Pesë ditët e mbetura janë kritike për çdo drejtues mjeti që nuk ka paguar taksat prej të paktën shtatë vitesh. Ligji i faljes së pjesshme të detyrimeve që hyri në fuqi rreth 9 muaj më parë, mundëson shlyerjen e pjesshme të detyrimeve për automjetet nëse doni t’i mbani ato në qarkullim. Në rast të kundërt me 1 janar, automjeti fshihet nga lista e mjeteve në qarkullim.
Për të mundësuar shlyerjen e detyrimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor mbajti sportelet e hapura edhe të shtunën e kaluar. Sipas këtij ligji, pronarëve të mjeteve që nuk kanë paguar taksat pas vitit 2011 e në vazhdim, iu falen kamatat në rast se paguajnë të gjitha detyrimet. Mjetet me detyrime të prapambetura janë 140 mijë.
Nëse drejtuesi i mjetit vendos të mos e mbajë më automjetin, atij i falen gjobat dhe taksat, me kusht daljen nga qarkullimi i mjetit.
Nga fshirja e pjesshme e detyrimeve mund të përfitojnë edhe mijëra sipërmarrje që kanë detyrime të prapambetura ndaj tatimeve dhe doganave. Ndër kryesoret në fakt, janë disa ndërmarrje publike që kanë detyrime të tatimit mbi vlerën e shtuar, në fushën e energjisë dhe ujësjellës-kanalizime.
Ditët e fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë të ditur se rreth 2600 tatimpagues kanë përfituar nga fshirja me kusht e detyrimeve për ato raste kur është paguar i plotë principali për tatimin/kontributin.
Aktualisht po aplikohet faza e katërt e fshirjes automatike të detyrimeve me dhe pa kusht për periudhën para 31 dhjetor 2010 dhe fshirja e detyrimeve tatimore që falen me kusht për periudhat tatimore nga janari 2011 deri në dhjetor 2014.
Nga fshirja automatike janë kompensuar me gjendjen kreditore të TVSH-së dhe të tatimeve të tjera 81,66 mld lekë detyrime tatimore dhe janë fshirë 753,8 mld lekë detyrime të papaguara. Të gjithë tatimpaguesit që kanë përfituar do të gjejnë në llogarinë e tyre elektronike në sistem njoftimin për këtë.
Tatimet vijojnë t’i bëjnë thirrje biznesit me detyrime të kryejë sa më parë pagesën e principalit për të përfituar fshirjen/shuarjen e detyrimeve të tjera për gjoba dhe interesa të papaguara.
Nisma që pritet të lehtësojë pjesërisht gjendjen e rënduar të borxheve në sipërmarrje, pritet njëkohësisht të sigurojë performancë të mirë të administratës në sigurimin e të ardhurave. Rivlerësimi i pronës në fillim të vitit dhe dy proceset e fshirjes së pjesshme të detyrimeve, kryesisht në gjysmën e dytë të këtij viti, “po i japin dorë” qeverisë të sigurojë objektivin e të ardhurave për këtë vit.
Ndërkohë, fshirja e pjesshme e detyrimeve është kundërshtuar shumë nga disa ekspertë të ekonomisë, pasi sipas tyre, vijon të forcohet precedenti për të shmangur taksat.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.