Ersuin Shehu/SCAN
Një tjetër transaksion i rëndësishëm në tregun e telekomunikacioneve është drejt zyrtarizimit. Digicom, kompania e pestë më e madhe në ofrimin e shërbimit të internetit me linja fikse për numër klientësh, ka arritur një marrëveshje për shitjen e 85% të aksioneve te Albanian Telecommunications Union (ATU).
Marrëveshja është arritur që në fund të vitit të kaluar, ndërsa është njoftuar zyrtarisht në fillim të kësaj jave edhe nga Autoriteti i Konkurrencës, që ka ftuar palët e interesuara të shprehin opinionet e tyre.
ATU është kompania që në vitin 2010 ndërtoi rrjetin kombëtar të fibrës optike, një investim me vlerë rreth 40 milionë euro. Dhënia e lejes për të ndërtuar rrjetin e fibrës në infrastrukturën rrugore kombëtare shkaktoi një përplasje brenda qeverisë Berisha, mes ministrit të infrastrukturës Sokol Olldashi dhe atij të Inovacionit, Genc Pollo.
Lexo: Festivali i Inovacionit, bizneset drejt të ardhmes
Madje, ministri Pollo e hodhi në gjyq Agjencinë e Prokurimit Publik, që refuzoi të anulonte kontratën e dhënë nga Ministria e Transporteve. Përmes blerjes së Digicom, ATU synon tashmë të hyjë në tregun me pakicë të shërbimeve të internetit. ATU është një kompani me kapital 100% shqiptar, me aksionarë disa individë pranë grupit Gener 2.
Digicom është një kompani e krijuar në vitin 2014, që ofron shërbim 100% përmes teknologjisë së fibrës optike. Paketa prej 85% e aksioneve që do të blihet nga ATU është në pronësi të Info-Telecom, shoqëri që i përket biznesmenit shqiptar Marin Gjonaj. Për momentin, Gjonaj do të vazhdojë të jetë aksioner pakice në Digicom, me 15% të aksioneve.
Sipas të dhënave të AKEP, në fund të vitit 2018 Digicom kishte mbi 14 mijë pajtimtarë në shërbimin e internetit. Blerja e këtij operatori nga ATU pritet të rrisë konkurrencën në tregun e internetit me linja fikse. Në fillim të këtij viti, kompania ka zgjeruar infrastrukturën e saj të rrjetit edhe në zona periferike të Tiranës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.