtë. “Një e metë e vërejtur në zbatim të ligjit aktual, është raporti i krijuar ndërmjet privatit dhe shtetit për shfrytëzimin e monumenteve të kulturës ndërmjet rijetëzimit. Kjo politikë e ndjekur ka rezultuar negative pasi nga ky rijetëzim, shtetit i janë dëmtuar monumente me vlera të veçanta”, thuhet në relacion. Përmes projektligjit të ri, ministria e Kulturës parashikon që përdorim i pasurive kulturore të ndahet në tre kategori: në formë të drejtpërdrejtë, rijetëzimi dhe i tërthortë. Përjashtohen nga dhënia me koncesion, tërësi të njësive territorial, sipas përcaktimit të saj në listën e pasurive botërore të UNESCOs, tërësia e njësisë territoriale, e regjistruar si pasuri kulturore “me rëndësi kombëtare”, përveç atyre të përcaktuara me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, rezervat arkeologjike apo pjesët prej tyre, përveç atyre që përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore, pasuritë kulturore me rëndësi fetare.
Në projektligjin “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” përcaktohen edhe rastet kur lejohen ndërtime brenda zonave të dhëna tek privatët për rijetëzim. Për këto raste theksohet se, “në rast se subjekti kërkues do të ndërtojë infrastrukturën përkatëse, ndërtesa dhe instalime ndihmëse në zonat e lira të zbulimeve arkeologjike brenda zonës së mbështetur, kontrata duhet të përcaktojë kushtet teknike për ndërtimin e kësaj infrastrukture”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.