Qeveria është borxhliu më i madh jashtë nga të gjithë aktorët vendas. Me 3.4 miliardë euro, ajo mbart mbi 43% të totalit të borxhit tonë të jashtë. Të dytat në “tortën”e borxhit janë kompanitë e huaja që kanë ndërmarrë investime direkte. Për investimet e kryera apo në proces, ka shkuar 22.3% e totalit të borxhit të jashtëm të ekonomisë shqiptare. Korporatat depozituese zënë 17.3% dhe borxhi i sektorëve të tjerë 16.5%.
Qeveria dhe huatë ndër kompani kanë dhënë ndikimet kryesore në zvogëlimin e raportit të stokut të borxhit të jashtëm ndaj PBB-së nominale, sipas Bankës së Shqipërisë. Borxhi i jashtëm bruto zbriti në 70% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 75%. Ndër vite, në borxhin e jashtëm po merr gjithjë e më shumë peshë borxhi afatgjatë. I tillë është sot gati 80% e totalit të borxhit të jashtëm bruto.
Një tjetër tregues i rëndësishëm për përmasat e borxhit është raporti i rij me eksportet tona. Borxhi shkon sa gati dyfishi i eksporteve, me 183.6% të eksporteve. Ndaj një viti më parë, është përmirësuar ndjeshëm duke u ulur rreth 36% (pasi eksportet u rritën rreth 15%). Por, Banka e Shqipërisë vëren se me gjithë përmirësimin, ky tregues është ende tej pragut kritik prej 150%.
Banka vëren gjithashtu se stoku i rezervës valutore në vendin tonë është i mjaftueshëm për të përballuar goditjet negative të mundshme nga jashtë. Kjo rezervë mbulon 6.6 muaj importe mallrash dhe shërbimesh dhe është sa 175.8% e borxhit të jashtëm afatshkurtër në fund të tremujorit të dytë 2017.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.