Nisja e autokolonës së ushtrisë kosovare Drejt Shqipërisë dhe më vonë edhe autokolonës për ndihmë me ushqime e pajisje materiale, janë shoqëruar me vlerësim nga qytetarët shqiptarë. Krahas kësaj, shumë qytetarë kanë ngritur pikëpyetjen nëse autokolonave iu desh të paguanin taksën e autostradës, një taksë shumë e kundërshtuar nga Shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës.
Madje ata kanë propozuar që taksa të hiqet tërësisht, pasi është vetëm një turp për Shqipërinë.
Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, kërkoi të hiqet ose të pezullohet taksa rrugore për të gjithë kosovarët që dërgojnë ndihma për familjet e prekura nga tërmeti.
Në rrjetet sociale, ai u shpreh: “Kërkesë urgjente për autoritetet nga Shqipëria: Ka qindra qytetarë, biznese, operatorë të transportit të mobilizuar, të cilët me vullnet të jashtëzakonshëm janë të mobilizuar për përkrahje të Shqipërisë në këto ditë të vështira. Ndërkohë, të gjithë po paguajnë taksën rrugore. Mospezullimi i kësaj takse për një kohë të caktuar është irritues dhe skandaloz; prandaj kërkohet urgjentisht, vendim i jashtëzakonshëm, në gjendje të jashtëzakonshme, për pezullim për një kohë të caktuar të njërës nga barrierat më absurde që ne e kemi me Shqipërinë, edhe në kohëra të zakonshme”.
Në një njoftim të saj, shoqëria koncesionare e autostradës Milot – Morinë, bëri të ditur se, duke filluar që nga dita data 26.11.2019 ka lejuar kalimin pa pagesë të të gjitha makinave (individë, shoqata, institucione të Kosovës, Shqipërisë, etj), të cilët janë solidarizuar, apo kanë sjellë ndihma për të prekurit nga tërmeti”.
Sipas kompanisë, këto grup personash do të lejohen të kalojnë pa pagesë deri në përfundim të situatës emergjente.
Normalisht, tarifa për kalimin e mjeteve 4 plus 1 është 5 euro, ndërsa për kamionët e mjetet e transportit të mallrave tarifa shkon deri në 11 euro.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.