Hapen konkurset për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve! - Business Magazine Albania

Hapen konkurset për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve!

Edi Rama

Sot u hapën konkurset për dy projektet e para të Korporatës Shqiptare të Investimeve, ku 10 studio prestigjioze do të prezantojnë projekt-idetë e tyre për katër zhvillime të reja para një jurie ndërkombëtare.

Këto projekte do të sjellin një qasje të re në ndërtimin e zyrave dhe krijimin e hapësirave bashkëkohore për administratën publike.

Shteti do të ofrojë pronat publike dhe do të ftojë investitorë vendas dhe të huaj për të ndërtuar këto projekte. Kjo do t’i mundësojë shtetit, si pronar i truallit, të fitojë një infrastrukturë moderne për institucionet publike që aktualisht funksionojnë në ambiente me qira, të cilat nuk ofrojnë kushte të përshtatshme për shërbime cilësore.

Në ceremoninë e hapjes së konkurseve, Kryeministri Rama theksoi se: “shteti nuk do të dorëzojë më prona, ashtu siç i ka dorëzuar në të shkuarën tek privatët, por do të futet në një rol po aq aktiv si përfaqësues i pronës së vet përmes AIC për të nxjerrë nga shfrytëzimi i pronave publike, të mira publike dhe natyrisht edhe për të nxjerrë përfitime financiare për vetë shtetin që do të shërbejnë për investime të mëtejshme.”

Lexo edhe: Fuqia e lidhjeve (Networking): Si një lidhje mund të transformojë biznesin tuaj!

Këtu është fjalimi i plotë i Kryeministrit Rama:

Mirëdita!

Shumë faleminderit të gjithëve!

Në mënyrë të veçante dua t’i uroj mirëseardhjen të gjithë miqve, partnerëve dhe të ftuarve tanë sot, që nga arkitektet që janë në garë, tek anëtarët e jurisë që bujarisht e pranuan kërkesën tonë për tu bërë pjesë e këtij grupi gjyqtarësh të projekteve të 10 finalistëve.

Janë 10 finalistë të ndarë në 2 grupe, 5 për çdo grup, që përballë jurisë ndërkombëtare do të prezantojnë projekt idetë e tyre lidhur me 4 zhvillime të rëndësishme, të cilat janë 4 zhvillime që i hapin rrugë një faze të re, një qasje të re dhe pa diskutim edhe një roli të ri të shtetit në raport me pronën publike.

Aktualisht sot për ta bërë të qartë për të gjithë ata që nuk janë të informuar në brendësi lidhur me këtë nisëm, institucionet publike paguajnë disa miliona euro në vit qera, për të ushtruar aktivitetin e tyre në mjedise që janë larg së qeni të denja për ambicien tonë të Shqipërisë 2030, janë larg së qenit të denja për atë çka meritojnë qytetarët të cilët shërbehen nga këto institucione, janë larg së qenit të denja për  kushtet në të cilat në fakt duhet të punojnë shërbëtorët e shtetit.

E përveçse janë miliona e miliona euro që shkojnë çdo vit për qera, janë një sërë institucionesh që vazhdojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në godinat të cilat nuk kanë asnjë lloj vlere të asnjë natyre. Jo vetëm që nuk kanë asnjë vlerë arkitektonike, por paraqesin edhe probleme te vazhdueshme mirëmbajtje si rezultat i të qenit godina të vjetra të trashëguara nga periudha komuniste dhe njëkohësisht të përdorura për qëllime të reja që nuk përshtaten fare me ato mjedise.

Faktikisht sot arkitektet janë thirrur të në ofrojnë idetë dhe projektet e tyre për të na dhënë mundësinë të ndërtojmë një kompleks të madh qeveritar, i cili do të akomodojë një numër të konsiderueshëm institucionesh dhe nga ana tjetër edhe një tjetër godinë publike ku do të akomodohen të tjera institucione që janë sot në nevojë të madhe për të pasur një vend të denjë për të gjitha kërkesat e tyre.

Ky moment është një moment shumë i rëndësishëm, pasi më në fund ne kemi një agjenci e cila është krijuar me ligj disa vite më parë po për ngritjen dhe lëvizjen e së cilës është dashur një punë e gjatë përgatitore, Korporatën Shqiptare të Investimeve, ose ndryshe Albanian Investment Corporation (AIC) që në bashkëpunim me dy agjenci të mirënjohura në Europë, Agjencinë e Demanios në Itali, e cila e bën këtë punë prej shumë e shumë dekadash dhe që sot është zotëruese e 44 mijë pronave publike në territorin e Italisë ku shteti menaxhon pronat në mënyrë dhe me një qasje shumë sipërmarrëse,.

Faktikisht ajo që do të ndodhë falë agjencisë në fjalë, pra Korporatës Shqiptare të Investimeve është që shteti nuk do të dorëzojë më prona ashtu siç i ka dorëzuar në të shkuarën tek privatët, por do të futet në një rol po aq aktiv si përfaqësues i pronës së vet përmes AIC për të nxjerrë nga shfrytëzimi i pronave publike, të mira publike dhe natyrisht edhe për të nxjerrë përfitime financiare për vetë shtetin që do të shërbejnë për investime të mëtejshme.

Për ne është një kënaqësi gjithmonë që këto sfida të mëdha të zhvillimit të jenë gjatë gjithë kohës të shoqëruara nga një prani gjithmonë e më domethënëse e arkitektëve ndërkombëtare. Sot në juri kemi kryetarin e jurisë Jose Selgas është edhe themelues i  studios Selgascano, një studio që njihet botërisht dhe që është aktive edhe në Shqipëri. Kemi një “new entry” Christian Kerez që është anëtar i jurisë dhe një arkitekt i mirënjohur për shtyrjen e kufijve të dizajnit dhe të arkitekturës dhe projekteve të tij, por që siç ndodh dhe çfarë ka ndodhur edhe më parë nuk është këtu vetëm thjeshtë për të gjykuar dhe për të ikur po është këtu për të qëndruar duke u bërë pjesë e armatës së arkitektëve që tanimë janë një realitet i jashtëzakonshëm për Shqipërinë ku mbi 60 arkitektë që njihen botërisht edhe që si të thuash, udhëheqin mendimin arkitektonik bashkëkohor, janë të përfshirë në këtë armatë dhe punojnë në Tiranë dhe në zona të tjera të vendit, bashkë me sipërmarrësit e tjerë shqiptarë për t’i dhënë Shqipërisë projektet dhe veprat e denja për ambicien tonë të Shqipërisë 2030 dhe për atë çfarë Shqipëria ka mundësi dhe duhet të ketë dhe do të ketë në të nesërmen, si një vend që nuk do të jetë thjesht një destinacion për plazhet, për natyrën e bukur, për trashëgiminë kulturore e për të tjera, por do të jetë edhe një destinacion edhe për arkitekturën e re dhe bashkëkohore përmes veprave që po marrin jetë.

Këtu bëhet fjalë për projekte shumë ambicioze, këtu bëhet fjalë për projekte masive në aspektin e eksperiencës dhe të përfshirjes së shumë disiplinave që mblidhen përreth ndërtimit të projekteve të mëdha dhe këtu bëhet fjalë për vepra, të cilat edhe bota më e përparuar ia beson pikërisht arkitektëve më në zë. Ky është një moment fatlum për të gjithë arkitektët shqiptarë sepse arkitektët që janë këtu që të gjithë pa përjashtim punojnë dorë për dore me një studio lokale vendase dhe studio lokale vendase ka mjaft njerëz, vajza dhe djem të talentuar, ambiciozë, por pa eksperiencën e nevojshme dhe kështu faktikisht hyjnë në rrugën e duhur. Unë mendoj që kënaqësia për këtë ndërveprim është absolutisht e përbashkët.

Shumë faleminderit!

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #35 - Qershor 2024

Ja si sipërmarrës të guximshëm përmes inovacionit ndikojnë industri të tëra!

 

Ky numër i revistës mund të quhet numri i dedikuar sipërmarrësve, nismëtarëve dhe inovatorëve. Atyre të cilët me guxim, këmbëngulje dhe me risi nxisin transformimin e industrive me ndikim në jetët tona. Këto përvoja, sfida, ide të reja, aplikime dhe bashkëpunime të tyre, vijnë nëpërmjet Business Mag Albania, nr. 35. 

Për ty, që po e mban në dorë këtë revistë, kemi diçka të re! Tani mund të dëgjosh me zë artikujt që lexon tek BusinessMag. 

Në partneritet me Nullius in Verba, sjellim një mënyrë revolucionare për të konsumuar përmbajtjen. Falë teknologjisë së avancuar të AI, tani mund të dëgjoni me zë artikujt tuaj të preferuar në çdo kohë dhe vend, duke ju lejuar të informoheni ndërsa jeni në lëvizje. Ky bashkëpunim inovativ pasqyron përkushtimin tonë për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e modeleve të suksesshme, duke sjellë përvojë të re dhe vlerë të shtuar për ju si lexues. Skano kodet QR në çdo artikull dhe shijo nga kudo që të jesh një format të ri, mundësuar nga Inteligjenca Artificiale, aplikuar nga një …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0